Indeksi -> Islam -->

Ēka e prish abdesin?

Me sintagmën nevakidu’l-vudu’ nënkuptohen arsyet që eliminojnë dhe sigurojnë pastërtinë e cila është arritur me marrjen e abdesit.

Me sintagmën nevakidu’l-vudu’ nënkuptohen arsyet që eliminojnë dhe sigurojnë pastërtinë e cila është arritur me marrjen e abdesit.

Abdesin e prishin katër gjëra:

Një: dalja e çfarëdo qoftë nga njëra prej dy vrimave të trupit për sekrecion, vrimës anale dhe organit seksual, pavarësisht nëse ajo që del është e zakonshme (siç janë urina, jashtëqitja ose gazrat), ose e jashtëzakonshme (si skraja, rëra e të ngjashme), ngase është e pamohueshme që ato me vete hedhin edhe një pjesë të lëngët.

Lavdiploti thotë: "ose nëse keni kryer nevojën e natyrshme"...[1]

Nocioni gait i përdorur në ajet nënkupton vendin ku shkonin sahabët kur dëshironin të kryenin nevojën fiziologjike, andaj është bërë metonimi për gjendje të papastër. Nëse është konstatuar se kjo e prish tejemumin, atëherë e prish edhe abdesin.

عنْ صَفْوَانَ بن عَسّالٍ قالَ: "كَانَ رسول الله صلى الله عليه وسلم يَأْمُرُنَا إذَا كُنّا سَفْراً أَنْ لا نَنْزعَ خِفَافنَا ثَلاثةَ أَيّامٍ وَليَالِيَهُنّ إلاّ مِنْ جَنَابَةٍ، وَلَكِنْ مِنْ غَائِطٍ وَبَوْلٍ وَنَوْمٍ".

Nga Savfan ibn Asali (r.a.) transmetohet të ketë deklaruar: “I Dërguari i Allahut (a.s.), kur ndodheshim në udhëtim, na urdhëronte të mos i heqim mestet tri ditë e tri net, pos kur jemi xhunubë, por jo edhe për shkak të nevojës së vogël e të madhe, ose gjumit.”[2]

Nga ajo që u tha më sipër përjashtohen gazrat, nëse dalin nga organi seksual i mashkullit ose femrës, ngase në atë rast nuk e prish abdesin, meqë nuk ka dalë nga vendi i papastër, pos në rastin kur femra ka plagë që e ka shkaktuar përzierjen e rrugëve të urinës dhe të jashtëqitjes. Gazrat, që do të dilnin në këtë rast nga organi i saj seksual, do ta prishnin abdesin.

Nëse dikush e fut termometrin në vrimën anale, pastaj e nxjerr dhe nëse në të ka lagështi, abdesi është prishur, e nëse nuk ka jo, ngase prishja e abdesit bëhet sipas asaj që del, e jo sipas asaj që hyn.

Nëse dikush përdor ilaç për pastrim të zorrëve, kurse ilaçi më vonë del, ai e prish abdesin, ngase ka arritur deri tek ajo që ndodhet në zorrë, të cilat janë vend i mbeturinave.

Mirëpo, nëse e pik ilaçin në organin seksual, prej cilit më pas del, kjo nuk e prish abdesin, ngase ky nuk është vend i papastërtisë.

Kur gruaja vë pecetë në organin seksual, por vërehet lagështi në skajin e pecetës e cila gjendet jashtë organit, namazi i saj është prishur. Mirëpo, nëse laget pjesa e brendshme dhe lagështia nuk depërton në anën e jashtme, kjo nuk e prish abdesin, përderisa të mos e heqë pecetën e lagur.

Abdesin e prish të kulluarit e sekrecionit jargëzor, i cili herë-herë paraqitet në organin e femrës, posaçërisht para lindjes dhe gratë e quajnë pastrim. Për këtë arsye juristët e Sheriatit e konsiderojnë të preferuar që femrat e martuara të vendosin diç në hyrje të organit seksual për t’u siguruar që të mos dalë asgjë prej tij.

Dy: Dalja e papastërtisë jashtë dy vrimave të përmendura, siç janë: gjaku, gjaku me qelb, qelbi dhe të vjella, për çka bëjnë fjalë transmetimet vijuese:

1. I Dërguari i Allahut ka thënë:

من أصابَهُ قَيءٌ أَوْ رُعَافٌ، أَوْ قَلَسٌ، أَوْ مَذْيٌ فَلْينْصَرِفْ فَلْيَتَوَضَّأ، ثمَّ ليَبْنِ على صلاتِهِ، وهُوَ في ذلك لا يَتَكَلّمُ.

Kujt i ndodh që të vjellë (pa vrer), ose i rrjedh gjak nga hunda, ose vjell me plot gojën (me vrer), ose i paraqitet sekrecion (medhij), le të marrë abdes, pastaj të falë atë që e kishte filluar, nëse gjatë asaj kohe nuk ka folur fare.[3]

2. Nga Ebu Se’id el-Hudri (r.a.) transmetohet se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë:

إِذَا قَاءَ أَحَدُكُمْ أَوْ رَعَفَ وَهُوَ فِي الصَّلاَةِ أَوْ أَحْدَثَ فَلْيَنْصَرِفْ فَلْيَتَوَضَّأْ ثُمَّ لِيَجِيَء فَلْيَبْنِ عَلَى مَا مَضَى.

Kur dikush prej jush vjell apo i rrjedh gjak nga hunda, gjersa ndodhet në namaz, ose në ndonjë mënyrë tjetër e humb abdesin, le të shkojë të marrë abdes, kurse pastaj të kthehet dhe ta vazhdojë atë që e ka kryer.[4]

3. Nga Ebu Derda’i (r.a.) transmetohet se i Dërguari (a.s.) kishte vjellë, andaj kishte marrë abdes. Ma’dan ibn Halidi, transmetuesi i hadithit, deklaron se e kishte takuar Thevbanin në xhami në Damask, kur ia kishte përmendur këtë rast. Ai kishte deklaruar:

صَدَقَ، أَنَا صَبَبْتُ لَهُ وُضُوءَهُ.

“E ka thënë të vërtetën. Unë ia kam derdhur ujin.”[5]

Në një version tjetër thuhet:

اسْتَقَاءَ رَسُولُ اللهِ e فَأُتِيَ بِمَاءٍ فَتَوَضَّأَ.

“Kërkoi i Dërguari i Allahut (a.s.) ujë, dhe kur ia sollën mori abdes.”[6]

4. Aishja (r.a.) rrëfen se Fatimja, vajza e Ebu Hubejshit, kishte ardhur te i Dërguari (a.s.) dhe e kishte pyetur:

إِنِّي امْرَأَةٌ أُسْتَحَاضُ فَلاَ أَطْهُرُ أَفَأَدَعُ الصَّلاَةَ.

“O i Dërguar i Allahut, kam istihadë dhe nuk jam e pastër. A duhet ta lë namazin?” i Dërguari i Allahut (a.s.) iu përgjigj:

إنّما ذلك عرقٌ وليست بالحيضة، فإِذا أقبلت الحيضة فدعي الصَّلاة، وإذا أدبرت فاغسلي عنك الدَّم ثمَّ صلِّي.

Jo, është fjala për gjakrrjedhje të zakonshme dhe jo për pastrim menstrual, mirëpo kur të fillojë pastrimi mujor ndërprite kryerjen e namazit, e kur të përfundojë laje nga trupi tërë gjakun dhe pastaj falu.

Në një version tjetër thuhet:

ثُمَّ تَوَضَّئِي لِكُلِّ صَلاَةٍ حَتَّى يَجِيءَ ذَلِكَ الْوَقْتُ.

Pastaj merr abdes për çdo namaz gjersa të mos kalojë ajo kohë.[7]

عَنْ عَائِشَةَ أَنَّ أُمّ حَبِيبَةَ اسْتُحِيضَتْ، فأمَرَهَا النّبيّ صلى الله عليه وسلم أنْ تَنْتَظِرَ أيَّامَ أَقْرَانِهَا ثُمّ تَغْتَسِلُ وَتُصَلِّي فَإِنْ رَأَتْ شَيْئًا مِنْ ذَلِكَ تَوَضَّأَتْ وَصَلَّتْ

Aishja (r.a.) transmeton që Umi Habibja (r.a.) ka pasur gjakrrjedhje jashtë pastrimit mujor, andaj i Dërguari i Allahut (a.s.) i ka urdhëruar të presë aq ditë sa përndryshe zgjat pastrimit mujor, pastaj të lahet dhe të falet. Por nëse sërish vëren gjak, le të marrë abdes dhe të falet.[8]

Është obligim të merret abdes për gruan e cila ka gjakrrjedhje jashtë ciklit menstrual, mbase për shkak të asaj që bëhet fjalë për gjakrrjedhje venoze. Dalja e gjakut nga vena në tekstet ligjore theksohet si shkak për të cilin femra me istihadë mbetet pa abdes. Ndërsa kur ekziston shkaku që theksohet në tekstet ligjore, atëherë duhet të ekzistojë edhe dispozita e tij. Gjaku, i cili rrjedh nga plaga ose gjatë lëshimit të gjakut, gjithashtu, është gjak venoz dhe kjo gjë, po ashtu, e prish abdesin. Gjaku me qelb dhe qelbi janë gjak i ndryshuar, andaj kanë trajtim të njëjtë si edhe vetë gjaku.[9]

5. Ibn Omeri (r.a.) ka deklaruar:

إذاَ رَعَفَ الرَّجُلُ فيِ الصَّلاَةِ أَوْ غَلَبَهُ الْقَيْءُ، أَوْ وَجَدَ مَذْيًا، فَإِنَّهُ يَنْصَرِفُ فَلْيَتَوَضَّأْ، ثُمَّ يَرْجِعُ فَيُتِمُّ مَا بَقِيَ عَلَى مَا مَضَى، مَا لَمْ يَتَكَلَّمْ.

“Kur dikujt i rrjedh gjak nga hunda, ose vjell, ose ndien sekrecion (medhij), ai duhet ta lërë namazin dhe të marrë abdes, e pastaj të kthehet dhe ta vazhdojë faljen e namazit prej pjesës ku e ka kryer, nëse gjatë kësaj kohe nuk ka folur.”[10]

6. Aliu (r.a.) rrëfen:

إذاَ رَعَفَ الرَّجُلُ فيِ صلاته أوْ قَاءَ، فَلْيَتَوَضَّأْ وَلاَ يَتَكَلَّمْ، وَلْيَبْنِ عَلَى صَلاَتِهِ.

“Kur njeriut në namaz fillon t’i rrjedhë gjak nga hunda, ose të vjellë, le të marrë abdes duke mos folur asgjë, pastaj le ta vazhdojë namazin.”[11]

7. Ubejdullah ibn Omeri transmeton ta ketë parë Salim ibn Abdullahun duke falur një reqat të namazit të sabahut. E pastaj filloi t’i rridhte gjak nga hunda, andaj doli mori abdes, e mandej vazhdoi namazin për aq sa i kishte mbetur.[12]

Ngjashëm me këtë citohet edhe nga Se’id ibn el-Musejebi, Tavusi dhe El-Hasan el-Basriu.[13]

Lidhur me versionin për një ensariu, i cili ishte goditur me shigjetë në Betejë (Dhatur-Rika’) gjersa po falej, të cilin e kishte mbuluar gjaku, ndërsa ai bënte ruku, sexhde dhe kishte vazhduar të falej,[14] konkludojmë se bëhet fjalë për rast individual, i cili nuk ka karakter të përgjithshëm. Ky është veprim i një sahabiu. Ai, mbase, nuk e ka ditur si trajtohet gjaku i tillë. Kjo mund të pranohet edhe si rast i domosdoshmërisë për personin me arsyetim. Pastaj, gjaku i tij ka rënë në trup dhe rroba dhe me këtë namazi nuk është i drejtë.

Fjalët e Hasan el-Basriut: “Muslimanët janë falur gjithnjë me plagë”[15] mund t’i kuptojmë në atë mënyrë që, kur plaga rrjedh gjak, personi i tillë konsiderohet person me arsyetim dhe nuk i prishet abdesi nëse paraqitet gjaku. Në fjalët e El-Hasan el-Basriut, ndërkaq, nuk ka asgjë që do të aludonte në atë që ata janë falur gjersa gjaku u ka rrjedhur. Mund të ndodhë që janë falur me plagë të lidhura dhe mbështjella dhe në këtë rast me to nuk prishet namazi vetëm me paraqitjen e gjakut.

Abdesi prishet vetëm kur gjaku ose qelbi rrjedhin nga vendi i burimit në të cilin janë paraqitur. Nëse dikush edhe e gërvisht lëkurën dhe nën të paraqitet gjaku në një vend, por nuk përhapet, me këtë nuk prishet abdesi. Rrjedhja e gjakut nënkupton derdhjen e tij nga maja e plagës. Mirëpo, nëse ndalet në majë të plagës dhe nuk derdhet, kjo nuk do të konsiderohet rrjedhje.

Nëse nga fytyra hiqet një pikël dhe përmbajtja e saj derdhet nga maja e plagës, abdesi do të jetë i prishur. Mirëpo, nëse nuk derdhet – abdesi nuk është i prishur.

Nëse gjaku mblidhet në majë të plagës dhe e fshijmë atë, për shembull me pambuk, atëherë paraqitet sërish dhe sërish e fshijmë, ose vëmë pambuk në të, duhet të shikojmë nëse gjaku do të rridhte vetëm, sikur të mos i kishim vënë asgjë dhe të mos fshinim.

Nëse do të rridhte, abdesi prishet, e nëse jo – nuk do të prishet.

Krejt ajo që paraqitet nga plaga, e cila mbledh qelb tërë kohën, por nuk ka forcë të rrjedhë, ndërkaq që nëse mbi të vëmë fashë ose pambuk, kjo do ta thithte, abdesi nuk do të prishej, ngase nuk ka forcë që të rrjedhë.

Nëse personi i cili merr abdes e kafshon një mollë dhe në të vëren gjurmë gjaku, me këtë nuk do të humbej abdesi, siç nuk humbet edhe në rast të pastrimit të dhëmbëve me rrëmuese vëren gjak, ngase ky gjak nuk ka rrjedhur. Gjaku i cili del nga nofullat, nëse e mbizotëron pështymën dhe ajo bëhet e kuqe ose barazohet me të, do ta prishë abdesin. Mirëpo, nëse nuk e mbizotëron pështymën, nuk e prish abdesin.

Nëse gjaku derdhet në pjesën e butë të hundës, abdesi prishet, ose nëse del jashtë kanalit të dëgjimit. Mirëpo, nëse rrjedh brenda kanalit të dëgjimit ose ashtit të hundës atëherë nuk e prish.

Nëse fryhet dhe jashtë hundës del një pjesë e gjakut të terur, me këtë nuk prishet abdesi.

Dhënia e gjakut, qoftë edhe në sasi shumë të vogël, e prishë abdesin.

Ajo që rrjedh nga veshi, syri, kërthiza, hunda dhe sisa, nëse ndryshohet dhe i ngjason gjakut me qelb apo qelbit, do ta prishë abdesin, e nëse nuk ndryshohet, nuk e prish abdesin, pos nëse dihet se është paraqitur për shkak të ekzistimit të një arsyeje të caktuar (sëmundjeje).

Ai që ka ndezje të syrit e prish abdesin nëse i rrjedhin lot, ngase i ndryshohen vetitë e tij themelore.

Gjaku të cilin e thithin mizat dhe pleshtat nuk e prishin abdesin, për dallim nga ushunjëza, e cila e thith gjakun nga trupi i personit me abdes, duke e mbushur trupin e vet. Nëse prehet prej saj do të derdhet gjak. Në këtë rast abdesi është prishur.

Të vjellët e shumtë e prish abdesin, pavarësisht nëse vjellja është ushqim, ujë, apo gjak. Të vjellët në sasi të vogël nuk e prish abdesin. Kufiri i të vjellit të madh është me tërë gojën, në kuptimin që mund të ndalet vetëm me mund të madh.

Nëse janë më shumë të vjella të vogla me sasi të gojës plot, abdesi prishet. Kjo ndodh kur shkaku i vjelljes është një, siç është të pështirët dhe çrregullimet në stomak, ngase esencialisht dispozitat lidhen për modelet e veta.

Nëse dikush, pasi që ka ngrënë dhe pirë, vjell, do ta prishë abdesin. Ajo që del prej tij me atë rast konsiderohet e papastër, ngase është bashkuar me papastërti. Ekziston edhe një mendim tjetër, sipas cilit vjellja në këtë rast nuk e prish abdesin as konsiderohet papastërti, ngase nuk është ndryshuar, as është shndërruar në diç tjetër. Njësoj si në rastin kur foshnja e vjell menjëherë atë që e ka thithur. Mirëpo, qëndrimi i parë është më preciz, megjithatë janë dhënë fetva që ajo të cilën e vjell foshnja nuk është e papastër për femrën, nëse foshnja këtë e bën shpesh, ose nëse i paraqet vështirësi që ta pastrojë veshjen nga kjo vjellje, ngase ajo që është e vështirë falet.

Tre: Në aspektin juridik, abdesi do të prishet me gjumë të thellë. Për këtë flasin transmetimet vijuese:

1. Safvan ibn Assali (r.a.) thotë:

كَانَ رسول الله صلى الله عليه وسلم يَأْمُرُنَا إذَا كُنّا سَفْراً أَنْ لا نَنْزعَ خِفَافنَا ثَلاثةَ أَيّامٍ وَليَالِيَهُنّ إلاّ مِنْ جَنَابَةٍ، وَلَكِنْ مِنْ غَائِطٍ وَبَوْلٍ وَنَوْمٍ.

“I Dërguari i Allahut (a.s.), kur ndodheshim në udhëtim, na urdhëronte të mos i heqim mestet tri ditë e tri net, pos nëse jemi xhunubë, por jo edhe për shkak të nevojës së vogël e të madhe, ose gjumit.”[16]

2. Ibn Abasi, si merfu’, deklaron si vijon:

لَيْسَ عَلَى مَنْ نَامَ سَاجِدًا وُضُوءٌ حَتَّى يَضْطَجِعَ فَإِنَّهُ إِذَا اضْطَجَعَ اسْتَرْخَتْ مَفَاصِلُهُ

Ai që fle në sexhde nuk duhet ta përsëritë abdesin përderisa të mos shtrihet, ngase, kur të shtrihet, i lirohen nyjat.[17]

3. Aliu (r.a.), gjithashtu si merfu’, transmeton:

وِكاَءُ السَّهِ العَيْنَانِ، فَمَنْ نَامَ فَلْيَتَوَضَّأْ.

Kontrollorët e vrimës anale janë sytë, andaj kush fle duhet të marrë abdes.[18]

Kush fle i shtrirë apo i mbështetur në krah, do ta prishë abdesin, ngase shtrirja, mbështetja anash janë shkak i qetësimit dhe zakonisht nuk janë pa lëshim të gazrave. Për këtë arsye thuhet që abdesi fiktivisht prishet me gjumë, por jo faktikisht, ngase vetëm gjumi nuk e prish abdesin, por ajo që del nga njeriu gjatë kohës së gjumit.

Kur njeriu dremitet, ndërsa prapanica e tij është fort në tokë, abdesi nuk prishet, pavarësisht nëse është mbështetur në diçka ose jo. Nga Enesi (r.a.) transmetohet të ketë thënë:

كَانَ أَصْحَابُ رسولِ الله r يَنَامُونَ ثُمَّ يُصَلُّونَ وَلاَ يَتَوَضَّأُونَ.

“Sahabët e të Dërguarit të Allahut (a.s.) flinin, pastaj falnin pa marrë sërish abdes.”[19] Kjo ka të bëjë me situatën kur kanë fjetur ulur, e kjo konkludohet në bazë të fjalëve, të cilat theksohen në versionin tjetër:

كَانَ أَصْحَابُ رَسُولِ الله r عَلَى عَهْدِهِ يَنْتَظِرُونَ الْعِشَاءَ حَتَّى تَخْفِقَ رُؤُوسُهُمْ ثُمَّ يُصَلُّونَ وَلاَ يَتَوَضَّأُونَ.

“Në kohën e të Dërguarit të Allahut (a.s.), sahabët e tij e pritnin jacinë ashtu që koka u binte, pastaj faleshin, pa marrë sërish abdes.” Ndërsa koka i bie vetëm atij që fle ulur.

Kush fle pa u liruar, si kur është në këmbë, në ruku’ ose në sexhde, pavarësisht nëse ndodhet në namaz apo jashtë tij, nuk e prish namazin, ngase sikur të lëshohej do të rrëzohej përtokë. Kush fle pa u liruar nuk duhet ta përsërisë abdesin në bazë të hadithit, i cili është theksuar më sipër, e të cilin e transmeton si merfu’ Ibn Abasi.

لَيْسَ عَلَى مَنْ نَامَ سَاجِدًا وُضُوءٌ حَتَّى يَضْطَجِعَ فَإِنَّهُ إِذَا اضْطَجَعَ اسْتَرْخَتْ مَاصِلُهُ

Nuk duhet ta përsërisë abdesin ai që fle në sexhde përderisa të mos shtrihet, ngase, kur të shtrihet, i lirohen nyjat.

Nga Ebu Hurejre (r.a.) transmetohet të ketë deklaruar:

لَيْسَ عَلَى المحْتَبيِ النَّائِمِ وَ لاَ علىَ القَائِمِ النَّائِمِ وُضُوءٌ حَتَّى يَضْطَجِعَ فَإِذَا اضْطَجَعَ تَوَضَّأَ

“Ai që fle ulur dhe me këmbë të lidhura, në këmbë apo në sexhde nuk duhet ta përsërisë abdesin përderisa të mos shtrihet. E kur të shtrihet – duhet të marrë abdes.”[20]

Nëse fillon të rrëzohet personi i cili ka bërë gjumë që nuk e prish abdesin, duhet vënë re nëse i ka dalë gjumi pasi ka rënë në tokë dhe atëherë do ta përsërisë abdesin. Nëse është zgjuar para se të bjerë ose në kohën e rënies, atëherë nuk duhet ta përsërisë abdesin.

Vlen të theksohet që gjumi i të dërguarve (a.s.) nuk e prish abdesin.

عَنِ ابْنِ عَبَّاسٍ t أَنَّ النَّبِيَّ r ناَمَ حَتَّى نَفَخَ، ثُمَّ صَلَّى.

Nga Ibn Abasi (r.a.) transmetohet se i Dërguari (a.s.) kishte fjetur me frymëmarrje të thellë, e pastaj ishte falur.[21]

عنْ عَائِشَةَ رضي الله عنها أَنَّ رَسُولَ الله صلى الله عليه وسلم قَالَ: تَنَامُ عَيْنِي وَلاَ يَنَامُ قَلْبِي.

Aishja (r.a.) transmeton se i Dërguari (a.s.) kishte deklaruar: Sytë më flenë, por jo edhe zemra.[22]

Sipas shkaqeve për humbjen e abdesit, me gjumin ngjasojnë alivanosja dhe transi. Të dyja këto raste e prishin abdesin, edhe nëse zgjasin fare pak. Ato janë një shkallë më lart se gjumi, pasi që personi mund të zgjohet nga gjumi. Për dallim nga ai që është në gjendje të alivanosjes apo transit.

Me gjumë gjithashtu identifikohet edhe dehja. Kur dikush konsumon pije dehëse dhe dehet, ashtu që gjatë ecjes nuk mund ta mbajë drejtimin – e prish abdesin.

Katër: qeshja me zë e falësit të moshës madhore në namaz (që përbëhet nga ruku’i dhe sexhdeja) i prish abdesin dhe namazin, pavarësisht nëse bëhet me qëllim, duke ditur se është në namaz, apo nga harresa. Për këtë dëshmon transmetimi në të cilin thuhet se i Dërguari (a.s.) i kishte udhëhequr sahabët në namaz, kur kishte ardhur një i verbër, i cili kishte rënë në një gropë, e cila gjendej brenda xhamisë. Disa qeshën, madje edhe me zë (فَضَحِكَ بَعْضُ القَوْمِ حَتَّى قَهْقَهَ), andaj kur i Dërguari i Allahut (a.s.) përfundoi, i urdhëroi t’i përsërisin edhe abdesin edhe namazin.

Në një version tjetër thuhet:

مَنْ كَانَ قَهْقَهَ مِنْكُمْ فَلْيُعِدِ الْوُضُوءَ وَالصَّلاَةَ.

Cili prej jush ka qeshur me zë le t’i përsërisë edhe abdesin edhe namazin.[23]

Pasi që hadithi u pranua, nuk mund të thuhet se në xhaminë e të Dërguarit të Allahut (a.s.) nuk ka pasur pus, apo gropë, apo mbase namazi ka qenë edhe jashtë xhamisë.

As mund të thuhet se të qeshurit me zë nga ana e sahabëve, gjersa po faleshin me të Dërguarin (a.s.), është i pamundshëm, ngase në namaz pas të Dërguarit (a.s.) ka pasur një numër të madh hipokritësh dhe beduinësh.

Duhet theksuar se prishja e abdesit me të qeshur të zëshëm në namaz është e pranuar vetëm në medh’hebin hanefit, sepse te ta është pranuar hadithi, i cili bën fjalë për këtë. Numri më i madh, ndërkaq, shfrytëzon analogjinë e qartë, sipas cilës të qeshurit e zëshëm nuk e prish abdesin dhe e kritikojnë autenticitetin e hadithit.

Me të qeshur të zëshëm, me të cilin prishet abdesi, konsiderohet që e dëgjon ai që ndodhet pranë nesh në namaz.

Nuk e prish abdesin të qeshurit e zëshëm në namazin e xhenazes, as në kohën e kryerjes së sexhde-i tilavetit. Hadithi flet në mënyrë të përgjithësuar për namazin dhe ka të bëjë me namazet e zakonshme, të cilat janë me ruku’ dhe sexhde. Me analogji këtunuk mund të futen namazet e tjera, ngase kjo dispozitë është konfirmuar në kundërshtim me analogjinë, andaj me të edhe nuk mund të vendoset asgjë me analogji.

Theksojmë, gjithashtu, se abdesi nuk humbet me prekjen e organit seksual. Ky qëndrim vjen në bazë të transmetimit, në të cilin thuhet se dikush e kishte pyetur të Dërguarin (a.s.) nëse duhet ta përsërisë abdesin ai që në namaz e prek organin seksual, andaj i Dërguari (a.s.) kishte thënë:

لاَ إِنَّمَا هُوَ بِضْعَةٌ مِنْكَ.

Jo, ai është vetëm pjesë jotja.[24]

Është konfirmuar me siguri se disa sahabë kanë konsideruar se nuk duhet marrë abdes pas prekjes së organit seksual. Në mesin e tyre janë: Abdullah ibn Mes’udi, Abdullah ibn Abasi, Amar ibn Jasiri, Ali ibn Ebi Talibi, Hudhejfe, Imran el-Husajni, Sa’d ibn Ebi Vekasi, Ebu-Derda’ etj. (r.a.).[25]

Transmetimi në të cilin urdhërohet marrja e abdesit pas prekjes së organit seksual, siç është ai i Busra ibn Safvanit, ku thuhet se i Dërguari i Allahut (a.s.) kishte thënë:

مَنْ مَسَّ ذَكَرَهُ فَلْيَتَوَضَّأْ.

Kush e prek organin e vet seksual le të marrë abdes!,[26] e kuptojmë si veprim të preferuar të pastrimit, duke harmonizuar kështu argumente të ndryshme, ndërsa Allahu (xh.sh.) e di më së miri!

Nuk e prish abdestin as prekja e personit femër. Kjo argumentohet me si vijon:

1. Aishja (r.a.) transmeton se: i Dërguari i Allahut (a.s.) e kishte puthur një­rën prej grave të tij, e pastaj kishte shkuar për t’u falur, pa marrë sërish abdes.[27]

كَانَ يُقَبِّلُ بَعْضَ نِسَائِهِ ثُمَّ يَخْرُجُ إِلَى الصَّلاَةِ وَلاَ يَتَوَضَّأُ.

2. Aishja (r.a.) thotë:

فَقَدْتُ رَسُولَ اللهِ صلى الله عليه وسلم، ذَاتَ لَيْلَةٍ، مِنْ فِرَاشِهِ. فَالْتَمَسْتُهُ. فَوَقَعَتْ يَدِي عَلَى بَطْنِ قَدَمَيْهِ وَهُوَ فِي الْمَسْجِدِ. وَهُمَا مَنْصُوبَتَانِ، وَهُوَ يَقُولُ اللّهُمَّ! إِنِّي أَعُوذُ بِرِضَاكَ مِنْ سَخَطِكَ...

“U ngrit i Dërguari i Allahut (a.s.) një natë nga shtrati, ndërsa unë e kërkova me të prekur dhe dora më ra në shputat e tij vertikale. Ndodhej në xhami dhe bënte dua: Zoti im, kërkoj shpëtim në kënaqësinë Tënde nga hidhërimi Yt...[28]

3. Aishja (r.a.) tregon:

كَانَ النبي صَلَّى اللهُ عَلَيهِ وَسَلَّمَ يُصَلِّي بِاللَّيْلِ وأَنَا مُعْتَرِضَةٌ بَيْنَ يَدَيْهِ اعتراضَ الجنازَةِ حتىَّ إذا أراد أن يُوتِرَ مَسَّنِي بِرِجْلِهِ.

“I Dërguari i Allahut (a.s.) falej, kurse unë isha shtrirë pranë tij si i vdekuri në teneshir dhe kur dëshironte të falte namazin e vitrit më prekte me këmbë.”[29]

FIKHU HANEFI - Autor: [AbdulHamid Mahmud Tuhmaz] - Botuar nga Fondacioni i Rinise Islame

------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

[1] Kur’ani, Maide: 6.

[2] E transmetojnë Nesa’iu dhe Tirmidhiu, i cili e konsideroi autentik.

[3] E transmetojnë Ibn Maxhe dhe Ed-Darekutni. Hadithi është transmetuar me sened të lidhur (mevsul), por edhe si mursel. Transmetimin me sened të pakëputur e konsideroi autentik ez- Zejle’i, kurse mursel - Muhamed ibn Jahja ez-Zuheli, Ed-Darekutni dhe Ebu Hatemi. (I’laus-sunen, I, 82).

[4] E transmeton Darekutni me sened hasen.

[5] E transmeton Tirmidhiu në Sunenin e tij, ndërsa një të ngjashëm e shënoi, gjithashtu, Hakimi duke konsideruar se bëhet fjalë për hadith autentik.

[6] E transmeton Imam Ahmedi në Musnedin e tij.

[7] E transmeton Buhariu në Sahihun e tij, 228.

[8] E transmeton Ebu Davudi në Sunenin e tij.

[9] Më shumë shih në: I’la’us-sunen, I, 85.

[10] E transmeton Abdurrezaku me sened autentik.

[11] E transmeton Ibn Ebi Shejbe me sened autentik.

[12] Po aty.

[13] Për më shumë shih: El-Xhevherun-enkij, I, 141.

[14] Si mu’al-lak e shënoi Buhariu, kaptina Men lem jerel-vudu’e il-la minel-mahrexhejn… (Lidhur me atë që konsideron se abdest duhet marrë vetëm nëse diçka del nga njëra prej dy vrimave për sekrecion…)

[15] Po aty.

[16] Burimi i këtij hadithi është cituar më herët.

[17] E transmetojnë Ahmedi dhe Ebu Ja’la.

[18] E transmeton Ebu Davudi në Sunenin e tij.

[19] E transmeton Muslimi në Sahihun e tij, 376.

[20] E transmeton Bejhekiu.

[21] E transmeton Buhariu në Sahihun e tij, 138.

[22] E transmeton Buhariu në Sahihun e tij, 3569.

[23] E transmetojnë Abdurrezaku, Darekutni dhe Bejhekiu, me sened edhe mursel edhe të fortë, ashtu që nuk del jashtë shkallës së hadithit hasen. Si mursel me sened autentik e transmeton Ebul-Aliu, andaj duhet vepruar sipas këtij hadithi secili që versionin mursel e merr si argument. Për më shumë shih në: I’la’us-sunen, I, 96.

[24] E transmetojnë Ahmedi dhe autorët e suneneve. Autentik e konsideruan Tirmidhiu, Ibn Hibani, Ibnul-Medini, Amri el-Felasi dhe Ibn Huzejme.

[25] Për më shumë shih: I’la’us-sunen, I, 121-125.

[26] E transmetojnë autorët e suneneve, ndërsa autentik e konsideruan Tirmidhiu dhe Ibn Hibani.

[27] E transmetojnë Nesa’iu, Ibn Maxhe, Ed-Darekutni dhe El-Bezzari me anë të disa transmetimeve.

[28] E transmeton Muslimi në Sahihun e tij, 486.

[29] E transmeton Nesa’iu.

0 komente

No Comments!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*


Captcha

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Scroll To Top



Ligjëratë nga hoxhë Halil Avdulli (27.09.2014 - Vushtrri)

Mulla Idriz Gjilani - Halil Avdulli

Ligjëratë nga hoxhë Halil Avdulli (27.09.2014 - Vushtrri)