NËNAT E NDERSHME TË BESIMTARËVE

Pasi folëm për urtësinë e martesës së të dërguarit të Allahut s.a.v.s. me disa gra, tash do të flasim për nënat e ndershme e të pastra të besimtarëve, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë. Këto gra, Allahu i Madhërishëm i zgjodhi për të dërguarin e Tij të dashur, Muhamedin s.a.v.s. dhe i dekoroi këto gra me këtë nder të madh, nderin e të qenit bashkëshorte të të dërguarit të Allahut s.a.v.s., i zgjodhi nga elita e grave, i bëri nëna të besimtarëve në kuptim të domosdoshmërisë së respektimit dhe madhërimit të tyre dhe ndalesës së martesës me to pas vdekjes së të dërguarit të Allahut s.a.v.s. si respekt dhe nderim ndaj të dërguarit të Allahut, s.a.v.s. Allahu i Madhërishëm ka thënë:'' Pejgamberi është më i ndishëm ndaj besimtarëve se sa ata ndaj vetë vetvetes së tyre, ndërsa gratë e tij janë në vend të nënave të tyre ''; ''Juve nuk u takon ta mundoni të dërguarin e Allahut, e as të martoheni kurrë me gratë e tij, pas (vdekjes së) tij. Këto janë tek Allahu mëkat i madh ''.

Muhamed Ali Sabuni



Pasi folëm për urtësinë e martesës së të dërguarit të Allahut s.a.v.s. me disa gra, tash do të flasim për nënat e ndershme e të pastra të besimtarëve, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë. Këto gra, Allahu i Madhërishëm i zgjodhi për të dërguarin e Tij të dashur, Muhamedin s.a.v.s. dhe i dekoroi këto gra me këtë nder të madh, nderin e të qenit bashkëshorte të të dërguarit të Allahut s.a.v.s., i zgjodhi nga elita e grave, i bëri nëna të besimtarëve në kuptim të domosdoshmërisë së respektimit dhe madhërimit të tyre dhe ndalesës së martesës me to pas vdekjes së të dërguarit të Allahut s.a.v.s. si respekt dhe nderim ndaj të dërguarit të Allahut, s.a.v.s. Allahu i Madhërishëm ka thënë:'' Pejgamberi është më i ndishëm ndaj besimtarëve se sa ata ndaj vetë vetvetes së tyre, ndërsa gratë e tij janë në vend të nënave të tyre ''; ''Juve nuk u takon ta mundoni të dërguarin e Allahut, e as të martoheni kurrë me gratë e tij, pas (vdekjes së) tij. Këto janë tek Allahu mëkat i madh ''.

Imam Kurtubiju në tefsirin e tij ka thënë:”Allahu i Madhërishëm i nderoi gratë e të dërguarit të Tij me atë që i bëri nëna të besimtarëve në kuptim të domosdoshmërisë së madhërimit, bamirësisë, respektit dhe ndalimit të martesës me to. Kjo ka qenë respekt për të dërguarin e Allahut dhe nderim për ta”.





EMRAT E NËNAVE TË BESIMTARËVE-GRAVE TË TË DËRGUARIT TË ALLAHUT



Nënat e besimtarëve, pra gratë me të cilat u martua i dërguari i Allahut s.a.v.s. janë:



1-Hadixhe binti Huvejlid, r.a.

2-Seudete binti Zum’a, r.a.

3-Aishe binti Ebi Bekër, r.a.

4-Hafsa binti Omer, r.a.

5-Zejneb binti Xhahsh, r.a.

6-Zejneb binti Huzejme, r.a.

7-Ummu Sele-Hind binti Ebi Umejje El-Mahzumijje, r.a.

8-Ummu Habibe- Remle binti Ebi Sufjan, r.a.

9-Mejmune binti El-Harith El-Hilalije, r.a.

10-Xhuvejrije binti El-Harith, r.a.

11-Safijje binti Hujej ibn Ehteb, r.a.



1) Hadixhe binti Huvejlid, Allahu qoftë i kënaqur me të:Kjo ka qenë gruaja e parë që e martoi i dërguari i Allahut s.a.v.s. para se t’i shpallet se është pejgamber. Kur u martua me të, i dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte njëzetepesë vjet, ndërkaq Hadixheja ishte grua e vejë dhe kishte dyzet vjet. Fillimisht ka qenë e martuar me Ebu Halen, e pas tij është martuar me Atik ibn Aidhin, e pas tij u martua me të dërguarin e Allahut s.a.v.s.

I dërguari i Allahut s.a.v.s. e zgjodhi për grua Hadixhen për shkak se ishte e pjekur dhe shumë e mençur. Martesa e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. me këtë grua ishte e qëlluar dhe me vend, ngase ka qenë martesë e dy njerëzve të mençur, ndërkaq diferenca në moshë, nuk ka qenë pengesë për martesë marrë parasyshë faktin se kjo martesë nuk ka qenë thjesht për ta shfryrë epshin dhe për t’u kënaqur seksualisht, por ka qenë për një qëllim të lartë human. Allahu i Madhërishëm e zgjodhi Muhamedin s.a.v.s. për të dërguar të Vetin dhe e ngarkoi me kumtimin e shpalljes dhe rezistimin e vështirësive në rrugën e misionit islam, e Allahu i Madhërishëm ia dha atij këtë grua të ndershme e të devotshme, të mençur dhe inteligjente që t’i ndihmojë të dërguarit të Allahut s.a.v.s. që të ec pa u ndalur në rrugën e kumtimit të shpalljes dhe përhapjes së fesë. Kjo është gruaja e parë e cila i besoi të dërguarit të Allahut s.a.v.s. se është pejgamber i Allahut të Madhërishëm.

Për mençurinë dhe pjekurinë e saj flet edhe vetë ngjarja e ardhjes së Xhibrilit te i dërguari i Allahut s.a.v.s. për herë të parë në shpellën Hira. Kështu, kur i erdhi Xhibrili në shpellën Hira, i dërguari i Allahut s.a.v.s. u kthye te gruaja e tij duke u dridhur, hyri dhe i tha:”Më mbuloni, më mbuloni”. Kur i kaloi frika, këtë ngjarje ia tregoi Hadixhes dhe i tha:”U frikova për veten time”. Hadixheja i tha:”Sihariqo, se pasha Allahun, ty Allahu nuk të dëshpron asnjiherë ngase ti e respekton farefisin, e flet të drejtën, u përballon vështirësive, u jep nevojtarëve, e nderon mysafirin dhe e ndihmon atë që është e drejtë”. Hadithi është shënuar në të dy Sahihet.

I dërguari i Allahut s.a.v.s. i kaloi me Hadixhen vitet më të mira të rinisë së tij. Derisa ishte me të, nuk u martua me grua tjetër dhe as që e ka dashur ndonji grua tjetër si ajo. Bile, Aisheja r.a. e xhelozonte Hadixhen, edhe pse nuk e kishte parë dhe nuk kishte qenë së bashku me të në kurorë me të dërguarin e Allahut s.a.v.s. Bile, në një rast, kur i dërguari i Allahut s.a.v.s. e përmendi, ajo nuk mundti të durojë, por ndërhyri duke thënë:”Ajo ka qenë një grua në moshë në të kaluarën, e Allahu ta ka zavendësuar me një më të mirë se ajo”, aludonte në vetveten. Por, i dërguari i Allahut s.a.v.s. u hidhërua nga këto fjalë, dhe i tha:”Jo, pasha Allahun, Allahu nuk ma ka zavendësuar atë me nji tjetër ma të mirë. Ajo më besoi, kur tjerët mohonin, ajo më zuri besë, kur tjerët më përgënjeshtronin, ajo më ndihmoi me pasurinë e saj, kur tjerët më privonin nga pasuria, dhe Allahu më dha fëmijë me të, e jo me gratë tjera”. Aisheja ka thënë:”Pas kësaj, asnjëherë më nuk e kam përmendur me diçka të papëlqyeshme”.

Buhariu dhe Muslimi kanë transmetuar prej Aishes r.a. se ka thënë:”Nuk e kam xhelozuar asnjë nga gratë e të dërguarit të Allahut s.a.v.s., sikur që e kam xhelozuar Hadixhen, edhe pse kurrë nuk e kisha parë, por i dërguari i Allahut s.a.v.s. e përmendte shpesh, bile edhe therrte dele dhe mishin ua dërgonte shoqeve të Hadixhes. Ndodhte t’i thosha:”Sikur nuk ka patur në botë grua tjetër pos Hadixhes”, e ai thoshte:”Vërtetë ajo ka qenë, dhe me të vërtetë ka qenë grua me nam, unë me të kam patur fëmijë”.

Ajo jetoi me të dërguarin e Allahut s.a.v.s. njëzetepesë vjet, pesëmbëdhjetë vjet para shpalljes, dhe dhjetë vjet pas shpalljes. Deri sa qe me të, i dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk u martua me asnji grua tjetër, dhe të gjithë fëmijët, me përjashtim të djalit Ibrahim, i ka patur me të. Kur u transferua Hadixheja r.a. në botën tjetër, i dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte mbushur pesëdhjetë vjet. Deri në këtë kohë, i dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk u martua me grua tjetër, vetëm pas vdekjes së saj, i dërguari i Allahut s.a.v.s. morri gra tjera për shkaqe të caktuara, disa nga të cilat përmendëm më parë.



2) Seudete binti Zum’a: I dërguari i Allahut s.a.v.s. u martua me Seudeten pas vdekjes së Hadixhes e cila ishte grua e vejë, kishte qenë e martuar me Sekran ibn Amër El-Ensarijun. I dërguari i Allahut s.a.v.s. e martoi Seudeten, edhe pse ishte ma e moshuar se i dërguari i Allahut s.a.v.s., ngase ajo ishte prej besimtarëve të cilat emigruan, e pas kthimit të saj prej emigrimit të dytë në Abisini, vdiq burri i saj dhe ajo ngeli e vetmuar, pa ndihmës dhe mbrojtës, e sikur të kthehej te familja, ata do ta detyronin të kthehet në idhujtari, apo do ta ndëshkonin me ndëshkime të rënda që ta venë në sprovë përkatësinë e saj fetare. Nisur nga kjo, i dërguari i Allahut s.a.v.s. vendosi që të përkujdeset për të, për këtë edhe e martoi. Ky veprim tregon kulminacionin e mirësisë dhe respektit ndaj saj për besimin dhe sinqeritetin e saj ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij.

E sikur të kishte qenë qëllimi i të dërguarit të Allahut s.a.v.s. kënaqja e epshit, sikur që pandehën orientalistët shpifës, ai do të ikte prej kësaj grua e cila kishte mbushur plotë pesëdhjetëepesë vjet, e në vend të saj do të merrte ndonjë femër të re. Por, i dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte shembulli ma i lartë në fisnikëri, ndihmë dhe ndershmëri, për atë edhe me martesën e kësaj gruaje nuk deshi tjetër pos ta mbrojë dhe të përkujdeset për të, që të mbetet nën mbrojtjen dhe mbikëqyrjen e tij.



3) Aishe binti Ebi Bekër: Kjo qe gruaja e vetme beqare me të cilën u martua i dërguari i Allahut s.a.v.s., pos saj, asnjë nga bashkëshortet e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. nuk ka qenë beqare. Aisheja ka qenë gruaja më e zgjuar e të dërguarit të Allahut dhe më e fuqishme në mbamendje, bile ka qenë ma e ditur edhe prej shumë burrave. Shumë nga dijetarët e mëdhej prej sahabeve, e pyetnin për shumë çështje që ishin të paqarta për ta, e ajo ua sqaronte. Është transmetuar prej Ebu Musa El-Esha’rijut se ka thënë:”Ne, shokët e të dërguarit të Allahut s.a.v.s., sa herë që kishim të paqartë ndonji hadith, e pyetnim Aishen r.a., e ajo çdo herë na sqaronte gjërat që na shkaktonin problem”.

Ebu Ed-Duha ka përcjellur pej Mesrukut se ka thënë:”I kam parë shokët e mëdhej të të dërguarit të Allahut s.a.v.s. duke e pyetur për çështjet fetare”.

Urve ibn Zubejri ka thënë:”nuk kam parë grua më të ditur se Aisheja në mjekësi, jurisprodencë dhe poezi”.

Kjo është realitet, e këtë realitet e vërtetojnë edhe vetë koleksionet e hadithit të cilat flasin për njohuritë e thella të Aishes r.a., për memorjen dhe aftësitë e saj të larta. Asnjë burrë, me përjashtim të Ebu Hurejres dhe Abdullah ibn Omerit, nuk kanë transmetuar hadithe ma shumë se Aisheja r.a.

I dërguari i Allahut s.a.v.s. e donte Aishen ma tepër se gratë tjera, por në ishite i drejtë ndaj të gjithave në ndarjen e e ditëve të qëndrimit me to dhe gjërat tjera që kishin të bëjnë me mirëmbajtjen materiale. I dërguari i Allahut s.a.v.s. thoshte:”O Allah, kjo është ndarja ime e drejtë në atë që kam mundësi ta bëj, e mos ma quaj mëkat nëse nuk e bëj atë që nuk kam mundësi ta kontrolloj”.

Kur u shpall ajeti që u jepte të drejtë grave të të dërguarit të Allahut s.a.v.s. të zgjedhin ndërmjet qëndrimit me të dërguarin e Allahut apo ndarjen prej tij, i dërguari i Allahut s.a.v.s. filloi me Aishen dhe i tha:”Unë do të them diçka, por ti mos shpejto të përgjigjesh derisa ta konsultosh babain tënd”. Aisheja ka thënë:”E dinte se prindërit e mi nuk do të më urdhërojnë që të ndahem prej tij”, dhe ia lexoi ajetin:''O ti Pejgamber, thuaju grave tuaja:Në qoftë se lakmoni jetën e kësaj bote dhe stolitë e saj, atëherë ejani:unë po ju jap furnizim (për lëshim) dhe po ju lëshoj ashtu si është e rrugës ''. Aisheja ia ka thënë:”A për këtë çështje të kërkoj mendimin e prindërve të mi?! Unë vërtetë e dua (zgjedhi) Allahun, të dërguarin e Tij dhe botën tjetër”.

Së këtejmi, miqësimi i të dërguarit të Allahut s.a.v.s. me Ebu Bekrin përmes martesës së Aishes r.a., ka qenë nderi dhe mirësia më e madhe për të në këtë botë, si dhe ka qenë mënyra më e mirë për përhapjen e sunetit të tij, vlerave të tij si bashkëshort dhe dispozitave ligjore islame, në veçanti ato që u referohen grave.



4) Hafsa binti Omer: Kjo ishte grua e vejë kur u martua me të dërguarin e Allahut s.a.v.s. Burri i saj Hunejs ibn Hudhafe ra dëshmor në betejën e Bedrit pasi që luftoi si luan. Ishte prej trimave të rrallë të cilët treguan heroizëm të madh në luftëra dhe ngelën të shkruar në fletët e historisë për trimërinë, heroizmin dhe xhihadin e dalluar.

Omeri r.a. ia ofroi Hafsën për martesë Othmanit r.a., pasi i vdiq gruaja e tij Rukaja, vajza e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. Por, në fund me të u martua i dërguari i Allahut s.a.v.s., gjë që qe nder, mirësi dhe respekt ma i madh për babain e saj Omer ibn Hattabin r.a.

Imam Buhariu ka transmetuar prej Abdullah ibn Omerit se kur Hafsa ka mbetur e vejë, Omeri ka shkuar te Othmani dhe i ka thënë:”Si të duash, ta japë Hafsën për grua?” Othmani i ka thënë:”Do të mendohem pak dhe do të tregoj”. Kaluan disa ditë, dhe Othmani i tha:”Më thotë diçka që mos të martohem me Hafsën”. Më pas, Omeri këtë ofertë ia ka bërë edhe Ebu Bekrit dhe i ka thënë:”Nëse don, ta japë Hafsën për grua?” Por, Ebu Bekri ka shuajtur. Pas disa ditësh, Hafsën e kërkoi i dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe Omeri e martoi për të. Omeri ka thënë:”Më pas, më takoi Ebu Bekri dhe më tha:”Ndoshta u preke me mua kur ma ofrove Hafsën për martesë, e unë nuk të ktheva përgjigje?” Unë i thashë:”Po, u preka” Më tha:”Asgjë nuk më pengoi që të ta kthejë përgjigjen pozitivisht, por mora vesh se i dërguari i Allahut s.a.v.s. e kishte përmendur për vete, për atë edhe nuk desha ta zbuloj sekretin e tij. Po të mo e kishte martuar ai, do e martoja unë”.

Kjo është vendosmëria e vërtetë, bile kjo është burrnia e vërtetë e cila manifestohet në veprimin e Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të. Ai deshi ta mbron nderin e vet, për atë edhe nuk e konsideronte nënçmim që t’ia ofrojë bijën e vet një njeriu të mirë, ngase martesa është mënyra ma e mirë për formimin e një shoqërie të shëndoshë. E ku jemi ne sot në krahasim me këta kolosë. Sot muslimanët kanë deficit të madh në njohjen e parimeve islame, ndërkaq Islami është i bukur dhe shkëlqen. Muslimanët e sotëm i lënë vajzat e veta pa martesë derisa të vjen t’i kërkon ndonjë person që ka pasuri dhe çon jetë luksoze.



5) Zejneb binti Huzejme: Zejnebeja mbeti e vejë pasi vdiq burri i saj i cili qe një hero i madh që ra dëshmor në dyluftimin e parë që ndodhi në betejën e Bedrit, Ubejde ibn El-Harith, Allahu qoftë i kënaqur me të. Kur i ra dëshmor burri, Zejnebeja ishte e angazhuar me ofrimin e ndihmës për të plagosurit dhe lidhjen e plagëve, e vrasja e burrit nuk e ndaloi nga kryerja e kësaj detyre. Vazhdoi ta kryej këtë detyrë me përgjegjësi derisa Allahu u mundësoi besimtarëve fitore në këtë betejë të parë kundër idhujtarëve. Kur kuptoi i dërguari i Allahut s.a.v.s. për durimin, vendosmërinë dhe xhihadin e saj, dhe se nuk ka kush kujdeset për të, e kërkoi për martesë dhe e mori në mbrojtje të tij. Me këtë, i dërguari i Allahut s.a.v.s. bëri për te një satisfaksion pasi mbeti pa mbështetës dhe ndihmues.

Dijetari i shquar Muhamed Mahmud Es-Savaf në traktatin e tij të shkëlqyeshëm me titull “Gratë e ndershme të të dërguarit të Allahut”, pasi që e përmend rrëfimin i rënies dëshmor të burrit të Zejnebes, dhe mësimet e shembullin e lartë që duhet të merret nga kjo ngjarje, thotë:”Kur e martoi i dërguari i Allahut s.a.v.s., ajo kishte mbushur gjashtëdhjetë vjet. Ajo qëndroi me të dërguarin e Allahut s.a.v.s. si bashkëshorte e tij vetëm dy vjet, më pas vdiq. E tash, të pyes:Çka mendojnë gënjeshtarë për këtë martesë të ndershme dhe qëllimin e saj fisnik? A gjejnë në të diçka nga gënjeshtrat që i sajuan e thurrën shpifësit? A gjejnë në këtë martesë ndonji tregues që flet për epsh dhe pasione? Apo kjo martesë në fakt është simbol i fisnikërisë, ndershmërisë, madhështisë, mëshirës dhe mirësisë së pejgamberit më të madh të njerëzimit, i cili erdhi mëshirë për botërat.

Për këtë, orientalistët që nxitin urrejtje, le t’i kthehen arsyes e le ta kenë droe Krijuesin, le të jenë besnik në shkencë e mos e tradhtojnë shkencën për qëllime të flliqta. Ata i kanë studiuar shkencat islame vetëm për të shkaktuar huti, për të bërë propaganda, dredhi dhe për ta fyer të zotëriun e gjithë njerëzimit, Muhamedin s.a.v.s.”



6) Zejneb binti Xhahsh: Zejnebeja para se të martohet me të dërguarin e Allahut s.a.v.s., ka qenë e martuar me Zejd ibn Harithen, i cili e shkurorëzoi. I dërguari i Allahut s.a.v.s. u martua me Zejneben për një urtësi madhore, gjegjësisht me këtë ishte për qëllim që të asgjësohet një risi e shpikur nga koha e injorancës, gjegjësisht adoptimin e fëmijëve.

Disa orientalistë të mllefosur e të disponuar kundër Islamit dhe të dërguarit të Allahut, si dhe disa bishta të tyre nga njerëzit e llojit tonë, këtë ngjarje e morrën si alibi për ta akuzuar të dërguarin e ndershëm e të çiltër të Allahut, Muhamedin s.a.v.s. e të shfaqin dyshime dhe të thurrin të pavërteta kundër tij, për shkak të disa transmetimeve apokrife që janë përcjellur nga hebrejt dhe krishterët, e që për fat të keq gjinden në disa libra të tefsirit.

Ata kanë pretenduar se i dërguari i Allahut s.a.v.s. paska shkuar te shtëpia e Zejdit derisa ai nuk ka qenë prezent aty, dhe e ka parë Zejnebin. Me të parë, i ka hyrë në zemër dhe është dashuruar në të, dhe ka thënë:”Qoftëlartësuar nga të metat Allahu që i dirigjon zemrat si të don”. Këto fjalë i paska dëgjuar Zejnebi dhe kur ka ardhur burri i saj i ak treguar se çka kishte dëgjuar prej të dërguarit të Allahut s.a.v.s. Zejdi e kishte kuptuar se gruaja e tij i kishte hyrë në zemër të dërguarit të Allahut, s.a.v.s., për këtë edhe kishte shkuar te ai dhe i kishte thënë se don ta shkurorëzoj gruan. I dërguari i Allahut i paska thënë:”Mbaje gruan tënde”, ndërkaq në zemër ka fshehur diçka tjetër. Kështu, Zejdi e shkurorëzoi me qëllim që me të të martohet i dërguari i Allahut s.a.v.s.

Ibn El-A’rebiju në tefsirin e tij “Ahkamu-l-Kur’an e demanton këtë akuzë të pabazë e thotë:”Pretendimi i tyre se i dërguari i Allahut s.a.v.s. e ka parë Zejnebin dhe i ka hyrë në zemër, është i pabazë, ngase ai me të ka qenë gjatë gjithë kohës dhe në çdo vend atëherë kur Zejnebi nuk ka patur mbulesë. Për atë, pyesim:Si mundet që të kenë jetuar në një vend dhe pranë njëri-tjetrit, ta ketë patur para syve në çdo kohë dhe mos t’i ketë hyrë në zemër, e pasi është martuar, atëherë t’i ketë hyrë në zemër?! Ajo ia dhuroi veten, e nuk pati përgjigje pozitive, atëherë si mundet që t’i jetë përtrirë për te një ndjenjë që nuk e ka patur?! Jo, ajo zemër e pastër ka qenë larg çdo mundësie që të ketë një lidhje të këtillë jo të ndershme me atë grua. Allahu i Madhërishëm i ka thënë të dërguarit të Tij, s.a.v.s.:''Dhe mos ia ngul sytë bukurisë së kësaj jete me të cilën i bëmë të kënaqen disa prej tyre (mosbesimtarë), e për t’i sprovuar me të...''. Imam Ibn El-A’rebiju i shqyrtoi të gjitha transmetimet apokrife të përcjella nga ithtarët e librit për çështjen në fjalë, dhe sqaroi se të gjitha janë jo të sakta.

Poqese kalimthi i bëjmë një vështrim historisë së Zejnebit dhe rrethanave të martesës së saj me Zejdin, do të bindemi se marrëdhëniet e ftohura bashkëshortore ndërmjet Zejnebes dhe Zejdit kanë lindur si rezultat i dallimeve të tyre në aspektin social. Zejnebeja ka rrjedhur nga një familje fisnike dhe ishte me autoritet, ndërkaq Zejdi kishte qenë rob. Allahu i Madhërishëm deshi ta sprovojë Zejnebin me martesën e Zejdit për ta mposhtur fanatizmin fisnor dhe autoritetin e ndërtuar mbi parime injorante. Islami autoritetin e ndërtoi mbi fe dhe devotshmëri. Kështu, i dërguari i Allahut s.a.v.s. kur i propozoi Zejnebit që të martohet me Zejdin, ajo u ndalua dhe nuk pranoi për shkak krenarisë së prejardhjes familjare dhe autoritet. E kur u shpallën fjalët e të Lartmadhërishmit:'' Kur Allahu ka vendosur për një çështje, ose i dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfare. E kush kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, ai është larguar shumë larg së vërtetës (36)'' , Zejnebeja e pranoi propozimin e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe ia dorëzoi Zejdit trupin por jo edhe ndjenjat, gjë që për të ishte e dhimbshme dhe e vështirë.

I dërguari i Allahut s.a.v.s. e njihte Zejnebin prej vegjëlie, dhe asgjë nuk e pengonte që ta martojë. Për atë, si është e mundur që një person t’ia propozojë një femër beqare një personi tjetër, e pasi ta martojë ai e të bëhet e vejë, të dashurohet në te?!

Vërtet, ata janë njerëz që nuk mendojnë drejtë, ata llomotisin për gjëra që nuk i njohin dhe thurrin të pavërteta e shpifje kundër të dërguarit të Allahut s.a.v.s. Poashtu, shih sa të marrë që janë. Thonë se Muhamedi s.a.v.s. e fshehi dashurinë ndaj Zejnebit, për këtë edhe u nqortua. Po a merret me mend një trillim i këtillë? A qortohet njeriu pse nuk e ka shprehur haptazi dashurinë ndaj gruas së fqiut? Qoftë lartësuar Allahu, vërtet kjo është shpifje e madhe. Ajeti është shumë i qartë dhe shumë konkret përkitazi me këtë çështje. Në ajet përmendet pa ekuivoke se Allahu do ta nxjerr në shesh atë që e ka fshehur i dërguari i Tij:'' e ti e mbaje fshehtë në veten tënde atë që Allahu do ta zbulojë ''. E Allahu i Madhërishëm çka zbuloi në këtë rast? A e zbuloi dashurinë dhe lakminë e të dërguarit të Tij për Zejnebin? Assesi, nuk ndodhi diçka e tillë, por Allahu e zbuloi dëshirën e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. për ta çuar në vend urdhërin e Allahut duke u martuar me Zejnebin që ta asgjësojë adoptimin e fëmijëve si zakon të xhahilijetit. Por, i dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte rezervë dhe droe se hipokritët do të flasin dhe do të thonë:”Muhamedi e ka marrur gruan e djalit të vet”. Së këtejmi, Allahu i Madhërishëm e përmendi qartë atë që e kishte fshehur i dërguari i Tij duke thënë:'' e për të mos pasur besimtarët vështirësi (mëkat) në martesë me gratë e të adoptuarëve të tyre, kur ata heqin dorë prej tyre''.

Në këtë mënyrë u hodhën poshtë si të pabaza pretendimet e shpifësve dhe u mposhtën para argumenteve dhe fakteve të qarta bindëse të cilat dëshmojnë për mbrojtjen e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. nga devijimi dhe për pastërtinë e tij nga ajo me të cilën e kanë etiketuar gënjeshtarët shpifës.



7) Hind Ummu Seleme El-Mahzumije: Para se të martohet me të dërguarin e Allahut, s.a.v.s., Ummu Seleme ka qenë e martuar për Abdullah ibn Abdu-l-Esedin, i cili qe prej të parëve të cilët e pranuar Islamin. Ky emigroi në Abisini bashkë me bashkëshorten e tij Hindin që ta mbrojnë fenë, dhe në atë kohë atyre u lindi Seleme. Abdullahu ra dëshmor në betejën e Uhudit, ashtu që gruaja Hindi ngeli bashkë me katër bonjakë pa mbrojtje dhe përkujdesje. I dërguari i Allahut s.a.v.s. e pa se mënyra ma e mirë për ta satisfaksionuar atë dhe për t’u ofruar përkujdesje bonjakëve të saj ishte martesa me të. Kur e kërkoi që të martohet, ajo nuk iu përgjigj menjëherë, por u arsyetua duke i thënë:”Unë jam në moshë, kam bonjakë në mbrojtje, a jam edhe tepër xheloze”. Por, i dërguari i Allahut s.a.v.s. ia ktheu përgjigjen duke e dërguar një person që t’i thotë:”Për bonjakët, unë i marrë në përkujdesje, dhe e lus Allahun që ta largojë xhelozinë prej zemrës tënde, e mosha nuk është me rëndësi”. Pasi dha pëlqim Hindi, i dërguari i Allahut s.a.v.s. e martoi, u përkujdes për edukimin e fëmijëve të saj, i pranoi me zemërgjerësi ashtu që ata nuk e vërenin mungesën e babait, ngase ai u bë për ta një baba ma i mëshirshëm se babai i tyre që i kishte lindur.

Kjo nënë e besimtarëve rridhte nga një familje me prestigj, kishte prejardhje fisnike, ishte ndër të parat që e pranuan Islamin, e krahas këtyre benefiteve, ajo dallohej edhe me “mendimet e qëlluara”. Sa për ilustrim do ta përmendim rastin e Hudejbijes, kur i dërguari i Allahut s.a.v.s. e konsultoi për një nga çështjet e bashkësisë muslimane që më së tepërmi e brengosën dhe e preokupuan. Muslimanët u prekën shumë me marrëveshjen që u bë me idhujtarët në Hudejbije ngase duhej lënë lufta për dhjetë vjet sipas kushteve të parashtruara. Ata këtë e panë si shkelje të të drejtave të tyre në kohën kur ishin në kulm të fuqisë dhe madhështisë. Si rezultat i kësaj pakënaqësie me këtë marrëveshje, ata hezituan në zbatimin e urdhërit të të dërguarit të Allahut s.a.v.s. për rruajtjen apo shkurtimin e flokëve me qëllim që të kthehen në Medine. Asnjë nga prezentët nuk e zbatuan këtë urdhër të të dërguarit të Allahut s.a.v.s., e i dërguari i Allahut s.a.v.s. i brengosur shkoi te gruaja e tij Ummu Seleme dhe i tha:”U shkatërruan njerëzit, i urdhërova, por asnjë nuk e çoi në vend urdhërin”. Mirëpo, gruaja e tij i sugjeroi që ai vetë të del deh ta rruan kokën para tyre, dhe i tha se është e bindur se atëherë asnjë nuk do të hezitojë ta çojë në vend urdhërin e tij ngase do ta kuptojnë se ky është urdhër përfundimtar dhe nuk ka kthim prej tij. Kështu edhe ndodhi. Posa doli i dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe e urdhëroi qethësin që t’ia rruaj kokën, të gjithë vrapuan ta zbatojnë urdhërin e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. I rruajtën kokat e tyre dhe e u liruan nga ihrami i Umres. Pra, ky veprim qe me sugjerimin e nënës së besimtarëve Ummu Selemes, Allahu qoftë i kënaqur me të.



8) Ummu Habibe-Remle binti Ebi Sufjan: I dërguari i Allahut s.a.v.s. u martua me të në vitin e shtatë të hixhretit. Kjo kishte qenë e martuar për Ubejdullah ibn Xhahshin, por duke qenë në Abisini, Ubejdullahu vdiq, e Ummu Habibe mbeti e vejë. Mbreti i Abisinisë Nexhashiu e martoi Ummu Habiben për të dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe i dha dhuratë kurore në vend të të dërguarit të Allahut s.a.v.s. katër mijë dirhem argjendi. Ai e dërgoi Ummu Habiben në Medine me Sherhabil Hasenen. Për urtësinë e martesës së të dërguarit të Allahut s.a.v.s. me këtë grua folëm më herët.



9) 10) Xhuvejrije binti El-Harith: Xhuvejrija ishte bija e El-Harith ibn Dirarit, të parit të fisit Beni Mustalik. Kishte qenë e martuar për Musafië ibn Safvanin i cili u vra në betejën e Murejsijes. Ky e la pas vete Xhuvejrijen e cila u morr peng nga muslimanët. Burri i saj ishte prej armiqve të përbetuar të Islamit dhe kundërshtarëve më të mëdhej të të dërguarit të Allahut s.a.v.s. Ne më parë, kur folëm për urtësinë politike, e zum në gojë urtësinë e martesës së të dërguarit të Allahut s.a.v.s. me të si dhe me Safije binti Hujej ibn Ehteb.



10) Safije binti Hujej: Për urtësinë e martesë së të dërguarit të Allahut me te, folëm më herët, kur e sqaruam urtësinë politike të martesës së të dërguarit të Allahut s.a.v.s. me ma shumë gra.



11) Mejmune binti El-Harith:Kjo ka qenë gruaja e fundit me të cilën u martua i dërguari i Allahut s.a.v.s. Me këtë emër e quajti vetë i dërguari i Allahut s.a.v.s. Aisheja r.a. për të ka thënë:”Për sa i përket Mejmunes, ajo ka qenë më e devotshmja nga ne dhe më e vëmendshme ndaj hakur të farefisit. Kjo ishte vejusha e Ebu Rehm ibn Abdu-l-Uza-së.

Është përmendur se Abasi i propozoi të dërguarit të Allahut s.a.v.s. që të martohet me te.

Besoj se është e qartë se martesa e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. me te ka qenë për të treguar mirësi, respekt dhe mirënjohje ndaj familjes së Mejmunes, ngase ata e mbështetën dhe e ndihmuan të dërguarin e Allahut s.a.v.s.



PËMBYLLJE



Me këtë dhamë një pasqyrë të shkurtër për nënat e besimtarëve-gratë e pastra e të ndershme të të dërguarit të Allahut s.a.v.s., të cilat Allahu i nderoi me atë që ua mundësoi ta shoqërojnë të dërguarin e Tij, i bëri nëna të besimtarëve dhe iu drejtua me fjalët:''O gratë e Pejgamberit, ju nuk jeni si asnjë grua tjetër, nëse keni kujdes e ruheni, andaj mos u llastoni në të folur e të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij, po thuani fjalë të matura (32)''. I dërguari i Allahut s.a.v.s. u martua me to për shumë shkaqe dhe urtësi, e morri parasyshë interesin e fesë dhe legjislacionit, deshi që në këtë mënyrë t’i zbusë dhe përfitojë zemrat e njerëzve, dhe vërtetë arriti që t’i tubojë rreth vetes fiset e mëdha dhe familjet fisnike.

Të gjitha gratë e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. kanë qenë të veja, me përjashtim të Aishes r.a. I dërguari i Allahut s.a.v.s. u martua me ma shumë gra pas emigrimit, në vitin kur filluan luftërat në mes muslimanëve dhe idhujtarëve, kur u shtua vrasja dhe luftimet, gjegjësisht prej vitit të dytë të hixhretit e deri në vitin e tetë kur muslimanët arritën fitore të plotë.

Në martesën e çdo njërës nga gratë e tij, ne pamë argument të qartë për fisnikërinë, bujarinë, qëllimet madhore dhe bamirësinë e të dërguarit të Allahut s.a.v.s., për dallim të gënjeshtrave të shpifësve nxitës që i thurrin për këtë çështje. Për atë, sikur të kishin qenë këto martesa rezultat i dominimit të epshit dhe kënaqësive seksuale mbi të dërguarin e Allahut s.a.v.s., atëherë ai do të ishte martuar në rini, bile do të ishte martuar me femra të virgjëra. Por, urrejtja dhe mllefi i zi që i ka sunduar zemrat e orientalisëtve perëndimor ka bërë që ata mos e shohin dritën e të vërtetës që shkëlqen. I Lartmadhërishmi e ka thënë të vërtetën:'' Përkundrazi, Ne të pavërtetën e godasim me të vërtetën dhe ajo (e vërteta) triumfon mbi të ndërsa ajo (gënjeshtra) zhduket. E juve (jobesimtarëve) u takon shaktërrimi, për atë që i përshkruani (18)'' .



Prej arabishtes:Mr.Bashkim Aliu



1. El-Ahzabë: 53.

2. El-Xhami’ë li ahkami-l-Kur’an, vëll.XIV, f.166.

3. Hadithin e kanë shënuar:Buhariu, vëll.VII, f.102, Muslimi, nr.2434 dhe Tirmidhiju, nr.3885.

4. Hadithin e ka shënuar Tirmidhiju, nr.3877, dhe ka thënë:Ky është hadith I grades “hasenun sahihun garibun”(I mire, autentik, i panjohur).

5. El-Ahzabë: 28.

6. Hadithin e ka shënuar Buhariu. Shih transmetimet e plota në:Ibn Kethir, Tefsiru-l-Kur’ani-l-a’dhim, vëll.III, f.488.

7. TaHa: 131.

8. Ibn El-A’rebij, Ahkamu-l-Kur’an, vëll.III.

9. El-Ahzab:36.

10. El-Ahzabë: 32.

11. El-Enbija: 18.

12. Konsulto:Kurtubiju, El-Xhami’u li ahkami-l-Kur’an, vëll.XIV, El-Elusi, Ruhu-l-mea’ni, vëll.XXII, Ibn El-A’rebij, Ahkamu-l-Kur’an, si dhe lexo traktatin eprof.Muhamed Mahmud Es-Savaf “Gratë e pastra të të dërguarit të Allahut”.

komente

Scroll To Top

Sulejman Rustemi - Sprovat e kësaj bote





Sulejman Rustemi - Sprovat e kësaj bote

Sulejman Rustemi - Sprovat e kësaj bote