Indeksi -> Islam -->

Bujaria, mėshira dhe durimi janė virtyte tė njeriut tė edukuar mirė

O Ti që e ndien lutjen pa zë dhe që e largon çdo fatkeqësi!

Të lutem bekoje robin dhe pejgamberin Tënd të zgjedhur me të cilin
je i kënaqur, Muhammedin, familjen dhe shokët e tij! Ndërsa mua
më ruaj nga e gjithë ajo që më bën të brengosur dhe prej meje
largoje pikëllimin tim. O më i Miri, prej të cilit kërkohet çdo e mirë
dhe më i Ndershmi, në të cilin shpresojmë, O më i Mëshirshmi,
mëshira e të cilit kërkohet, ma jep të mirën të cilën vetëm Ti je i
denjë ta dhurosh! O më i Mëshirshmi! “Më mjafton All-llahu! Sa
sundues i mrekullueshëm është Ai!”

O Ti që Jakubit a.s. ia ke kthyer të parit dhe dëshpërimin e tij e
ke shndërruar në gëzim!
O Ti që e ke mëshiruar lotin e Davudit dhe i cili e ke larguar
sëmundjen e Ejjubit!
O Ti që e pranon lutjen e të vobekëtit kur të lutet dhe që e
nxjerr nga mjerimi atë që të lutet dhe shpreson në Ty!
O Ti që je i vetmi Krijues i vërtetë dhe Zot të cilit i shërbehet!

Besimtari gjithnjë mbetet i njëjtë, pa marrë parasysh kohën
apo situatën. Ai mbetet i pathyeshëm në besim, me një fytyrë të
njëjtë dhe në të njëjtën rrugë. Ndërsa dyfytyrëshi ndryshon sipas
kohës dhe rastit, duke e shikuar vetëm dobinë e vet duke mos çarë
kokën për askë tjetër.

Bëhu fqi i mirë, do të jeshë besimtar! Dëshiroju njerëzve atë që
e dëshiron për vete, do të bëhesh i drejtë! Mos qesh shumë sepse
kjo ta dëmton zemrën dhe tërë trupin!

Ruaju nga ndalimet e All-llahut xh.sh., do të jeshë i devotshëm!
Bëhu i kënaqur me atë që ta ka dhënë All-llahu xh.sh., do të jeshë i
pasur!

Njerëz, ose do të stoliseni me durim, ose do të shkatërroheni!
Nuk je në besimin e vërtetë përderisa ua zbulon të metat
të tjerëve, ndërsa vetë nuk je pa to. Andaj së pari largoi të metat tua,
e lëri të tjerët dhe të metat e tyre. Por, dije se kurrë nuk do të mund
t’i largosh të gjitha të metat tua, andaj është më me rëndësi t’u
përkushtohesh dhe të merresh me to.
Nëse dëshiron të jeshë i drejtë, atëherë mos i hulumto të metat e të tjerëve, kështu që edhe
për All-llahun xh.sh. do të jeshë i dashur dhe i këndshëm.

Njeri! Sa i dobët dhe i pakujdesshëm që je! Të tjerëve ua
zbulon mëkatet, ndërsa mëkatet tua i lë pas dore dhe i harron. Në
sytë e vëllait e sheh edhe të metën më të vogël, e në syrin tënd nuk
e sheh a trarin. Sa e vogël është drejtësia yte, ndërsa sa e madhe
padrejtësia!

I dërguari i All-llahut, s.a.v.s., ka thënë: “Bamirësit e kësaj bote
do të jenë bamirës edhe në botën tjetër, sepse atyre All-llahu xh.sh.
do t’ua falë gabimet për të mirat që ua kanë bërë krijesave të Tij. Në
Ditën e Gjykimit do t’u thuhet: “Veprat tuaja të mira dhurojani kujt
të dëshironi, sepse ua kemi falër veprat tuaja të këqija”. Dhe ata do
t’i dhurojnë të mirat e veta dhe ashtu përsëri do të bëhen bamirës”.

Fisnikëria dhe sinqeriteti janë vetitë më të mira.
Xhihadi më i mirë është ai që zhvillohet kundër epsheve
(lakmive) personale.
I mbaj mend njerëzit të cilët në dinarin dhe dirhemin e vet nuk
i kanë dhënë vetes më shumë të drejtë se vëllait në fe. Po ç’është
me ju, o njerëz; bëni koprraci në atë për çka modeomos do të jepni
llogari!?

Dituria është më e mirë se trashëgimi, edukata është fytyra më
e pastër; devotshmëria është furnizimi më i sigurt; ibadeti është
fitimi më i mirë¸ mendja është udhërrëfyesi më i mirë; sjellja e mirë
është shoku më i mirë¸ butësia është ndihmësi më i mirë; kënaqësia
është pasuria më e madhe; ndihma e All-llahut është ndihma më e
mirë; ndërsa përkujtimi i vdekjes është predikuesi më i mirë.
Mos u bën si ai që e grumbullon diturinë e të diturve dhe
mençurinë e të mençurve, ndërsa ndaj të Vërtetës sillet si i marrë.

Kush ka edukatë të keqe, e ka dënuar veten.
Kush ka pasuri të madhe, ka mëkate të mëdha.
Kush flet shumë, shpesh gabon.
Po të mos ishte dituria, njerëzit do të ishin si kafshët.

Paraardhësit tuaj janë shembull për ju në edukatën e mirë.
Merrni këshillë, All-llahu ju mëshiroftë!

Te njeriu i mençur gjuha është pas zemrës dhe kur dëshiron të
thotë diçka, së pari mendon mirë. Nëse thënia e tij do të jetë e
dobishme, atëherë e thotë, në të kundërtën heshtë. Ndërkaq te i
padituri zemra është pas gjuhës. Ai flet sa herë që do duke mos
menduar fare.
Besimtari në mesin e njerëzve është dinjitoz, kurse në vetmi
është falënderues ndaj All-llahut. Është i kënaqur me fatin i cili i
është dhënë. Gjithnjë falënderon për komoditetin dhe duron në
vështirësi.

Nëse gjendet në shoqërinë e atyre që e kanë harruar Allllahun,
ai e kujton All-llahun, kurse kur gjendet në shoqërinë e atyre
të cilët e kujtojnë All-llahun, kërkon falje për mëkatet e veta. Ja, të
tillë kanë qenë shokët e Të dërguarit të All-llahut, s.a.v.s., gjatë tërë
jetës së tyre. Të tillë kanë qenë edhe të parët tuaj të mirë. Gjendja
juaj është ndryshuar ngase ju e keni ndryshuar veprimin tuaj ndaj
All-llahut xh.sh.

O Krijuesi ynë, tregoja mëshirën tënde udhëheqësit tonë
Muhammedit a.s. dhe familjes të tij fisnike, as’habëve të tij dhe të
gjithë besimtarëve! Ndërsa, neve na dhuro siç u ke dhuruar robërve
të sinqertë dhe të dashurve Tu të devotshëm. Ti je i Gjithëfuqishëm
dhe Ndihmës në të mira. Neve na mjafton All-llahu, Ai është Zot i
mrekullueshëm! Falënderimi qoftë vetëm për All-llahun, Krijuesin
dhe Sunduesin e botëve!


1 komente

  • allau ju shperbleft per ket qe po beni ju shum jam e kenaqur me ju edhe perse von ju kam zbukuar amo shpesh ju ndegjoj dhe shfletoj veq vazhdoni se shum te mir jeni naten e mir ishalla zoti ju ndimon

  • Leave a Reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *

    *


    Captcha

    You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

    Scroll To Top


    Ligjerat nga Bashkim Bajraktari e mbajtur te Fondacioni i Rinisë islame

    Njihe natyren e tjetrit dhe fito - Bashkim Bajraktari

    Ligjerat nga Bashkim Bajraktari e mbajtur te Fondacioni i Rinisë islame