Në Kumanovë u përuruan tre tituj librash

(FIKHU ISLAM- dispozita nga namazi, agjërimi, zeqati dhe haxhi dhe tjetra, Hyrje në të drejtën penale islame të autorit Jusuf Zimeri. Ndërsa libri i tretë është i autorit Mr. Taxhedin Bislimi Medreseja Medah e Ataullah ef. dhe nxënësit e saj)

Mbrëmë (23.11.2012) në sallën e godinës së ish komitetit në Kumanovë u bë përurimi i tri librave (FIKHU ISLAM- dispozita nga namazi, agjërimi, zeqati dhe haxhi dhe tjetra, Hyrje në të drejtën penale islame të autorit Jusuf Zimeri. Ndërsa libri i tretë është i autorit Mr. Taxhedin Bislimi Medreseja Medah e Ataullah ef. dhe nxënësit e saj).



Salla ishte e tejmbushur, gjë që dëshmonte edhe interesimin e kësaj shoqërie për libra të natyrës së tillë fetare, përmes së cilave mund çiltër të shihej edhe veprimtaria e atyre që natyrshëm e kishin pleksur çështjen kombëtare me atë fetare, duke dëshmuar praktikisht se edhe njëra edhe tjetra janë pjesë e pandashme e njeriut, ashtu siç është edhe njohja e të drejtës penale islame, e cila tashmë është edhe një mundësi e mirë për gjithë shqiptarët dhe ata që e njohin këtë gjuhë, sepse vërtetë trualli ku frymojnë shqiptarët dhe muslimanët prej kohësh kishte pasur nevojë për një shtjellim dhe studim të tillë.



Recensentit Irfan Abazi mes tjerash për librin, “FIKHU ISLAM- dispozita nga namazi, agjërimi, zeqati dhe haxhi” të autorit Jusuf ef. Zimeri, tha: Fillimisht t’ju njoftojë se Libri është ndarë në gjashtë kapituj kryesorë, duke filluar nga kapitulli i parë që autori fillon me definimin e shkencës së fikut ndarjen e saj, burimet e kësaj shkence, shkollat juridike, etapat e zhvillimit të kësaj shkence, metodologjia e përfitimit të dispozitave juridike islame e deri te terminologjia e fikut nga shkolla juridike hanefite.



Pastaj në kapitullin e dytë, autori kalon te pastërtia fizike dhe ajo shpirtërore, duke përfshirë edhe mjetet dhe metodat e pastërtisë. Në kreun e tretë autori fletë për namazin si shtyllë esenciale islame, përfshirë këtu të gjitha kushte dhe shtyllat e namazit, si dhe shumë dispozita tjera rreth namazit. Në kreun e katërt autori flet për shtyllën tjetër të islamit që është agjërimi, pastaj kreu i pestë i përkushtohet zeqatit dhe kreu i gjashtë i përkushtohet haxhit si postulatë islame.



Ndërsa recensenti, Jusuf Zimeri mes tjerash për librin, “Medreseja Medah e Ataullah ef. dhe nxënësit e saj, të autorit Mr. Taxhedin Bislimi, për lexuesin shqiptar dhe atij shqipfolës, jo vetëm që ndriçon një periudhë të errët të zhvillimit dhe kultivimit fetar dhe kombëtar në këto troje, por njëkohësisht autori përmes kësaj vepre, përmes fakteve, argumenteve dhe dokumenteve, baltos edhe shumë teza e teori që u kultivuan dekada me radhë në këtë nënqiell. Andaj, mendoj, se autori i këtij teksti kur kishte vendosur ti qaset këtij studimi, ishte në shkallën më të lartë të vetëdijesimit dhe përgjegjësisë morale, islame, kombëtare e atdhetare, gjithnjë duke përfillur kriteret shkencore, edhe pse mirë i dinte peripecitë dhe sfidat me të cilat do të ballafaqohej me to.



Ai ishte i vetëdijshëm ashtu se, siç thotë vetë ai “të flasësh për dijetarët, kolosët, veprimtarët, atdhedashësit që sakrifikuan për ruajtjen e islamit, kombit dhe atdheut është përgjegjësi morale,, më pas autori me shumë kujdes nënvlerëson heshtjen kur thotë: “kurse heshtja dhe mos ndriçimi i veprimtarisë së tyre është krim dhe tradhti”. Ataullah ef. i pa kënaqur me gjendjen e popullit të tij veçanërisht pasi që mbretëria SKS që nga shtatori i vitit 1919 kishte filluar kolonizimin e tokave shqiptare, fillimisht i bashkëngjitet patriotëve të kohës përmes Xhemijetit (që ishte formuar si parti politike më 18 dhjetor 1919, pastaj përmes Lëvizjes Kombëtare për Çlirim e Bashkim.



Qëllimi i kësaj lëvizje ishte që t’i bashkojnë të gjitha viset shqiptare dhe të jetojnë nën një pushtet, ata nuk mundën as të paramendojnë e jo më të pranojnë një shtet shqiptar i cili në të gjitha anët e saj të kufizohej me vetveten. Ideja se edhe Shkupi dhe qytete tjera jashtë trungut të Shqipërisë janë shqiptare ishte parim i kësaj lëvizje. Lëvizja Kombëtare për Çlirim e Bashkim (LKÇB) për të shprehur mllefin e tyre, në mbledhjen e mbajtur në Bojali Han në Shkup vendosi që më 10 Maj 1941 në Shkup organizojnë demonstratën nën Moton: edhe Shkupi e Kumanova janë Shqiptare. Edhe pse dikush tentoi që këto ti paraqes si turq, demonstruesit në kokë mbanin plisa të bardhë, e në këtë demonstratë morën pjesë edhe nxënësit e Medresesë së Isa Beut në krye me hoxhën e tyre Bedri ef. Hamidin që ishte nxënësi e Ataulla efendiut.



Ndërsa në fund, Mr. Taxhedin Bislimi, recensent i librit të Jusuf Zimerit, Hyrje në të drejtën penale islame, mes tjerash shtoi: Libri “Hyrje në të drejtën penale Islame” është mjaft kapitale, e përpunuar profesionalisht dhe shkencërisht, me një gjuhë të pastër dhe qartë që dëshmon për profesionalizmin e autorit. Vepra e profesor Jusuf Zimeri, thyen edhe disa tabu në qarqet shkencore dhe intelektuale të vendit tonë. Thyen bindjen e shumë njerëzve që në intelektin e tyre kishin formuar bindje se islami është vetëm çështje individuale, fe që shërben vetëm për adhurim për qetësimin e brendshëm shpirtërorë, dhe se islami nuk ka kapacitet të bëjë strukturimin e shoqërisë njerëzore dhe të sigurojë harmoninë, qetësinë, sigurinë, paqen dhe rendin.



Autori përmes kësaj vepre qartë demanton këto teori hipotetike dhe, me argumente shumë bindëse e shkencore nxjerr në shesh, se Islami krahas fakti se është besim dhe adhurim, në vete ngërthen edhe normativën e vet që rregullon dhe sistemon në detaje sjelljet e individit në raport me veten e tij, me familjen dhe mbarë shoqërinë, dhe raportet e një shoqërie me shoqërinë tjetër. Thënë shkurt autori përmes kësaj vepre jurisprudencën islame e paraqet si sistem funksional juridik, ekonomik, politik, shoqërorë etj, i cili është i ngritur mbi parimin e vlerave hyjnore, dhe si i tillë është i vlefshëm për çdo kohë, vend dhe popull.

komente

Scroll To Top

Sulejman Rustemi - Sprovat e kësaj bote





Sulejman Rustemi - Sprovat e kësaj bote

Sulejman Rustemi - Sprovat e kësaj bote