Ligjėruesi i Zahrasė

Sot do t’ju tregoj për një gjykatës të madh, i cili ishte gjykatësi i bashkësisë së Andaluzisë, pozicion ky që i përgjigjet atij të kryegjykatësit në Bagdad.

Sot do t’ju tregoj për një gjykatës të madh, i cili ishte gjykatësi i bashkësisë së Andaluzisë, pozicion ky që i përgjigjet atij të kryegjykatësit në Bagdad.

Ai ishte gjithashtu ligjëruesi kryesor dhe dijetari i saj më i madh. Ai dinte të bënte edhe shaka përmes proverbave dhe anektodave të tij të rralla, por kur çështja ishte serioze dhe kur e kërkonte detyra, ai mbante një qëndrim aq të vendosur dhe të palëkundur, sa edhe malet kreshnike s’di në do qëndronin aq solide.

Sa i përket anekdotave të tij, ato gjenden në përpilimin “Matmahul Enfus” me autor Fet’h ibn Khakan el Uezir.

Po ju paraqes disa përvijime të shpejta të një buqete prej pozicionimeve të tij, pa u futur në ekzaminimin e kronikës dhe pa hyrë shumë në detaje, pasi kjo do kërkonte kohë.

Jemi në Andaluzi, Parajsën e tokës, në Kordoba, kryeqytetin e botës, në një kohë që ishte epoka më e lulëzuar e Andaluzisë, që si ajo nuk kishin parë viset e Andaluzisë më parë. Por një epokë e artë dhe një lulëzim i tillë i Andaluzisë nuk u pa as në periudhën e saj islame të mëpastajshme dhe as është parë në kristianizimin e sotëm të saj. Kjo epokë ishte epoka e kalifit Abdurrahman Nasir, ndërtuesit të qytetit të mrekullueshëm të Zahrasë.

E gjithë dynjaja me madhështinë dhe hijeshinë e saj u tubua në Andaluzi, Andaluzia u tubua në Kordobë dhe Kordoba u tubua atë ditë në pallatin e ndërtuar me një konstrukt të mrekullueshëm, të veshur me një mobilim madhështor dhe hijeshi dominuese, të atilla që lapsi nuk mund t’i përshkruajë.

Pallati u përgatit për pritjen e delegacionit të Kajsarit (hierarkut) që erdhi nga Kostandinopoja, për t’i treguar Nasirit besnikërinë dhe për të kërkuar përkrahjen e tij.

Në këtë rang të gjithë shpirtrat e ligjëruesve aspiruan të flisnin dhe çdo dijetar dhe ligjërues dëshiroi, që kalifi ta evidentonte për të qenë ai personi që do të thoshte një fjalë pas fjalës së liderit të delegacionit të hierarkut të Kostandinopojës. Këtë privilegj nuk e mori asnjë veç imamit Ebu Ali el Kaliu-t el Bagdadiu-t, miku i Andaluzisë dhe përpiluesi i “El Emeli”.

Ebu Aliu u ngrit të fliste, por iu ngatërruan fjalët, heshti dhe nuk arriti më të thoshte as edhe një fjalë tjetër, aq sa çështja për pak sa nuk u çorodit. Sakaq një djalosh u ngrit nga mesi i dijetarëve, u pozicionua në podium një shkallë më poshtë el Kaliut dhe improvizoi një ligjëratë, që njerëzve s’ua kishin dëgjuar veshët, me të cilën i dithëroi zemrat. Ai i dominoi dhe nënshtroi emocionet dhe ndjenjat me gjërat tërheqëse që solli. Kalifi u impresionua nga ky nivel dhe e pyeti djalin e tij Hakemin për të. Hakemi i tha se ky ishte Mundhir ibn Seaid el Beluti. Kalifi tha: “Do ta privilegjoj, sepse ai e meriton diçka të tillë”. Kësisoj ai emërohet në gjykatë dhe gjithashtu emërohet të ligjërojë në xhaminë e madhe. Më pas ndërtohet qyteti e Zahrasë, mrekullia e artit të arkitekturës, që asnjë mbret dhe princ nuk arriti të ndërtojë një të ngjashëm me të. Në përshkrimin e Zahrasë mjafton fakti, se historianët thonë se nëse ajo do kishte mbetur dhe s’do ishte rrënuar, Hamraja e mahnitshme do ngjante përbri saj si një kasolle. Pikërisht me ndërtimin e Zahrasë dhe kompletimin e xhamisë së saj, Mundhir ibn Saidi emërohet ligjërues kryesor i xhamisë saj.

Tregohet se kalifi aq shumë qe preokupuar në ndjekjen e ndërtimit të Zahrasë, saqë një herë nga harresa e humbi edhe xhumanë. Ai ndërtoi në rezidencën e tij të Zahrasë një sallon luksoz me pullaz (çati) prej ari dhe argjendi, ku e lëshoi dorën në një mënyrë të papërshkrueshme. Pasi kjo vepër gjigante e konstruktit përfundoi, kalifi i ftoi njerëzit në ceremoninë e inagurimit tsë saj, duke zgjedhur si kremtim të parë për hapjen e saj, namazin e ditës së xhuma (të premte).

Ligjërues i xhumasë ishte pikërisht Mundhir ibn Seaidi, i cili u ngjit në podium dhe e filloi hytben (ligjëratën e xhumasë) jo si herët e tjera. Ai e filloi ligjëratën e kësaj dite të premte me fjalën e Allahut të Lartësuar: “A në çdo bregore lozni duke ngrehur një ndërtesë? Dhe ndërtoni pallate të fortifikuara a thua se do të jeni të përjetshëm? E kur rrëmbeni, rrëmbeni mizorisht. Pra, kijeni frikë Allahun dhe më dëgjoni mua! Kijeni frikë Atë që ju pajisi me çka ju vetë e dini. Ju pajisi me dhunti e djem. Me kopshte e me burime. Vërtet, unë i frikësohem dënimit tuaj në një ditë të madhe”. [Shuara: 129-135]

Ligjëruesi e përcolli këtë mesazh me fjalë ekzaltuese dhe kumtime shqeto, përmes të cilave e kritikoi shpërdorimin, luksin e shfrenuar dhe çuarjen dëm të financave të kombit në stolisjen e pallateve. Më tej, teksa lotët i pikonin nga mjekra, vijoi duke thënë: Për Allahun o Prijës i besimtarëve, nuk më kishte shkuar ndër mend, se shejtani – Allahu e poshtëroftë – do dominonte mbi ty, aq sa të vendosi në pozitat e jobesimtarëve, duke i bërë pullazet e rezidencës tënde prej floriri dhe argjendi, teksa Allahu i Lartësuar thotë: “E sikur të mos ishte që njerëzit (do të lakmonin) të jenë të një feje (jobesimtarë), Ne atyre që nuk e besojnë Zotin do t'ua bënim pullazet (çatitë) e shtëpive të tyre nga argjendi si dhe shkallët nga argjendi, mbi të cilat ata do të ngriheshin”. [Zuhruf: 33]

Pastaj e vijoi ligjërimin e tij me fjalën e Allahut të Lartësuar: “A është më i mirë ai që ndërtesën e vet e themeloi në devotshmëri dhe në kënaqësi të Allahut, apo ai që ndërtesën e vet e themeloi buzë bregut të shembur e bashkë me të bie në zjarrin e Xhehenemit? Allahu nuk i udhëzon njerëzit zullumqarë”. [Teube: 109]

Ligjëruesi vijoi të fliste në këtë kontekst, derisa njerëzit e harruan fare kalifin dhe ceremoninë, zemrat e tyre u prehën tek Allahu, shpirtrat u kthjelluan për Allahun dhe xhamia oshtiu nga të qarat...

Pasi u krye namazi, kalifi u largua i zemëruar dhe i tha të birit: A e pe guximin e tij kundër nesh... Çfarë të bëj me të?... Hakemi i tha: I ke të gjitha arsyet për ta shkarkuar. Kalifi u thellua dhe tha: Mjerë për ty! Po a shkarkohet një person me meritat, devocionin dhe diturinë e Mundhir ibn Seaid-it, vetëm e vetëm për të kënaqur një shpirt të rrënuar larg udhëzimit. Unë turpërohem nga Allahu, që midis meje dhe tij të vendos një imam tjetër... Pastaj kalifi urdhëroi, të hiqej floriri dhe argjendi nga stolitë e pallatit.

Kurse tani me një tjetër qëndrim prej qëndrimeve të Mundhir ibn Seaidit me Nasirin:

Nasiri deshi të ndërtonte një pallat për gruan e tij. Përbri vendit të ndërtimit të këtij pallati, gjendej një shtëpi e vogël me një banjo, ku jetonin ca jetimë nën kujdestarinë e gjykatësit Mundhir ibn Seaid. Nasiri kërkoi që ta blente e i thanë se ajo mund të blihej vetëm me lejen e gjykatësit. Kalif Nasiri i kërkoi gjykatësit Mundhir ibn Seaid, që t’ia mundësonte blerjen e saj. Përgjigja e gjykatësit ishte: Ajo mund të shitet vetëm në njërën nga tre format, duke marrë në konsideratë nevojën e jetimëve, ose çështjen delikate të strehimit, ose një çmim të kënaqshëm. Kalifi dërgoi ekspertët, të cilët i vlerësuan shtëpinë dhe banjën me një çmim, që nuk e kënaqi gjykatësin, kështu që ai refuzoi. Kalifi u mënjanua dhe shfaqi mosinteresim për to, gjë që e frikësoi gjykatësin se mos shkonte puna deri aty, sa kjo pronë të konfiskohej. Prandaj gjykatësi Mundhir ibn Seaidi urdhëroi, që shtëpia me gjithë banjo të shembeshin dhe rrënojat i shiti me një çmim më të madh nga ai që i kishin ofruar ekspertët e kalifit. Një gjë e tillë i rëndoi kalifit, i cili e pyeti Mundhirin: “Çfarë të shtyu të veproje kështu?” Mundhir ibn Seaidi u përgjigj: “Iu përmbajta fjalës së Allahut të Lartësuar: “Sa i përket anijes, ajo ishte pronë e disa të varfërve që jetesën e tyre e përfitonin nga deti, e unë desha ta bëj atë me të meta, ngase ata rrezikoheshin prej një sunduesi që grabiste çdo anije (pa të meta)”. [Kehf: 79]

Rrënojat i shita më shumë se ç’i vlerësove shtëpinë dhe banjën dhe në krahun tjetër jetimëve u mbeti trualli. Tani mund ta blesh këtë truall si ta vlerësosh”.

Kalifi tha: “Në rend të parë më takon mua që t’i bindem drejtësisë. Allahu të shpërbleftë më së miri për kontributin tënd karshi meje dhe kombit tënd musliman”.

Të nderuarit e mi! Nëse doni ta dini se nga i erdhi këtij njeriu personaliteti që gëzonin për të kraharorët e njerëzve, nga i erdhi ky madhërim që i bënin atij njerëzit dhe nga i erdhi kjo pozitë e lartë, të cilën ai e gëzonte tek kalifi dhe njerëzit, përgjigja është: Kjo i erdhi atij vetëm nga sinqeriteti që ai kishte për Allahun, nga frika që kishte prej Allahut, adhurimi që bënte për Allahun dhe lidhja e tij me Allahun, sepse personi që e ka frikë Allahun, atij ia ka frikën çdo gjë dhe atij që është me Allahun, të gjithë krijesat ia mbajnë anën.

Në fundin e epokës së Nasirit, njerëzit u prekën nga thatësira e madhe dhe gjykatësi Mundhir ibn Seaidi urdhëroi, që njerzit të dalin për faljen e namazit për rënie shiu. Mundhiri u bë gati për këtë me seriozitetin më të madh, agjëroi tre ditë para kësaj, i kërkoi falje Allahut për mëkatin e bërë, ekzaminoi të drejtat e njerëzve dhe ua ktheu atyre ato, u kërkoi njerëzve hallallëkun dhe të gjithë njerëzit dolën me të, burra, gra e fëmijë.

Mundhiri i tha një kolegut të tij, që ishte prej njerëzve pranë kalifit: “Shko dhe shiko se çfarë po bën Prijësi i Besimtarëve?”

Kolegu i tij u kthye dhe i tha: “Kurrë s’e kemi parë më të frikësuar se kjo ditë. Ishte krejt i vetmuar, i destabilizuar, i veshur me rrobat më të lira, i shtrirë përdhe. Mori dhé të cilin e derdhi mbi kokë dhe mjekër, qau, kërkoi falje dhe po thoshte: O Zot, ja ku e ke ballin tim para teje. Nëse unë jam ai që kam gabuar, a po i dënon qytetarët për shkak të mëkatit tim, teksa Ti je më i urti i të urtëve, je i Plotpushtetshëm mbi mua e tek Ti nuk humbet ajo që unë kam vepruar...”.

Kur dëgjoi këtë, Mundhirit i shndriti fytyra dhe i tha djaloshit që i shërbente: Shko dhe na e merr çadrën me vete. Nëse kolosi i tokës (kalifi) i frikësohet Zotit, s’ka dyshim se do vijë mëshira nga Mbizotëruesi i qiellit, ka ardhur leja e Allahut që shiu të bjerë.... Pastaj u bëri thirrje njerëzve, që të bënin dua (lutje) me zë, të shprehnin pendimin dhe të kërkonin falje. Ende pa u larguar, qielli u mbush me re dhe njerëzit i lagu shiu.

Allahu e mëshiroftë Mundhir ibn Seaidin dhe çdo njeri që drejtësinë e pati slogan dhe për njerëzit ishte pishtar.

Perktheu: Altin Torba

0 komente

No Comments!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*


Captcha

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Scroll To Top

Bashkim Aliu - Pozita e gruas nė Islam

BASHKIM ALIU POZITA E GRUAS NË ISLAM ''TE JETOJME ME ISLAMIN''