Pyetje dhe përgjigje të ndryshme, përgjigjet Mr. Bashkim Aliu ( 20 )

PYETJA: Përshendetje, Hoxhë i nderuar kam shum pyetje qe me sillen në mendje, por një që me brengos është.... A lejohet me u martu me një femër jo virgjine... Selam alejkum Allahu ju ruajt?

Pyetje dhe përgjigje të ndryshme, përgjigjet Mr. Bashkim Aliu

PYETJA: Përshendetje, Hoxhë i nderuar kam shum pyetje qe me sillen në mendje, por një që me brengos është.... A lejohet me u martu me një femër jo virgjine... Selam alejkum Allahu ju ruajt?

PËRGJIGJA:

Çdo njeri duhet të jetë i vetëdijshëm dhe ta kuptojë seriozitetin e martesës. Njeriu kur martohet, hynë në një periudhë të re të jetës së vet, ku tash më nuk është individ i cili e ka preokupim vetëm vetveten, por ka rolin e të parit të familjes e cila mvaret nga ai. Me martesë, ngritet qeliza bazë e shoqërisë-familja. Nga ajo se si do të edukohet familja, mvaret edhe mirëqenia në shoqëri, e për të patur një familje të edukuar dhe të ndërtuar në baza të shëndosha, duhet patur kujdes që të zgjedhim femër dinjitoze dhe të ndershme, për t’u bërë zojë e shtëpisë dhe nënë e fëmijëve, në veçanti edukatore e sukseshme e fëmijëve. Nisur nga kjo, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në një hadith të tij ka treguar se gruaja martohet për katër gjëra:pasurinë, bukurinë, autoritetin familjar dhe fenë. Por, na ka mësuar që ta zgjedhim atë femër e cila është e moralshme dhe fetare, apo na ka porositur që ta zgjedhim femrën për shkak fesë, ngase në këtë mënyrë do të formohet bazë e shëndoshë për edukimin e fëmijëve dhe ngritjen e një familje shembull.

Kjo hyrje e shkurtër ishte e nevojshme, dhe është e lidhur në një mënyrë me pyetjen tuaj. Kjo, ngase përgjigja e pyetjes suaj, nga aspekti i të drejtës islame është se:Po, lejohet që një musliman të martohet me një femër jo të virgjër. Niqahi ndërmjet një beqari dhe një femre të virgjër, është valid nga aspekti i sheriatit. Më konkret, argument për këtë konstatim e marim vetë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., i cili martesën e parë të vet e bëri me një grua të vejë, Hadixhen r.a. Poashtu, edhe gratë tjera, me përjashtim të Aishes r.a. kanë qenë të veja, pra jo të virgjëra.

Mirëpo, edhe pse femra jo e virgjër, si e tillë nuk është problem për t’u martuar, duhet të shihet se ajo femër a meriton të jetë bashkëshorte konform porosisë së mëparshme të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. Kjo, ngase virgjiniteti mund të humbet në mënyrë të lejuar dhe në mënyrë të ndaluar.

Femra e cila e ka humbur virgjinitetin në mënyrë të lejuar, dhe është e ndershme dhe fetare, nuk është objekt debati. Poashtu, edhe femra e cila e ka humbur virgjinitetin në mënyrë të ndaluar, por pastaj është penduar sinqerisht dhe është përmirësuar, pra është kthyer në rrugën e drejtë, mund të martohet dhe nuk paraqet problem.

Problem paraqet femra e cila e ka humbur virgjinitetin në mënyrë të ndaluar dhe nuk ka simptome se është penduar dhe se është përmirësuar. Kësaj femre besimtari duhet t’i largohet, jo pse nuk është e virgjër, por pse ka bërë amoralitet dhe nuk është penduar. Ajo nuk është e denjë të jetë bashkëshorte e besimtarit dhe as nënë e fëmijëve të tij. Për atë, besimtari duhet t’i analizojë mirë rrethanat e humbjes së virgjinitetit të një femre të caktuar me të cilën mendon të martohet, si dhe karakterin dhe sjelljen e saj, a reflekton pozitivisht apo jo.

Nëse një musliman marton një femër të këtillë, ka vepruar në kundërshtim me porositë e hadithit të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe e ka vënë në rrezik të ardhmen, gjenezën, harmoninë familjare, qetësinë shpirtërore dhe nderin e vet. Kjo, ngase femra e tillë që nuk është penduar, është e shthurur moralisht, e besimtarit nuk i takon të merr një femër të tillë, apo thënë ndryshe, i miri nuk mund të bën me të keqen dhe anasjelltas. E keqja është për të këqinjtë, dhe i keqi është për të këqijat, ndërkaq e mira është për të mirët, dhe i miri është për të mirat. Në këtë drejtim, flet edhe ajeti vijues: ’’ Laviri nuk do të duhej të martohej me tjetërkë, pos me ndonjë lavire ose idhujtare, e lavirja me të nuk do të duhej të martohej kush pos ndonjë lavir o idhujtarë. Ajo (kurvëria ose martesa më të) është e ndaluar për besimtarët (3) ’’ [En-Nur: 3] Në një ajet tjetër, qëndron:’’Të këqiat (gra ose fjalë) janë për të këqinjtë edhe të këqinjtë janë për të këqijat, ndërsa të ndershmet janë për të ndershmit edhe të ndershmit janë për të ndershmet. Ata janë të pafajshëm nga ajo që u thonë atyre. Ata kanë falje të madhe dhe furnizim të begatshëm (26)’’ [En-Nur: 26]

Pra, kujdes, mos të të mashtrojë bukuria apo diçka tjetër pa vlerë reale, që të martohesh me një femër e cila e ka humbur virgjinitetin me amoralitet dhe nuk është penduar e as që është përmirësuar. Nga aspekti juridik islam, nëse bën kurorë me një femër të tillë, martesa është valide, por besimtari i vërtetë nuk guxon ta bëje një gjë të tillë, ngase fut në familje dhe në jetën tënde femër amorale.

Me këtë rast, duhet të theksoj edhe një çështje që mund ta ngrenë disa, gjegjësisht martesa me femra të këtilla për shkak da’vetit. Kjo është e mundshme të jetë qëllim i dikuj, por mendoj se daveti i femrave të këtilla duhet të bëhet në mënyra tjera. Kjo mënyrë është e rrezikshme ngase ka të bëjë me familje dhe edukim brezash.

Allahu e di më së miri.

PYETJA: selamu alejkum kisha nje pyetje deri tek ju a është mëkat nese behet operacion plastik në hundë, se tek një pyetje e cila ka te bej me këtë pyetje thuhet se është e lejuar dua ta bëj se e kam të thyme dhe të lakuar, kisha pas dëshirë të kem përgjigjën e saktë ju flm?

PËRGJIGJA:

Allahu i Madhërishëm e ka krijuar njeriun në formën më të bukur dhe e ka dalluar nga të gjitha krijesat tjera në tokë. Allahu i Madhërishëm, në Kur’anin famëlartë ka thënë:’’ Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur (4)’’[Et-Tin: 4]. Për atë, njeriu sado të mendojë se mund të bëjë në trupin e tij diçka më të bukur përmes intervenimeve kirurgjike, gabon. Ai mund vetëm ta shëmtojë atë që Allahu i Madhërishëm e ka krijuar me masë të duhur në trupin e njeriut. Në veçanti kur janë në pyetje femrat, ato gabojnë kur mendojnë se përmes disa intervenimeve mund të duken më të bukura. Buzët, dhëmbët, sytë, vetullat, fytyrën, gjoksin etj., i ka krijuar i Lartmadhërishmi në formën më të bukur, e intervenimi i disa femrave në këto pjesë, assesi nuk e zbukuron, por ia humb pamjen e bukurisë origjinale, ashtu si e ka krijuar Allahu i Madhërishëm, ngase Allahu i Madhërishëm çdo gjë e ka vënë në vendin e vet dhe e ka bërë me masë të duhur.

Animi kah intervenimet e këtilla në trupin e njeriut për një pamje më të bukur, apo për të larguar një kompleks, siç ndodh me shumë femra, apo me meshkuj të ngjyrës së zezë, janë nxitje e shejtanit për ta ndryshuar krijimin e Allahut të Madhërishëm. Shejtani është zotuar se do të bëjë çmos që t’i shtyjë njerëzit ta ndryshojnë krijesën e Allahut, dhe këtë e ka arritur në masë të madhe, në veçanti në këtë kohë. Kur’ani rrëfen se si është shprehur shejtani për këtë gjë:’’Ai ka thënë:”unë do të përfitoj një pjesë të caktuar të robërve të Tu” (118) Do t’i shmangë (nga e vërteta), do t’i bëjë të shpresojnë në gjëra të kota; do t’i urdhërojë dhe ata do të shqyejnë veshët e bagëtive; do t’i urdhërojë dhe ata do të shëmtojnë krijesat e Allahut...’’[En-Nisaë: 118-119]

Po ashtu, edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në disa hadithe të tij, ka folur për ndalimin e disa veprimeve, të cilat janë shëmtim i krijesës së Allahut të Madhërishëm. Në këtë kontekst, Buhariu në Sahihun e tij transmenton prej Ibën Mes’udit se ka thënë:Allahu i mallkoftë ato që bëjnë tatuazh dhe ato gra që kërkojnë t’u bëhet tatuazh, ato gra që i marrin vetullat dhe ato që kërkojnë t’u bëhet kjo, dhe ato që i ndajnë dhëmbët për shkak bukurisë, të clat e ndrrojnë krijaturën e Allahut të Madhërishëm. Pastaj Ibën Mes’udi tha:Pse mos ta mallkoj atë që e ka mallkuar i dërguari i Allahut s.a.v.s., sepse kjo është në librin e Allahut të Madhërishëm.

Mirëpo, kjo që thamë nuk vlen, nëse është fjala për riparim të ndonjë deformimi që ka ndodhur në trupin e njeriut. Nëse, në trupin e njeriut, gjindet diçka që është jo normale, fjala vjen të ketë njeriu në njërën dorë gjashtë gishta, apo ta ketë hundën të shtrembër, apo të ketë dhëmb mbi dhëmb, e të ngjashme, atëherë është e lejuar që të bëhet intervenim kirurgjik për ta kthyer deformimin në gjendje normale.

Me këtë rast, nëse ju keni ndonji deformim në hundë, atëherë lejohet të bëhet operacion plastik për ta mënjanuar atë deformim. Kjo nuk ka të bëjë me shëmtimin apo ndryshimin e krijaturës së Allahut, por me kthimin e një deformimi në gjendje normale, dhe që të keshë pamje normale.

Intervenim i këtillë në hundë, ka ndodhur edhe në kohën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., dhe ai e ka miratuar. Kështu, Ebu Davudi, Tirmidhiju dhe Nesaiju kanë transmetuar prej Abdurrahman ibn Tarefes se gjyshit të tij, Arfexhe ibn Es’ad, i është këputur hunda në luftë, e ai ka bërë një hundë prej argjendi. Por, pas një kohe i është qelbur, dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e ka urdhëruar të bëjë një hundë prej ari. Këtë hadith shejh Albani e konsideron hadith të mirë-hasen.

Pra, nga ky hadith qartë kuptohet se lejohet intervenimi kirurgjik, apo operacioni plastik, në rast se është fjala për shërim të ndonjë pjese, apo për mënjanim të ndonjë mangësie. Në atë kohë i kanë përdorur mënyrat ekzistuese të shërimit, e në këtë kohë do të përdoren mënyrat e sotme medicinale të shërimit, gjegjësisht operacioni plastik.

Për atë, thënë troç, lejohet të bësh operacion plastik për ta mënjanuar mangësinë e hundës.

Allahu e di më së miri.

komente

Scroll To Top

Muhamed Asllani - Qëllimi i krijimit të njeriut





Muhamed Asllani - Qëllimi i krijimit të njeriut

Muhamed Asllani - Qëllimi i krijimit të njeriut