MUSLIMANI PAS RAMAZANIT

Allahu (xh.sh) thotë në Kuranin famëlartë: “Dhe kur të pyesin robërit e Mi për Mua, le ta dinë se Unë jam shumë afër, prandaj të më luten Mua e Unë do t`ju përgjigjem”.

Kur profeti Muhamed (a.s) ndërroi jetë, të gjithë shokët e tij ishin të mërzitur dhe të gjithë qanin. Omeri (r.a) nxori shpatën e tij dhe tha: “Kush thotë se profeti (a.s) ka vdekur, ka të bëjë me mua”. Por për çudi, njeriu që njihej nga të gjithë për butësinë e tij, Ebu Bekër Es Siddiku (r.a), u ngrit dhe tha: “O njerëz! Në qoftë se keni adhuruar Muhamedin (a.s), dijeni se ai ka ndërruar jetë. Por në qoftë se keni adhuruar Allahun, dijeni se Ai nuk vdes kurrë”.







Ramazani do të ikë shumë shpejt. Në qoftë se dikush prej nesh ka adhuruar Ramazanin, ta dijë se atij i vjen fundi një ditë, por nëse adhurojmë Allahun (xh.sh) le ta dimë se Ai është Zoti i gjithësisë, pa fillim dhe pa fund. Ai me mëshirën e Tij solli muajin e Ramazanit, që ne të lidhemi me Të, por Allahu do të vazhdojë të ekzistojë edhe pas ikjes së Ramazanit, pas vdekjes tonë, pas vdekjes së të gjitha krijesave. Ai ka qenë, është dhe do të mbetet, prandaj lidhuni me Zotin e gjithësisë, me Allahun (xh.sh).







Me të vërtet janë moment të vështira. Po mbaron një muaj, tek i cili gjeti prehje shpirti ynë, sepse u lidh me Allahun (xh.sh). Gjeti prehje trupi ynë, mendja jonë, madje edhe stomaku ynë. Një rregull i përkryer që lidhi trupat dhe shpirtrat tanë me madhështinë e Allahut (xh.sh). Iku një muaj, që do ta kërkojmë shumë pas Ramazanit, sepse ai do të vijë përsëri vitin tjetër, por nuk e dimë nëse do të jemi gjallë deri atëherë. Profeti (a.s) ka thënë: “Sikur ta dinte populli im se çfarë mrekullish, çfarë begatie, çfarë mëshire lëshon Allahu në Ramazan, do t`i lutej Allahut (xh.sh), që ta bënte gjithë vitin Ramazan”.







Po kalon një muaj, për të cilin kemi konsiderata të larta, por nuk e dimë se ç`mendim ka ai për ne, çfarë do t`i thotë Allahut (xh.sh) për mua dhe për ty, për të gjithë muslimanët. Si do të jetë halli i atyre njerëzve, të cilët Ramazani i gjeti nëpër kafene nga mëngjesi deri në darkë dhe përsëri kur iku në kafene i la.



I lumtë atij njeriu, i cili që në fillim të Ramazanit i njohu mirësitë e tij, i përveshi krahët, kaloi gjithë këto net dhe pret fundin e tij. Zoti më faltë mua dhe të gjithë ata njerëz që nuk ia ditën vlerën këtij muaji.







Por Allahu (xh..sh) është i mëshirshëm me robërit e Tij. Ai ka caktuar që dera e pendimit të mos mbyllet me ikjen e Ramazanit. Ajo është e hapur, derisa shpirti të të vijë në fyt, prandaj nxito o vëlla dhe ti o motër që të pendohesh tek Allahu (xh.sh). Zoti na mëson se njerëzit që pendohen janë besimtarët. Ata e dinë vlerën e tyre.







Xhibrili (a.s) i tha profetit (a.s): “O Muhamed. Ai njeri që e zë Ramazanin dhe nuk i falen gabimet, ai njeri është larguar nga mëshira e Zotit”. Është shans i madh që këtë hadith e dëgjojmë para fundit të muajit të Ramazanit. Le të afrohemi tek Allahu (xh.sh). Tani më shumë se kurrë duhet ta ndjejmë nevojën e pendesës tek Allahu (xh.sh). Zoti i faltë gabimet tona dhe lusim Zotin t`i lidhë zemrat tona me madhështinë e Tij. Kanë mbetur edhe disa net nga fundi i Ramazanit. Ta dini se ato peshojnë shumë në peshoren e Allahut (xh.sh).







Dëgjuam në fillim të Ramazanit se Allahu (xh.sh) thotë në Kuranin famëlartë: “Ramazani është ditë të numëruara”. Dëshmojmë se Allahu (xh.sh) ka thënë të vërtetën. Na u duk një muaj, por tani e kuptojmë se ato paskan qenë vetëm disa ditë. Kështu është jeta e besimtarit. Ai njeri që e kalon jetën e tij në adhurim ndaj Allahut (xh.sh) atë nuk e pret momenti, i duket jeta shumë e shkurtër dhe me të vërtet jeta është e tillë.







Por jobesimtarëve iu duken ditët, muajt dhe jeta shumë të gjata. Ata nuk dinë se si ta shtyjnë kohën. Të jeni të sigurt, se edhe këtyre njerëzve ka për t`iu dukur jeta shumë e shkurtër, jo në këtë jetë, por kur të takohen me Allahun (xh.sh).







Me të vërtetë që Islami është i madh. Feja e Zotit është më e madhe se muaji i Ramazanit. Në qoftë se agjërove për hir të Zotit dhe inshallah ta ka pranuar Allahu (xh.sh) agjërimin, pasi është punë shumë e madhe, dije se agjërimi nuk mbaron më muajin e Ramazanit. Ai vazhdon edhe pas tij. Pastroje trupin dhe shpirtin tënd me një ditë agjërim për Allahun (xh.sh). Profeti (a.s) ka thënë: “Kush agjëron një ditë për hir të Allahut (xh.sh), i largohet zjarrit të xhehenemit për 70 vjet”.







Në qoftë se në këtë muaj ti e fale namazin e taravisë, i cili është vërtet një namaz i mrekullueshëm, dije se nuk mbaron namazi me mbarimin e muajit të Ramazanit. Namazi vazhdon përsëri madje edhe më i fortë se ç`ishte. Ato janë pesë namazet ditore që i ka obligim çdo besimtar. Lus Allahun (xh.sh) ta lidhë jetën tonë me namazin. Këto punë të cilat i bëre në Ramazan, vazhdoji edhe pas Ramazanit. Vetëm kështu ke ndjerë se çfarë është ky muaj. Përndryshe mund të themi se ai ishte vetëm një fllad, që kaloi pranë teje dhe iku. Ti u ndikove për një muaj prej tij, por përsëri jeta jote vazhdon siç ishte. Me të vërtetë kjo do të ishte një humbje shumë e madhe për ty.







Në qoftë se ti në pjesën e tretë të natës kur të tjerët flinin gjumë, u ngrite dhe fale namaz për Allahun (xh.sh), dije se këto net vazhdojnë edhe pas muajit të Ramazanit. Zoti për çdo natë të vitit zbret në qiellin e dynjasë dhe thotë: “Kush më lutet t`i përgjigjem, kush kërkon prej Meje, t`i jap, kush kërkon mbrojtje e ta mbroj”. Në qoftë se ke hall, dije se Zoti të përgjigjet në Ramazan dhe pas tij. Ky është një sekret i madh mes teje dhe Allahut (xh.sh), por shumica e njerëzve e neglizhojnë këtë gjë. Shfrytëzoje o musliman këtë sekret para se të të vijë vdekja.







Gjithashtu ty t`u bë ushqimi haram gjatë ditës, por t`u lejua natën. Dije atëherë se punët e liga dhe fjalët e keqija të janë bërë haram edhe ditën edhe natën, në Ramazan dhe pas tij. Me të vërtetë që është humbje për njeriun kur ai nuk llogarit veten e tij, fjalët e tij që dalin në çdo moment nga goja e tij.







Një nga sahabët (shokët e profetit) kur dëgjoi se çfarë dënimi ka njeriu vetëm për fjalët që thotë, e pyet profetin (a.s): “O Profet i Zotit, a do të na marrë Zoti në llogari edhe për fjalët që themi”?



Profeti (a.s) ia kthen: “Të mëshiroftë nëna jote. Po kush e fut njeriuin në xhehenem më shumë se gjuha e tij”!? Prandaj fjalët dhe shprehjet e pahjshme të janë ndaluar edhe në Ramazan edhe pas tij.







Gjithashtu, ti dëgjove një fjalë të lartë, lexove një libër të madh, Kuranin e Allahut (xh.sh) dhe u preke shumë prej tij. Ndoshta ke derdhur edhe lot. Dije se ai është libri i Allahut (xh.sh). ai nuk është vetëm për muajin e Ramazanit. Ajo është kushtetuta jote, është ligji yt gjatë Ramazanit dhe pas tij. Le t`i lidhim zemrat dhe jetët tona me këtë libër.



Profeti (a.s) ka thënë: “Në qoftë se kapeni fort pas Kuranit, nuk ka njeri që mund t`iu mundë, nuk do të humbisni kurrë. Kurani është fjala e Allahut (xh.sh). Kush flet me të ka folur drejt, kush gjykon me të ka gjykuar drejt. Kush e kërkon udhëzimin jashtë Kuranit, Zoti betohet se ka për ta humbur atë njeri”.







Vëllezër! Kërkojeni udhëzimin tek fjala e Allahut (xh.sh), tek Kurani famëlartë.



Gjithashtu ju ftoj të përvishni krahët edhe për netët që kanë mbetur. Shpresojmë ta zemë natën e Kadrit. Nëse ka kaluar, Zoti i mëshiroftë ata njerëz që e arritën natën e Kadrit. Gjithësesi të mos bëhemi neglizhentë ndaj ditëve që kanë mbetur, sepse ndoshta falja jonë, ndoshta dëshmia që jemi të shpëtuar nga zjarri i xhehenemit është në këto net.







Allahu (xh.sh) për çdo natë të Ramazanit liron njerëz nga zjarri i xhehenemit. Nëse për ne netët e faljes nuk kanë qenë deri tani, inshallah janë në netët që kanë mbetur, prandaj ftoj veten time dhe ju, t`i shtojmë punët e mira në këto net që kanë ngelur.







Gjithashtu ju ftoj të mos harroni sadakanë e fitrit, një pastrim të pasurisë së tij, e cila ka vlerë të madhe tek Allahu (xh.sh). Lus Allahun (xh.sh) që kjo pasuri të shkojë në duar të sigurta, tek njerëzit që kanë nevojë. Të gëzojnë atë ditë edhe ata njerëz që ndoshta nuk kanë agjëruar, nuk janë falur por janë muslimanë.







Lus Allahun (xh.sh) t`i pastrojë zemrat tona dhe pasuritë tona. Lusim Zotin që në këto ditë, t`i falë gabimet tona, ta pranojë agjërimin tonë, namazin tonë, ta pranojë çdo punë të madhe apo të vogël që kemi bërë. O Zot mos na harro neve në netët e fundit të muajit Ramazan, na fal neve, fali të gjithë muslimanët në të katër anët e botës, fali të gjithë ata që e duan faljen tënde. O Zot, bëje Ramazanin e ardhshëm më të mirë se të këtij viti. Zoti na udhëzoftë tek më e mira dhe na bëftë prej banorëve të xhenetit.







AMIN



By: Ferid Piku

komente

Scroll To Top

Sulejman Rustemi - Sprovat e kësaj bote





Sulejman Rustemi - Sprovat e kësaj bote

Sulejman Rustemi - Sprovat e kësaj bote