Fashitja e fshatit!

(Një qasje e lirë nga ana ime, mbase mund të themi edhe një derdhje rrek e brengës sime në këtë letër të bardhë e të pastër. Mund që lirisht të mos pajtoheni, keni të drejtë, ashtu siç edhe unë kam të drejtë që ndonjëherë të shkruaj me emfazë)

Iljasa SALIHU

Poetë, filozofë e romancier, dikur i thurnin vetëm fjalë të bukura fshatit, bukurive të tij natyrore dhe rëndësisë së jetesës në fshat. Në fshat mëtohej të kërkohet qetësia, frymëzimi dhe furnizimi i mushkrive me oksigjen të mjaftueshëm e të pastër.

Thoshin se njeriu në fshat është në bashkëbisedim e në bashkëveprim të drejtpërdrejtë me botën e gjallë, me ata që frymojnë lirshëm pa ndihmën dhe pengesën e ndonjë faktori që ka dëshirë të ndërhyjë në atë që nuk është mirë të preket, ngaqë ia humb dëlirësinë asaj. Vetëm në fshat mund të ushqehesh me pemë e perime të cilat edhe në bark frymojnë freski.

Keni dëgjuar për kroin e fshatit tim?- do të krekoseshin fshatarët e dikurshëm. Tani ky krua është mbushur përplot moçale! - do të thoshin fshatarët e tanishëm. Ah sa bukur është të gdhiheni me këngën e gjelit dhe t’ju merrë gjumi me zukamën e familjes së mizave. Eh, sa e sa bukuri të tjera ishin dhe duhet të jenë në fshat!

Përskaj gjithë kësaj bukurie natyrore dhe të shëndetshme, sot shohim se njerëzit gjumi në fshat po i merr me vajin trishtues të hutave. Dëgjojmë se njerëzit shajnë njëri-tjetrin duke përdorur emrin fshatar, mendim fshataresk e të ngjashme, shohim seç ushqehen me qumësht dhe djath të blerë në qytet, gjithashtu edhe pemtë e perimet i marrin prej qytetit.

Dëgjojmë në fshat ofshama shqetësuese në vend të pasthirrmave që kultivojnë qetësi, ankesa të pandërprera, pluhur industrial në mungesë të punishtëve prodhuese, gropa në rrugë që shkërmoqin makinën dhe ngasësin e saj e shumëçka tjetër neveritëse. Pylli është pushtuar prej gjarpërinjëve, ngase njerëzit dhe bagëtitë përtojnë të dalin në ato pllaja ku edhe mushkëritë do të buzëqeshnin.

Fusha është bërë djerrinë e pështrë, ku edhe qentë tashmë kanë filluar të ikin për t’ia mësyrë qyteteve të mëdha, për të gjurmuar edhe ato ndonjë sallam e suxhuk nëpër shportat e mbeturinave. Kështu sot, gurgullon rënkimi në fshat, gjelit i vije mërzi të këndojë herët, edhe ai duket se bie vonë e zgjohen pas vagëllimës së ditës, zukamat janë bërë zhurmë neveritëse, mbase kanë filluar edhe të humbin prore. Nuk ka jetë në fshat, dëgjojmë prej atyre që jetojnë aty, nuk ka investime, të paktën në rrugë e në rrymë, ka vetëm dëshpërim të atyre që duhet patjetër të udhëtojnë për në qytet përmbi ato gropa të pështira, skaji i të cilave është vërtet teh brisku.

Në kësi lloj kushtesh, ku ajo që duhet të ruhet rrënohet dhe ajo që patjetër duhet të ndërtohet i lihet pluhurit të harresës, jeta në fshat është bërë mjerim i vërtetë. Sot është bërë vështirë të kalohet dita pa përdorimin e internetit, këtë tashmë nëpër fshatra e ke, edhe pse me vonesë, por e ke shumë të ngadalshëm dhe çdo prishje i nënshtrohet rrugëtimit të gjatë të pritjeve, mundësia për më shumë programe në televizor në fshat ende mungon, mjafton një puhizë e lehtë e erës që rryma të ndalet, telat që përçojnë rrymën vazhdojnë të lihen të lirë, puqen dhe shkrepin flakë, të gatshme për ta marrë ndonjë jetë njeriu dhe shumë çështje të tjera që fshatit ia kanë shembë atë bukuri që natyrshëm e ka dhe që dikur e kishte.

Kjo është kështu, ndoshta nga shkaku se fshati me fushat djerrinë dhe malet shkretinë i vari shpresat vetëm në qytet për t’i blerë kështu produktet e veta, por në formë të konservuar dhe shumëfish të shtrenjtuar!

0 komente

No Comments!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*


Captcha

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Scroll To Top

Bashkim Aliu - Pozita e gruas nė Islam

BASHKIM ALIU POZITA E GRUAS NË ISLAM ''TE JETOJME ME ISLAMIN''