KĖNGA NĖ ISLAM

CILI ËSHTË QËNDRIMI ISLAM NDAJ KËNGËS DHE MUZIKËS?

Kjo është një pyetje e cila parashtrohet nga shumë njerëz, në sfera të ndryshme dhe në raste të shumta.

Kjo është një pyetje, përkitazi me të cilën pjesa dërmuese e muslimanëve nuk kanë përgjigje të njejtë, dhe si rezultat i përgjigjeve të ndryshme, dallon edhe qëndrimi i tyre, gjegjësisht disa prej tyre dëgjojnë çdo lloj kënge dhe muzike, duke pretenduar se diçka e këtillë është prej gjërave të këndshme dhe të lejuara të jetës, të cilat ua lejoi Allahu rrobërve të Vetë.

Ndërkaq disa tjerë, e shymin radion apo i mbyllin veshët nëse dëgjojnë ndonji këngë, çfardo që të jetë ajo, duke thënë:Kënga është zurle(fyell) e djallit, tregim bosh dhe pengon nga përmendja e Allahut dhe nga namazi, në veçanti kur këndon gruaja.Sipas tyre, vetëm zëri i gruas, pa kënduar, është i ndaluar të dëgjohet-auret, e lene më të këndojë.Konstatimin e tyre e mbështesin në disa ajete, hadithe dhe thënie të dijetarëve.

Disa nga ata, e ndalojnë çdo lloj muzike, bile edhe atë me të cilën fillojnë lajmet në TV.

Një palë e tretë, ka ngelur ndërmjet dy grupeve të përmendura, herë anon kah njëra, e herë anon kah pala tjetër, duke e pritur përgjigjen e prerë dhe bindëse nga dijetarët islamë në këtë çështje të ndërlikuar, e cila është pjesë e ndjenjave dhe përditshmërisë njerëzore, në veçanti, pasi mediat audio-vizuele janë futur në çdo shtëpi, pa bërë selektim të programeve, duke e përfituar në këtë mënyrë vëmendjen e tyre përmes këngëve dhe muzikës, me vullnet dhe pa vullnet.

Kënga me instrumente-pra me muzikë- dhe pa instrumente, është çështje e cila ka nxitur polemika dhe debate në mes dijetarëve islamë që nga kohët më të hershme, ashtu që për disa gjëra kanë arritur pëlqim, e për disa jo.

Kështu, ata janë pajtuar për ndalimin e kënge e cila përmban elemente të neverritshme, mbrapshti apo stimulon për mëkate.Kjo, ngase kënga në fakt është e prëbërë prej fjalëve, ashtu që fjalët e mira janë të pranuara, ndërkaq fjalët e liga duhet injoruar.Fjalët të cilat përmbajnë gjëra të ndaluara, janë haram-të ndaluara, e nëse fjalëve të këtilla u shtohet edhe rima, melodia dhe fuqia e ndikimit, çka do të thoshim?

Nga ana tjetër, kanë arritur pëlqim për lejimin e këngëve të zakonshme, pa instrumente dhe fuqi për influentim, si që është rasti me këngët gjatë solemniteteve legale, si maretsa dhe ardhja e gurbetçarve, festat e ndryshme e të ngjashme, por me kusht që kënga mos të interpretohet nga femër në prezencë të meshkujve që nuk i ka të ndaluar të martohet me ta.

Përkitazi me këtë, janë përmendur tekste të qarta juridike, të cilat do t’i përmendim më vonë.

Përpos çështjes në fjalë, mospajtimet janë evidente.Disa e kanë lejuar këngën, qoftë me instrumente apo pa instrumente, madje, këngën e kanë konsideruar diçka të preferuar(mustehab).Disa sysh, e kanë ndaluar këngën me instrumente, kurse e kanë lejuar atë që është pa instrumente, ndërkaq disa tjerë e kanë ndaluar rreptësisht çdo lloj kënge, qoftë me instrumente apo pa instrumente, e kanë gjykuar se është haram, bile e kanë ngritur në shkallën e mëkatit të madh.

Për shkak të rëndësisë së çështjes në fjalë e shoh obligim që të them diçka më gjërësisht për çështjen në fjalë, të hudhi dritë mbi këtë çështje, me qëllim që t’i shpalojmë segmentet e saj të ndryshme, me qëllim që muslimani ta dallojë hallallin(të lejuarën) nga harami(e ndaluara), konform argumenteve valide, e jo duke i imituar mendimet e dikujt.Në këtë mënyrë, muslimani do ta njoh problemin me fakte, dhe do të jetë në dijeni për çështjet e fesë së tij.

PARIMISHT GJËRAT JANË TË LEJUARA:

Dijetarët islamë kanë miratuar faktin se në esencë, gjërat janë të lejuara, konform ajetit: ''Ai (Allahu) është që për juve krijoi gjithçka ka në tokë…''( 1 ) , ndërkaq ndalimi mund të bëhet vetëm nëse për të ka argument autentik e të qartë nga libri i Allahut xh.sh., thëniet e të dërguarit të Allahut s.a.v.s. apo ka koncenzus autentik e bindës, e nëse nuk ka tekst apo koncenzus (ixhma) të dijetarëve, apo ka tekst të qartë, por është jo autentik, apo është autentik, por jo i qartë në ndalimin e diçkahit, atëherë, këto nuk ndikojnë në lejimin e çështjes përkatëse, çështja mbetet në fushën e gjërë të gjërave të falura.Allahu xh.sh. thotë:<<…e Ai ju sqaroi juve se çka është e ndaluar për ju, përveç kur jeni të detyruar(atëherë edhe harami është hallall)…>>( 2 ) .

I dërguari i Allahut s.a.v.s. thotë:”Atë që e ka lejuar Allahu në librin e Tij, është e lejuar, atë që e ka ndaluar, është e ndaluar, ndërkaq për atë që ka shuajtur, është e falur, për këtë pranoni faljen e Tij, sepse Allahu nuk harron kurgjë”, dhe e lexoi ajetin:<<…e Zoti yt nuk është që harron>>( 3 ) .Hadithin e transmenton Hakimi prej Ebu Derdasë, dhe e klasifikon të saktë, poashtu hadithin e transmenton edhe Bezzari.

Poashtu, i dërguari i Allahut s.a.v.s. thotë:”Allahu ka obliguar detyra, për atë mos i neglizhoni, ka caktuar kufij, për atë, mos i tejkaloni, e ka shuajtur ndaj disa çështjeve nga mëshira ndaj jush,pa i haruar, për atë mos gjurmoni pas tyre”.Hadithin e transmenton Darekutniju prej Ebu Tha’ëlebe El-Hushenijut.Hadithin e klasifikojnë të gradës i mirë”hasen” Ebu Bekër Es-Sem’ani në veprën e tij El-Emali dhe Neveviju në veprën e tij “Dyzet hadithe”.

Pasi e kuptuam se cila ishte rregulla, atëherë pyesim, cilat janë tekstet juridike dhe argumentet në të cilat janë mbështetur pohuesit e ndalimit të këngës, poashtu, cili është qëndrimi i atyre të cilët e kanë lejuar këngën, ndaj këtyre argumenteve dhe teksteve?

ARGUMENTET E ATYRE QË E NDALOJNË KËNGËN, DHE DEBATIMI RRETH TYRE:

A-Ata që e kanë ndaluar këngën, janë bazuar në transmentimin e Ibn Mes’udit, Ibn Abbasit dhe disa tabi’inëve(pasardhësve të shokëve të Pejgamberit), se këta e kanë ndaluar këngën duke e marrur si argument ajetin:<> ( 4 ).Ata, fjalët “tregime boshe” i komentuan me atë se i referohen këngës.

Ibn Hazmi thotë:Ky koment, nuk mund të merret për argument, për shumë shkaqe:

I pari:Askush nuk mund të merret për argument, pos Pejgamberit s.a.v.s.

I dyti:Me këta nuk janë pajtuar dijetarë tjerë nga sahabët dhe tabi’inët.

I treti:Vetë teksti i ajetit, e demanton të argumentuarit e palës së përmendur me këtë ajet.Kjo, ngase në ajet qëndron:<< Po ka nga njerëzit që blenë tregime boshe e me qëllim që t’i largojnë njerëzit prej rrugës së Allahut pa pasur kurrfarë fakti dhe për t’i marrë ato (ajetet e) Allahut si tallje>> ( 5 ).Kush ka vepruar në këtë mënyrë, ai është jo besimtar, pa diskutim, sepse i ka marrë ajetet e Allahut në tallje.

Sikur të kish blerë një njeri një mus’haf, me qëllim që ti largojë njerëzit nga rruga e Allahut dhe ta përdorë për tallje, do të ishte jo besimtar.Pra, këë e ka përbuzur Allahut xh.sh., ndërkaq asnjiherë nuk e ka përbuzur Allahu xh.sh. blerjen e tregimeve boshe për t’u relaksuar, e jo për të larguar nga rruga e Allahut xh.sh.Me këtë, bie poshtë mbështetja e tyre në fjalët e personaliteteve të përmendura, poashtu, kush e len me qëllim namazin duke u zënë me leximin e Kur’anit apo haditheve të pejgamberit s.a.v.s., apo për shkak ndonji bisede të tij, apo për shkak të kontrollit të pasurisë apo të këngëve, etj, ai është mëkatar, kundërshtues i Allahut xh.sh.Ndërkaq kush nuk neglizhon diçka nga obligimet e përmendura, për shkak të preokupimit me ato që përmendëm, është bamirës .

B-E morrën për argument ajetin, ku Allahu xh.sh. i lavdëron besimtarët me fjalët: ''Dhe kur e dëgjojnë ndonjë llomotitje marrëzie, i kthejnë shpinën… '' ( 6 ) , ndërkaq kënga është lloj llomotitje (lagv), për atë edhe duhet t’i kthehet shpina.

Këtij argumenti, i përgjigjemi me faktin se prej ajeti qartë kuptohet se llomotitje janë fjalët e liga, si:sharja, fyerja etj, sepse këtë e konfirmon pjesa tjetër e ajetit.Allahu xh.sh. thotë: '' Dhe e dëgjojnë ndonjë llomotitje marrëzie, i kthejnë shpinën dhe thonë:”Ne kemi veprat tona e ju tuajat, qofshi larg nesh, ne nuk na duhen injorantët!” ( 7 ) , ky ajet i përngjanë ajetit, ku Allahu xh.sh. i cilëson rrobërit e devotshëm me fjalët:<<…e kur atyre me fjalë u drejtohen injorantët, ata thonë:”Paqë!”>> ( 8 ) .

Po edhe sikur të pranojmë se nocioni “lagv”-llomotitje, në ajet e përfshinë këngën, do të shohim se ajeti vetëm e preferon largimin nga dëgjimi i kësaj, por nuk e obligon detyrimisht.

Fjala “lagv” është e ngjashme me fjalën “batil”, sepse aludojnë në atë, në të cilën nuk ka dobi, ndërkaq dëgjimi i asaj në të cilën nuk ka dobi, nuk është i ndaluar derisa nuk nëpërkëmb nji të drejtë apo nuk ndalon nga një obligim fetar.

Është transmentuar se Ibn Xhurejxhi lejonte që të dëgjohet muzika, për atë edhe e kanë pyetur:Ku do të vendoset kjo në ditën e gjykimit, në punët tua të mira, apo të këqija? Ai tha:Nuk vehet as në punët e mira, e as në punët e këqija, sepse ajo është e ngjashme me gjërat e pa qëllimta “lagvin”, për të cilin Allahu xh.sh. thotë: ''Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet tuaja të paqëllimta…'' ( 9 ) .

Imam Gazaliju thotë:”Nëse nuk ka përgjegjësi për njeriun i cili e përmend emrin e Allahut për diçka në formë betimi, por pa patur për qëllim betimin real, obligimin e vetes me të dhe kundërshtimin e veprimit, gjëra këto që nuk kanë dobi, si mund të gjykohet për poezinë dhe vallëzimin” ( 10 ) .

Ne themi:Çdo këngë nuk është “lagv” llomotitje, por ajo vlerësohet në bazë të qëllimit të atij që këndon.Kështu, qëllimi i mirë, zbavitjen e shëndrron në bamirësi dhe shakan në adhurim, ndërkaq qëllimi i keq e shkatërron punën e cila formalisht duket adhurim, kurse në brendësi bëhet për sy e faqe:”Allahu nuk e shiqon imazhin dhe pasurinë tuaj, por Ai shiqon në zemrat dhe veprat tuaja” ( 11 ).

Në vazhdim, do t’i përmendim disa fjalë të Ibn Hazmit, të cilat i ka regjistruar në librin e tij “El-Muhal-la”, i cili u bënë demant atyre që e ndalojnë këngën, dhe thotë:”Ata argumentohen me dilemën që e parashtrojnë:Kënga, o është realitet, o është gënjeshtër? Nuk ka mundësi t’i takojë grupit të tretë.Allahu xh.sh. thotë:<<…Pas së vërtetës nuk ka tjetër pos iluzione…>> ( 12 ), ndërkaq ne, me ndihmën e Allahut, do të përgjigjemi me sa vijon:I dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”Me të vërtetë veprat vlerësohen sipas qëllimit, dhe çdo njërit i takon nga puna e vetë, ajo që e ka patur për qëllim” ( 13 ).Kështu, kush ka për qëllim me dëgjimin e këngëve nxitjen për mëkate, ai është mëkatar, këtë tretman e kanë edhe gjërat tjera përskaj këngëve.Ndërkaq kur ka për qëllim me dëgjimin e këngëve relaksimin e vetes, ashtu që të jetë më i freskët e i fortë më pas për adhurim, ai konsiderohet i devotshëm dhe bamirës, ndërkaq vepra e tij konsiderohet e vërtetë.Po kush nuk ka për qëllim me këtë veprim, as adhurim as mëkat, konsiderohet punë e pa rëndësishme e cila falet, fjala vjen, si dalja e njeriut në kopsht, qëndrimi në derën e shtëpisë duke shiquar natyrën, ngjyrosja e teshave me ndonji ngjyrë, zgjatja e këmbës, mbledhja e saj e shumë veprime tjera” ( 14 ).

C-Ata e kanë marru për argument hadithin:”Çdo gjë me të cilën argëtohet besimtari konsiderohet e kotë, me përjashtim të tre gjërave:Loja e njeriut me familjen e vetë, trajnimi i kalit dhe gjuajtja nga harku”.Hadithin e transmentojnë katër autorët e suneneve, por është kontradiktor, ndërkaq kënga nuk bën pjesë në këto tre.

Ata të cilët e lejuan këngën, këtij hadithi iu përgjigjën me atë se është i dobët, po edhe sikur të ishte i saktë, nuk do të kishte mundur të jetë argument, sepse fjalët:”konsiderohet e kotë”, nuk flasin për ndalesë, por flasin thjesht se nuk ka dobi në diçka të tillë.Është transmentuar prej Ebu Derdasë të ketë thënë:Unë e relaksojë veten me diçka të kotë, që të forcohem për të vërtetën.Poashtu, duhet patur parasyshë fakti se përcaktimi i tre gjërave, nuk është për qëllim, sepse argëtimi duke i shiquar abesinasit duke luajtur valle në xhaminë e Pejgamberit s.a.v.s., nuk bën pjesë në tre gjërat e përmendura, por megjithatë, është konfirmuar saktë se është bërë nga Pejgamberi s.a.v.s.Nuk ka dyshim se shëtitja në kopshte, dëgjimi i zërave të shpendëve si dhe format e ndryshme të argëtimeve me të cilat zbavitet njeriu, nuk janë të ndaluara, edhe pse lejohet të vlerësohen se janë të kota.

Ç-Janë bazuar në hadithin të cilin e transmenton Buhariu-pa zinxhir transmentuesish- prej Ebu Malikut apo Ebu Amir El-Esh’arijut-dyshim nga transmentuesi- prej të dërguarit të Allahut s.a.v.s. se ka thënë:”Disa njerëz nga umeti im, që do të vijnë pas, do ta bëjnë të lejuar prostitucionin, mëndafshin, verën dhe muzikën(me’azif).Fjala me’azif, do të thotë:instrumentet muzikore.

Hadithi në fjalë, edhe pse gjindet në koleksionin e saktë “Sahih” të Buhariut, ai është i ndërprerë në zinxhirin e transmentuesve “mualek” e nuk është me zinxhir të kompletuar dhe të pa ndërprerë transmentuesish, për këtë edhe Ibn Hazmi e refuzoi për shkak zinxhirit të ndërprerë të transmentuesve.Krahas ndërprerjes së zinxhirit të transmentuesve, kanë thënë se zinxhiri i transmentuesve dhe teksti i tij, nuk u kanë shpëtuar kontradiktave, sepse zinxhiri i transmentuesve sillet rreth Hisham ibn Ammarit, të cilin shumë e kanë konsideruar të dobët ( 15 ) .

Krahas vërejtjeve që janë bërë për autenticitetin e hadithit në fjalë, për të argumentuarit e tij për çështjen përkatëse, ka poashtu vërejtje tjera, sepse ky hadith nuk është i qartë dhe decid në ndalimin e muzikës.Kjo, ngase fjalët “do ta bëjnë të lejuar”(jestehil-lune)-sikur që thekson Ibn Arabiju- kanë dy kuptime:I pari:Besojnë se këto janë të lejuara; I dyti:Të jetë alegori për teprimin në veprimin e gjërave të përmendura, sepse sikur të kish qenë për qëllim me fjalët”do ta bëjnë të lejuar”, domethënia e tyre e vërtetë, atëherë ky veprim do të ishte mosbesim-kufër.

Po edhe sikur të pajtohemi se këto fjalë flasin për ndalimin e gjërave të përmendura, do të ishte e logjikshme që të kuptohet ndalimi i gjërave të përmendura bashkarisht, e jo çdo njëra prej tyre në veçanti.Kjo, ngase hadithi në fakt, qanë hallin për moralin e disa njerëzve të cilët janë zhytur në luks, netë gazmore dhe konsumimin e verës.Njerëzit e tillë, gjinden në mes verës dhe femrave, zbavitjes dhe muzikës, si dhe mëndafshit.Për këtë, Ibn Maxhe, këtë hadith e transmenton prej Ebu Malik El-Esh’arijut me formulimin vijues:”Disa njerëz nga umeti im, do ta pijnë verën dhe do ta quajnë me emra tjerë, mbi kokat e tyre do të këndojnë muzika dhe këngëtare.Allahu ata do t’i përmbysë në tokë dhe disa prej tyre do t’i shëndrrojë në majmuna dhe derra”.Këtë e transmenton edhe Ibn Hibbani në koleksionin e tij të vërtetë.

D-E kanë marrur për argument hadithin:”Allahu e ka ndaluar rrobëreshën këngëtare, ka ndaluar të shitet dhe ka ndaluar paratë që merren prej shitjes së saj dhe ka ndaluar që ajo të mësohet me këto punë”.

Këtij hadithi i përgjigjemi si vijon:

1-Hadithi është i dobët.

2-Gazaliju thotë:Me rrobëreshën këngëtare, është për qëllim këngëtarja e cila këndon para burrave në vendet ku konsumohet alkooli, ndërkaq këndimi i femrës për njerëz që nuk i ka kurgjë për nga gjaku, të cilët janë mbrapshtanë dhe të provokohen, është i ndaluar.Ata me provokim e kanë për qëllim atë që është e ndaluar.Ndërkaq, ndalimi i këndimit të rrobëreshës për pronarin e saj, nuk kuptohet prej këtij hadithi, bile as që kuptohet ndalimi i dëgjimit të tyre për jo pronarin, nëse nuk ka frikë për provokim seksual.Ky kontsatim mbështetet në transmentimin që e përcjellin Buhariu dhe Muslimi në dy koleksionet e sakta, se dy vajza të reja kanë kënduar në shtëpinë e Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të.[Ihjau ulumi ed-din, f.1148], do të pasojë më vonë.

3-Rrobëreshat e tilla këngëtare dhe valltare, përbënin një element të rëndësishëm të sistemit të rrobërisë, të cilin Islami e anuloi gradualisht.Për këtë, nuk ishte kompatibile me këtë objektiv madhor miratimi i ekzistimit të kësaj shtrese në shoqërinë islame.Pra, kur përmendet një hadith i cili e përbuz posedimin e rrobëreshës këngëtare, shitjen e saj, dhe ndalon nga veprimet e tilla, ai synon rrënimin e një shtylle të fortë të ndërtesës së rrobërisë.

E-Janë bazuar në transmentimin që e përcjell Nafiu se Ibn Omeri e kish dëgjuar zërin e fyellit të një bariu, dhe i kish zënë veshët me gishtat e tij, poashtu ia ndrroi drejtimin kafshës me të cilën udhëtonte dhe thoshte:O Nafi, a dëgjon?Unë i thashë:Po, dhe ai vazhdonte, derisa thashë:Jo.Atëherë i hoqi gishtat, e drejoti kafshën e udhëtimit në rrugë, dhe tha:”E pashë të dërguarin e Allahut, kur e dëgjoi fyellin e bariut, veproi në këtë mënyrë”.Hadithin e transmenton Ahmedi, Ebu Davudi dhe Ibn Maxhe.

Për këtë hadith, Ebu Davudi thotë:Hadithi është i injoruar(munker).

Po edhe sikur të ishte hadithi i vërtetë, do të ishte kundër tyre, e jo në favor të mendimit të tyre.Kjo, ngase sikur të ishte dëgjimi i fyellit i ndaluar, i dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk do t’ia lejonte Ibn Omerit ta dëgjon fyellin, po sikur të kishte qenë i ndaluar sipas Ibn Omerit, dëgjimi i fyellit, nuk do t’ia lejonte një gjë të tillë Nafiut.I dërguari i Allahut s.a.v.s., do ta urdhëronte ta pengojë me dorë këtë vepër të urrejtur.Për atë, miratimi i të dërguarit të Allahut s.a.v.s. për Ibn Omerin që ta dëgjojë, është argument se është i lejuar.

Mosdëgjimi i të dërguarit të Allahut s.a.v.s. fyellin, bie në grupin e largimit të tij nga shumë vepra që në fakt janë të lejuara, si psh., ngrënia i mbështetur, posedimi i monedhave të arit e argjendit, etj.

Ë-Ata janë argumentuar edhe me transmentimin:”Kënga bën të mbijë hipokrizia në zemër”, mirëpo, ky transmentim, nuk është konfirmuar se është thënie e të dërguarit të Allahut, por është përcjellë si thënie nga disa shokë të dërguarit të Allahut-sahabe.Pra, ky është mendim i njerëzve që nuk janë të mbrojtur nga gabimi, bile, me këta nuk janë pajtuar disa tjerë.Kështu, disa tjerë, në veçanti sufistët, thonë se kënga e zbut zemrën, ngjall brengosje dhe pendim për mëkatet e bëra, motivon për dashuri ndaj Allahut xh.sh.Nisur nga kjo, sufistët këngën e kanë përdorur si mjet për përtrirjen e shpirtit të tyre, freskimin e vullnetit dhe nxitjen e ndjenjave.Ata kanë thënë:Kjo mund të njihet vetëm përmes shijimit, praktikës dhe provave.Kush e ka shijuar, ai e njeh atë gjë, sepse lajmi nuk është si të pamurit.

Imam Gazaliju, këtë gjykim, ia drejton këngëtarit e jo dëgjuesit.Kjo, nëse qëllimi i këngëtarit është që ta ekspozojë veten para tjerëve, ta reklamojë zërin si dhe sillet me hipokrizi dhe u afrohet njerëzve, me qëllim që ta pëlqejnë këngën e tij.Mirëpo, edhe përskaj kësaj, imam Gazaliju thotë:Por, kjo, nuk do të thotë se ky veprim është haram-i ndaluar, sepse edhe veshja e teshave të bukura, shalimi i kuajve të dresuar dhe të zbukuruar, përdorimi i zbukurimeve të ndryshme, mburrja me mall, bagëti, prodhime bujqësore etj, ngjall hipokrizi në zemër, por nuk thuhet se të gjitha këto janë të ndaluara.Kjo, ngase shkak i paraqitjes së hipokrizisë në zemër, nuk janë vetëm mëkatet, por edhe gjërat e lejuara të cilat bien në sy dhe lënë përshtypje më të madhe te njerëzit[Ihjau ulumi ed-din, f.1151].

F-Për ndalimin e këndimit të gruas në veçanti, janë bazuar në supozimin e disa njerëzve se zëri i gruas është auret- i ndaluar të dëgjohet.Por, në fenë e Allahut nuk ka as argument të fortë e as të dobët, se zëri i gruas është auret.Kjo, ngase gartë e pyetnin të dërguarin e Allahut s.a.v.s. në prani të njerëzve.Poashtu, shokët e të dërguarit të Allahut s.a.v.s., shkonin te nënat e besimtarëve, gratë e Pejgamberit s.a.v.s., i pyetnin ato, e ato u përgjigjeshin dhe bisedonin me sahabet, e asnjë nuk thoshte:Ky veprim i Aishes apo grave tjera, është zbulim i së ndaluarës që duhet të mbulohet.

Nëse thonë:Kjo i referohet bisedës së rëndomtë, e jo këndimit, u përgjigjemi:Në dy koleksionet e sakta “Sahihan” transmentohet se i dërguari i Allahut i dëgjoi dy vajzat duke kënduar, dhe nuk e mohoi një veprim të tillë, por i tha Ebu Bekrit:Leni ato le të këndojnë.Poashtu, edhe Ibn Xhaferi dhe sahab e tabi’in(pasardhës të sahabeve) idëgjuan vajzat duke kënduar.

PËRFUNDIM:Tekstet në të cilat janë bazuar ata që e ndalojnë këngën, ose janë autentike jo të qarta, ose të qarta jo autentike.Asnji hadith i cili i atribuohet të dërguarit të Allahut, nuk u ka shpëtuar kritikave që të mund të vlejë si argument për ndalimin e këngës.Të gjitha hadithet në të cilat janë bazuar ata, i kanë dobësuar disa dijetar të drejtimit dhahirit, malikit, shafi’it dhe hanbelit.

Gjykatësi Ebu Bekër ibn El-Arabij, në librin e tij “El-Ahkam”, thotë:Për ndalimin e këngës, nuk ka kurgjë të saktë.

Këtë e pohon edhe Gazaliju dhe Ibn Nahviju në veprën El-Umde.

Ibn Tahiri thotë:Prej këtyre haditheve, nuk është i saktë asnjë harf-shkronjë.

Ibn Hazmi thotë:Çdo gjë që është transmentuar për këndimin, është e pa bazë dhe e trilluar.

ARGUMENTET E ATYRE QË E LEJOJNË KËNGËN:

Këto ishin argumentet e atyre të cilët e ndalonin këngën, u demantuan nji nga nji, asnji argument nuk mundi t’u përballojë vërejtjeve.Për atë, nëse demantohen argumentet e ndalimit, mbetet dispozita e këngës në parimin esencial të lejimit, edhe nëse nuk kemi asnji tekst apo argument që do ta mbështesin dispozitën e lejimit, me përjashtim të demantimit të argumenteve të ndalimit.Ndërkaq, çka mund të thuhet, kur ne bazohemi në tekste të sakta dhe të qarta fetare, bazohemi në natyrën fleksibile të tij, parimet e përgjithshme dhe rregullat gjenerale?

Në vazhdim, do ta shqyrtojmë këtë çështje, me sa vijon:

E PARA:TEKSTET FETARE:

Janë bazuar në disa hadithe të sakta, prej të cilëve, është edhe hadithi i këndimit të dy vajzave në shtëpinë e të dërguarit të Allahut s.a.v.s., te Aisheja.Ebu Bekri i qortoi për këtë veprim, dhe tha:Fyjet e djallit në shtëpinë e të dërguarit të Allahut s.a.v.s.Kjo flet, se këto dy vajza nuk kanë qenë të vogla, sikur që supozojnë disa, sepse sikur të kishin qenë të vogla, nuk do ta kishin nxitur hidhërimin e Ebu Bekrit deri në këtë shkallë.

Në këtë rast, me rëndësi është përgjigja dhe sqarimi i të dërguarit të Allahut s.a.v.s. drejtuar Ebu Bekrit, Allahu qoftë i kënaqur me të, me atë se dëshiron t’ua bëjë me dije hebrejve se në fenë tonë ka çaste solemne dhe se ai është dërguar me fenë e pastër tolerante.Kjo flet për domosdoshmërinë e tentimit për përmirësimin e imazhit të Islamit te tjerët si dhe theksimin e anës tolerante dhe lehtësuese të Islamit.

Buhariu dhe Ahmedi transmentojnë prej Aishes se një grua u martua me një burrë të ensarëve.I dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:”Oj Aishe, nuk luajtën aspak? Ensarët e kanë qejf të luajnë”.

Ibn Maxhe transmenton prej Ibn Abbasit i cili thotë:U martua një grua e të afërmve të Aishes, për një nga ensarët-medinasit.Kur erdhi i dërguari i Allahut, tha:”A e përcollët vajzën?”Ata ia kthyen:Po.Ai atëherë u tha:”A dërguat me të ndonji që do të këndojë?”Aisheja tha:Jo.Atëherë I dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:”Ensarët e duan këngën, mirë ishte të kishit dërguar me të ndonji që do të këndojë:Erdhëm, erdhëm, mirë se u gjetëm, mirë se u erdhëm?!”

Nesaiju dhe Hakimi, ndërkaq ky i fundit edhe e vlerëson të saktë, transmentojnë prej Amir ibn Sa’dit, i cili thotë:Hyra te Kirdhe ibn Ka’ëb, ndërkaq Ebu Mes’ud El-Ensariju ishte martuar, dhe aty rastisa vajza duke kënduar.Kur i pashë ato, thashë:O ju shokë të dërguarit të Allahut, pjesmarrës së luftës së Bedrit, kjo punë ndodh te ju?!Ata thanë:Nëse don, ulu me ne bashk, dhe dëgjo, e nëse don, shko, sepse ne na është lejuar zbavitja për rast martese.

Ibn Hazmi transmenton me zinxhirin e tij të transmentuesve prej Ibn Sirinit se një njeri erdhi në Medine me disa vajza.Shkoi te Abdullah ibn Xhaferi, dhe ia ofroi atij këto vajza.Ai e urdhëroi një vajzë që të këndojë, kurse Ibn Omeri dëgjonte.Pas kësaj, Ibn Xhaferi e bleu këtë vajzë rrobëreshë këngëtare pas pazarllëkut mes dy palëve.Më pas, erdhi një njeri te Ibn Omeri, dhe i tha:O baba i Abdurrahmanit, të është bërë hile për 700 dirhem!Kjo qe shkak që Ibn Omeri të drejtohet te Abdullah ibn Xhaferi, dhe i tha:Është bërë hile për 700 dirhem, për atë, ose t’ia japish atij, ose t’ia ktheshë dhe ta anulosh shitblerjen.Ai tha:Do t’ia japim.Ibn Hazmi thotë:Ibn Omeri i dëgjoi këngët, morri pjesë në shitjen e këngëtares, dhe ky zinxhir transmentuesish është i saktë, e jo zinxhiret e trilluara e të fabrikuara.

Për argument, e morrën ajetin: ''Po, kur ata shohin ndonjë tregti ose ndonjë aheng mësyhen atje, kurse ty të lënë në këmbë.Thuaju:”Ajo që është tek Allahu është shumë më e mirë se dëfrimi dhe tregtia, e Allahu është furnizuesi më i mirë!” ( 16 ) .

Pra, zbavitjen ia bashkangjiti tregtisë, dhe këto dy veprime i kritikoi vetëm nga aspekti i preokupimit të sahabeve me këto punë, kur arrinin karavanet tregtare dhe u binin defeve, ndërkaq e lanë hutben-ligjerimin e xhumasë e të dërguarit të Allahut, e lanë atë në këmbë duke ligjëruar.

Poashtu, ata qëndrimin tyre e bazuan edhe në transmentimet se disa sahabe, Allahu qoftë i kënaqur me ata, kanë dëgjuar këngë apo e kanë miratuar dëgjimin e këngëve.Kjo, dhe sahabet janë ata që merren për shembull dhe argument.

Poashtu, u thirrën edhe në koncenzusin, që e përmendën disa vetë, se lejohet dëgjimi i këngëve, sikur që do ta cekim më vonë.

E DYTA:NGA ASPEKTI I FRYMËS DHE RREGULLAVE TË ISLAMIT:

A-Kënga nuk është gjë, ajo thjeshtë është prej gjërave të këndshme të kësaj bote, të cilën e lakmojnë njerëzit, e pëlqejnë mendjet, e preferon natyra njerëzore dhe e don veshi.pra, kënga është kënaqësia e veshit, sikur që është ushqimi i shijshëm, kënaqësi e lukthit, peisazhi i bukur kënaqësi e syrit dhe era e këndshme, kënaqësi e të nuhaturit, etj.Për atë, a thua gjërat e këndshme dhe të shijshme, janë të ndaluara apo të lejuara në Islam?

Dihet se Allahu xh.sh. ua ndaloi Beni Israilëve disa gjëra të këndshme si normë ndëshkuese për veprimet e tyre të mbrapshta.Allahu xh.sh. thotë:<> ( 17 ).Kur e dërgoi Allahu Muhamedin s.a.v.s., misionin e tij, në librat e mëparshëm, e cilësoi si vijon: ''…të cilin e gjejnë të cilësuar (të përshkruar me virtytet e tij), te ata në Tevrat dhe në Inxhil, e që i urdhëron ata për çdo të mirë dhe i ndalon nga çdo e keqe, u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndëshmet, dhe heq nga ata barrën e rëndë të tyre dhe prangat që ishin mbi ta… '' ( 18 ) .

Kështu, në Islam, çdo gjë e këndshme, gjegjësisht që e preferojnë shijet dhe e pranojnë mendjet e shëndosha, është e lejuar nga Allahu, si mëshirë ndaj këtij umeti konform gjithpërfshishmërisë dhe përjetshmërisë së misionit të tij.Allahu xh.sh. thotë: ''Të pyesin ty (Muhamed), çka u është e lejuar atyre? Thuaj:”U janë të lejuara të gjitha ushqimet e mira…'' ( 19 ) .

Allahu xh.sh. nuk ia ka lejuar asnji njeriu që t’ia ndalojë vetes apo dikuj tjetër, diçka nga të mirat me të cilat i furnizoi Allahu, pa marrë parasyshë se qëllimi i tij mund të jetë fisnik dhe të synojë kënaqësinë e Allahut me këtë veprim.Kjo, ngase lejimi dhe ndalimi, është kompetencë dhe e drejtë ekskluzivisht e Allahut e jo e dikuj tjetër, kushdo qoftë nga rrobët e Tij.Allahu xh.sh. thotë: ''Thuaj:”Më thuani, atë që Allahu ju dha si ushqim (të lejuar), e ju nga ai diçka bëtë të ndaluar e diçka të lejuar?”Thuaj:”A ju lejoi Allahu ju, ose ju i shpifni Allahut?” ( 20 ) .Allahu xh.sh. ndalimin e gjërave të lejuara nga vetë Ai, e barazoi melejimin e gjërave të neveritura që Ai i ka ndaluar, të dy veprimet e shkaktojnë hidhërimin e Allahut dhe ndëshkim nga Ai.Veprimet e këtilla, e rrokullisin njeriun në humnerën e humbjes së qartë, devijimit të madh.Allahu xh.sh., duke i qortuar injorantët e xhahilijetit të cilët bënin veprime të këtilla, tha:'' S’ka dyshim se kanë dështuar keq ata që mbytën fëmijët e tyre nga mendjelehtësia e pa kurfarë dije dhe ata që duke i shpifur Zotit, shpallën të ndaluar atë që Zoti u kishte dhuruar.Ata kanë humbur rrugën e drejtë dhe prej fillimit nuk ishin në udhëzim '' ( 21 ) .

A-Nëse i analizojmë gjërat mirë, do të shohim se dashuria ndaj këngës, muzikës dhe zërit të bukur, mund të quhet instinkt dhe natyrë e njeriut.Kështu, shohim se edhe foshnjën në djep e ndërpret nga të qarit zëri i bukur, dhe ai nga të qarit, kthehet në dëgjimin e zërit të tillë.Nisur nga kjo, nënat, gjidhënëset dhe edukatoret, e kanë përdorur këngën për fëmijët e vegjël, që nga kohët më të lashta.Bile themi:Edhe shpezët dhe kafshët ndikohen nga zëri i bukur dhe tingujt ritmik.Imam Gazaliju në Ihja Ulumi-d-din, thotë:”Cilin nuk e lëviz dëgjimi i këngës, ai është i mangët, çalon, është larg spiritualizmit, është më i vrazhdët në natyrë se sa devet, shpendët dhe të gjitha kafshët.Kjo, ngase devetë, edhe pse janë të plogështa për nga natyra, ndikohen nga këngët, ashtu që u lehtësohen barrat e rënda, i duket më e shkurtë rruga e gjatë, si rezultat i koncentrimit të madh në dëgjimin e këngëve, në fakt ngjall te ajo një ndjenjë e cila e dehë dhe e argëton.Devet kur e dëgjojnë bariun e tyre duke kënduar, e zgjasin qafën, e dëgjojnë këngën dhe shpejtojnë me të madhe, saqë tranden gjërat që i ka të ngarkuara mbi shpinë”.

Nëse të dashurit e këngës është diçka instiktive te njeriu dhe thjeshtë pjesë përbërëse e natyrës së njeriut, atëherë pyesim:a thua ka ardhur feja t’i luftojë instinktet dhe natyrën e njeriut?Assesi, feja ka ardhur ta kalit, lartësojë dhe ta orientojë drejtë natyrën njerëzore.Imam Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë:Pejgamberët janë dërguar ta kompletojnë dhe ta miratojnë natyrën njerëzore, e jo ta ndryshojnë dhe tjetërsojnë.

Kjo mbështetet me faktin se i dërguari i Allahut s.a.v.s.kur erdhi në Medine, vërejti se banorët e saj kishin dy ditë në të cilat luanin, e ai u tha:”Çfarë janë këto dy ditë?”Ata thanë:Në këto dy ditë, në kohën e xhahilijetit, loznim.I dërguari i Allahut tha:”Allahu këto dy ditë, ua ka zavendësuar me dy ditë ma të mira:festën e kurbanit(bajramit) dhe fitrit(fitër bajramit)”.Hadithin e transmenton Ahmedi, Ebu Davudi dhe Nesaiju.

Aisheja thotë:”I dërguari i Allahut më mbulonte me teshat e veta derisa i shiqoja abesinasit duke lozur në xhami, ashtu që unë lodhesha nga loja e tyre, për atë, keni parasyshë vajzën e re e cila don të zbavitet”.

Pasi kënga është lojë dhe zbavitje, atëherë themi se loja dhe zbavitja nuk janë të ndaluar, sepse njeriu nuk mund të durojë çdo herë të jetë serioz dhe i mrrolur.

I dërguari i Allahut, i tha Handhales, kur ky i fundit mendoi se ka kaluar në hipokrizi për shkak se u argëtua me gruan dhe fëmijët e vetë, ashtu që ndryshoi gjendja e tij në shtëpinë e vetë nga gjendja e tij kur ishte me të dërguarin e Allahut,:”O Handhale, këto janë momente jetësore”.Hadithin e transmenton Muslimi.

Ali ibn Ebu Talibi, thotë:relaksoni zemrat kohë pas kohe, sepse zemrat kur lodhen, verbohen.

Poashtu thotë:Zemrat lodhen, sikur që lodhet edhe trupi, për atë relaksoni me urtësi atraktive.

Ebu Derda thotë:Unë e relaksojë veten me pak zbavitje, që të jetë më e fortë për në të vërtetën.

Imam Gazaliju u është përgjigjur atyre që kanë thënë:Kënga është lojë dhe zbavitje, me fjalët:”Po, kënga është ashtu, por e gjithë bota është lojë dhe zbavitje…Argëtimi me gruan, i cilitdo lloj qoftë, është zbavitje, me përjashtim të marrëdhënieve intime të cilat janë shkak i lindjes së fëmijut.Po kështu, trajtohen edhe shakatë të cilat nuk teprohen dhe nuk ka gjëra të neveritura.Kjo është transmentuar prej të dërguarit të Allahut dhe prej sahabeve.

Çdo lojë e cila është ma tepër se sa ajo që kanë bërë abesinasit, është e lejuar konform teksteve juridike.Kjo, dhe unë them:Zbavitja është relaksim për zemrën, e lehtëson lodhjen e trurit, ndërkaq zemrat kur mundohen, verbohen, kurse relekasimi u ndihmon të jenë më serioze.Kështu, personi i cili vazhdimisht është në mendime, duhet të pushojë ditën e xhuma, sepse pushimi një ditor, të ndihmon për aktivitet permanent ditëve tjera, poashtu, ai i cili fal vazhdimisht namaze vullnetare, në disa kohë, duhet të pushojë, për këtë edhe në disa kohë, namazi është mekruh-jo i pëlqyer.Pushimi është ndihmesë për punë, zbavitja është ndihmesë për seriozitet, sepse serioziteti i vërtetë dhe e vërteta e pastër, mund të jetë epitet vetëm i shpirtërave të pejgamberëve, paqa e Zotit qoftë mbi ta,pra, zbavitja është bar i zemrës nga sëmundja e lodhjes, për këtë edhe duhet të jetë i lejuar, por nuk duhet të teprohet, sikur nuk duhet të teprohet me konsumimin e barnave.Zbavitja me këtë qëllim, shëndrohet në adhurim, e kjo vlen për ata të cilëve dëgjimi i këngës nuk u ngjall ndonji veti të lavdëruar që duhet të ngjallet, për atë atij i takon kënaqësia dhe relaksimi, për këtë edhe duhet t’i preferohet, me qëllim që të arrijë në qëllimin të cilin e përmendëm.Po, kjo flet për një shkallë më të ulët se sa përsosmëria kulminante, sepse njeri i kompletuar është ai i cili nuk ka nevojë ta relaksojë veten me gjëra të kota, por, veprat e mira të njerëzve të rëndomtë, janë mëkate të devotshmëve të veçantë.Ata që kanë njohuri për shërimin e zemrave, mënyrën e senzibilizimit të tyre dhe drejtimin e tyre në të vërtetën, pa mëdyshje e kupton se relaksimi i zemrave me gjëra të këtilla është bar i dobishëm pa të cilin nuk bën” ( 22 ) .

Fjalët e Gazaliut janë mjaft të rëndësishme, sepse flasin për natyrën reale të Islamit.

ATA QË MBAJNË QËNDRIMIN E LEJIMIT TË KËNGËS:

Këto ishin argumentet e mishëruara në tekstet dhe parimet Islame, të cilat e lejojnë këngën.Këto argumente janë të mjaftueshme për të konstatuar një dispozitë të tillë, edhe nëse nuk e mbështet këtë dispozitë asnji jurist islam, ndërkaq këtë qëndrim shumë nga sahabet, pasardhësit e tyre dhe juristë e dijetar islamë.

Mendoj se mjafton edhe fakti se është transmentuar prej disa dijetarëve të Medines, edhe përskaj devotshmërisë së tyre, shkollës juridike dhahirite, edhe përskaj asaj se i kanë kuptuar tekstet juridike bukvalisht, si dhe sufistëve, edhe përskaj asaj se nuk i kanë marrur parasyshë tolerimet, se kënga është e lejuar.

Imam Sheukani në veprën e tij “Nejlu-l-eutar” thotë:”Dijetarët e Medines si dhe bashkëmendimtarët e tyre prej ithtarëve të drejtimit dhahirit, si dhe disa nga sufistët, mendojnë se kënga tolerohet, bile edhe nëse është me fyell e kavall.Ebu Mensur El-Bagdadi, një jurist shafi’it, rrëfen në veprën e tij për dëgjimin, se Abdullah ibn Xhaferi nuk e shihte problem këndimin, ua lejonte vajzave që i kishte në shërbim të këndojnë dhe dëgjonte këngët e tyre.Kjo ishte në kohën e udhëheqësit të besimtarëve Aliut, Allahu qoftë i kënaqur me të.

Dijetari i përmendur, qëndrime të njejta rrëfeu edhe prej gjykatësit Shurejhit, Seid ibn El-Musejjibit, Ata ibn Ebu Rebahut, Zuhrijut dhe Sha’bijut”.

Imamu-l-Haremejni dhe Ibn Ebu Ed-Dunja, thonë:”Historianët e besueshëm kanë përcjellur se Abdullah ibn Zubejri ka patur disa rrobëresha të cilat i kanë rënë kavallit.Kur hyri te ai një herë djali i Omerit(Ibn Omeri), ndërkaq ai pranë vetit kishte një fyell, i tha:Çka është kjo o shok i të dërguarit të Allahut?!Ai ia dha fyellin, ndërkaq Ibn Omeri e mori, filloi ta shiqojë dhe tha:Kjo është peshojë e Shamit?Ibn Omeri ia ktheu:Me këtë peshohen mendjet!”.

Ebu Muhamed ibn Hazmi, në një traktat për dëgjimin, transmenton me zinxhirin e tij të transmentuesve deri te Ibn Sirini se ka thënë:”Një njeri erdhi te Ibn Omeri, dhe me veti kishte disa rrobëresha, ndërkaq njëra prej tyre këndonte.Erdhi një person i cili deshi të bëjë pazarllëk, por nuk i mbeti syri te asnjëra.Tha:Shko te një njeri, i cili është ma serioz për shitje se ky.Ai tha:Kush është ai? Ai tha:Abdullah ibn Xhaferi…Ai rrobëreshat ia ofroi atij, e ai e urdhëroi njërën nga rrobëreshat duke i thënë:Merre fyellin.Ajo e mori, këndoi, ai bëri pazarllëk, pastaj shkoi te Ibn Omeri…vazhdon rrëfimi”.

Autori i veprës “El-Ikdu-l-ferid”, dijetari i shquar Ebu Omer El-Endelusij, transmenton se Abdullah ibn Omeri hyri te Ibn Xhaferi, dhe te ai gjeti një rrobëreshë e cila në prehër mbante një fyell, pastaj i tha Ibn Omerit:A e sheh këtë problem?Tha:Nuk e shoh problematik.Maverdiju transmenton prej Muavijes dhe Amër ibn Asit se këta e dëgjuar fyellin te Ibn Xhaferi.Ebu-l-Ferexh El-Asbahani transmenton se Hasan bin Thabiti dëgjoi duke kënduar Izet El-Milai një nga poezitë e veta me fyell.

Po kështu, transmenton edhe Ebu-l-Abbas El-Muberred.

Edfeviju përmend se Omer ibn Abdu-l-Azizi i dëgjonte rrobëreshat e veta duke kënduar para se të bëhet kalif.Ibn Es-Sema’ni përmend se dhe Tavusi ka toelruar dëgjimin e këngëve, po këtë e transmenton Ibn Kutejbe dhe autori i veprës El-I’mtaë prej gjykatësit të Medines Sa’d ibn Ibrahim ibn Abdurrahman Ez-Zuhrijut, i cili i takon gjeneratës së tabi’inëve, pasardhësve të sahabeve.Këtë e përcjell edhe Ebu Ja’la El-Halili në veprën e tij “El-Irshad” prej Abdu-l-Aziz ibn Seleme El-Maxhishunit, muftiut të Medines.

Revejani rrëfen prej Kafalit se Malik ibn Enesi mban qëndrimin se lejohet kënga me muzikë-instrumente, poashtu, Ebu Mensur El-Furani transmenton se Maliku mendon se fyelli është i lejuar.Ebu Talib El-Mekij në veprën “Kutu-l-kulub”, transmenton prej Shu’ëbes se ka dëgjuar harpë në shtëpinë e hadithologut të njohur Minhal ibn Amrit.

Ebu-l-Fadël ibn Tahir, në veprën e tij për dëgjimin, rrëfen se nuk ka mospajtim në mes banorëve të Medines për lejimin e fyellit.

Ibn En-Nahviju, në veprën “El-Umde”, thotë:”Ibn Tahiri thotë:Ky është koncenzusi i banorëve të Medines.Ibn Tahiri thotë:Këtë qëndrim e mbajnë gjithë ithtarët e mendimit dhahirit.Edfeviju thotë:Transmentuesit nuk kanë mospajtime në atë se Ibrahim ibn Sa’di u ka rënë instrumenteve, ndërkaq prej tij kanë transmentuar gjithë koleksionuesit e njohur.

Maverdi përmend se disa nga dijetarët e shkollës juridike shafi’ite e lejojnë fyellin, këtë qëndrim e përmend Ebu-l-Fadël ibn Tahiri prej Ebu Is’hak Esh-Shirazit, poashtu Isneviju në veprën “El-Muhimat” përmend se ky është qëndrimi i Revejanit dhe Maverdit, Ibn En-Nahviju këtë e përcjell prej Ebu Mensurit, Ibn Mulekini e transmenton në veprën “El-Umde” prej Ibn Tahirit, El-Edfeviju e përcjell prej Izuddin ibn Abdusselamit, autori i veprës El-Imta’ë prej Ebu Bekër ibn Arabijut, dhe lejimin e konfirmon El-Edfeviju.

Gjithë të përmendurit, e mbështesin lejimin e dëgjimit të këngës me instrumente muzikore, pra lejojnë dëgjimin e muzikës, ndërkaq për sa i përket këngës pa instrumente, El-Edfeviju në veprën e tij “El-I’mtaë” thotë:Gazaliu në disa shkrime të veta rreth të drejtës islame, përmend se ekziston pëlqim për lejimin e këngës, ndërkaq Ibn Tahiri e përcjell koncenzusin e sahabeve dhe tabi’inëve për këtë gjë, poashtu Et-Taxh El-Fezari dhe Ibn Kutejbe e përcjellin koncenzusin e banorëve të Mekes dhe Medines për këtë si dhe Ibn Tahir dhe Ibn Kutejbe poashtu e përcjellin koncenzusin e banorëve të Medines për këtë gjë.Maverdiju thotë:Banorët e Hixhazit e lejonin këngën në ditët më të vlefshme të vitit, kur urdhërohet përmendja e Allahut dhe adhurimi.Ibn Nahviju në “El-Umde” thotë:Lejimi i këngës dhe dëgjimi i këngës,shtë përcjellur nga disa shokë të Pejgamberit s.a.v.s.(sahab) dhe pasardhës të tyre (tabi’in).Prej sahabeve janë:Omeri, sikur që transmenton Ibn Abdu-l-Berri dhe tjerët, Othmani, sikur që e përcjellin këtë Maverdiju, autori i veprës “El-Bejan” dhe Rafi’iju, Abdurrahman ibn Aufi, sikur që përcjell Ibn Ebu Shejbe, Ebu Ubejde ibn El-Xherah, sikur që përcjell Bejhekiju, Sa’d ibn Ebu Vekasi, sikur që përcjell Ibn Kutejbe, Ebu Mes’ud El-Ensariju, sikur që përcjell Bejhekiju, Bilali, Abdullah ibn El-Erkam, Usame ibn Zejd, sikur që përcjell Bejhekiju, Hamza, sikur që thuhet në sahihu-l-Buhari, Ibn Omeri, sikur që përcjell Ibn Tahiri, Bera ibn Maliku, sikur që përcjell Ebu Nuajmi, Abdullah ibn Xhaferi, sikur që përcjell Ibn Abdu-l-Berri, Abdullah ibn Zuberji, sikur që përcjell Ebu Talib El-Mekiju, Hasani, sikur që përcjell Ebu-l-Ferexh El-Esbahani, Abdullah ibn Amri, sikur që transmenton Ez-Zubejr ibn Bekari, Kirdhe bin Ka’b, sikur që përcjell Ibn Kutejbe, Havat bin Xhubejr dhe Rebah El-Mu’ëteref, sikur që i përmend këto autori i veprës El-Egani, Mugire ibn Shu’be, sikur që rrëfen Ebu Talib El-Mekij, Amër ibn El-As, sikur që rrëfen Maverdi, si dhe Aisheja e Er-Rubej’i, sikur që qëndron në koleksionin e saktë të Buhariut dhe koleksione tjera.

Prej tabi’inëve, këtë e mbështesnin Seid ibn El-Musejjib, Salim ibn Abdullah ibn Omer, Ibn Hassan, Harixhe ibn Zejd, gjykatësi Shurejhi, Seid ibn Xhubejri, Amir Esh-Sha’ëbiju, Abdullah ibn Ebu Atik, Ata ibn Ebu Rebah,Muhamed ibn Shihab Ez-Zuhri, Omer ibn Abdu-l-Aziz dhe Sa’d ibn Ibrahim Ez-Zuhrij.

Ndërkaq, për sa u përket gjeneratave që erdhën pas tabi’inëve, pra pasardhësve të shokëve të Pejgamberit, ata janë sa të duash, por do të veçonim katër imamët e mëdhej, Ibn Ujejnen dhe pjesën dërmuese të juristëve të shkollës juridike Shafi’ite”.Këtu mbarojnë fjalët e En-Nahvijut, kurse gjithë këtë e përmend Sheukani në veprën Nejlu-l-eutar, vëll.VIII, f.264-266.

RREGULLA DHE KUSHTE QË PATJETËR DUHET PËRFILLUR:

Mirëpo, nuk bën që kësaj fetvaje, mos i shtojmë disa rregulla, të cilat duhet të merren parasyshë gjithqysh, për dëgjimin e këngëve.



1-Në fillim të këtij shqyrtimi, potencuam se çdo këngë, nuk është e lejuar, por, patjetër përmbajtja e këngës të jetë kompatibile me normat dhe dispozitat islame.

Kështu, kënga, në të cilën thuhet:bota është cigare dhe gotë, bie ndesh me Islamin, i cili verën e bën punë të ndytë të djallit, e mallkon atë që e ngre gotën, atë që e shtrydh rrushin për verë, atë që e shet, atë që e mban, dhe çdo një që ndihmon aty me ndonji punë.Poashtu, edhe cigarja është një sëmundje e cila e dëmton trupin, shpirtin dhe pasurinë.

Këngët të cilat i lavdërojnë pushtetarët tiranë, mbrapshtanë dhe të prishur moralisht, të cilët ia sollën umetit gjitha këto të zeza, bien ndesh me Islamin, i cili i mallkon tiranët dhe ata që u ndihmojnë atyre, bile edhe ata që shuajnë e nuk i kundërshtojnë, e lene më ata që i lavdërojnë?!

Poashtu, këngët të cilat i lavdërojnë meshkujt dhe femrat e pa turpshme, janë në kundërshtim me rregullat e kësaj feje, e cila thirr në librin e vetë: '' Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit)…Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre…'' ( 23 ) , kurse i dërguari i Allahut, i thotë Aliut:”O Ali, mos i përcjell shiqimet njëri pas tjetrit, sepse ti ke të drejtë për shiqimin e parë, por jo edhe për të dytin”.

2-Poashtu, edhe mënyra e interpretimit e ka rëndësinë e vetë, sepse mund që përmbajta e këngës të jetë në rregull, mirëpo mënyra e intepretimit të këngës nga ana e këngëtarit apo këngëtares duke u thyer në fjalë, nxitja e epsheve me qëllim, ngjallja e epsheve dhe provokimi i zemrave të sëmura, këngët i transferon nga sfera e hallallit në atë të haramit, dyshimit apo urrejtjes, sikur që është rasti me këngët të cilat i kërkojnë dëgjuesit e teleshiquesit, e të cilat synojnë ta ngjallin vetëm një aspekt, atë të instinktit seksual, kalljen e epshit me të gjitha mënyrat, në veçanti realizimin e këtyre qëllimeve te të rijtë dhe të rejat.

Kur’ani u drejtohet grave të Pejgamberit s.a.v.s. duke u thënë:<<…Andaj, mos u llastoni në të folur e të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij…>>.E çka mund të thuhet, nëse krahas llastimit në fjalë gjindet edhe ritmi, melodia, kërcimi dhe nxitja?!

3-Nga ana tjetër, kënga nuk duhet të përzihet me diçka të ndaluar, si alkooli, zbulimi i femrave, përzierja e pa kontrolluar dhe provokative në mes burrave dhe grave, gjë që është e zakonshme në tubimet e muzikës dhe vallëzimit, që nga kohët më të hershme.Kjo pamje shkon ndërmend kur përmenden këngët, në veçanti këngët e rrobëreshave dhe grave.

Për këtë flet hadithi të cilin e transmenton Ibn Maxhe dhe tjerë:”Disa njerëz nga umeti im, do ta pijnë verën dhe do ta quajnë me emra tjerë, mbi kokat e tyre do të këndojnë muzikantë dhe këngëtare, Allahu do ta bëjë tokën t’i gëlltit dhe disa prej tyre do t’i shëndrrojë në majmuna dhe dera”.

Me këtë rast, dua të ve theks në një çështje mjaft të rëndësishme, gjegjësisht faktin se dëgjimi i këngëve, në kohët më të hershme, diktonte prezencën në vendet ku këndohet, përzierjen me këngëtarët dhe këngëtaret, ndërkaq vendet e këtilla, rrallë ndodhte të mos ndiqen nga gjëra që i injoron sheriati dhe i urren feja.

Ndërkaq sot, njeriu ka mundësi të dëgjohen këngët, duke qenë larg këngëtarëve dhe vendeve të muzikës.E pa dyshim, ky është një element që e lehtëson çështjen duke e afruar atë kah lejimi dhe lehtësimi.

4-Kjo dhe duhet patur parasyshë faktin se njeriu nuk është vetëm krijesë me pasione, ndërkaq pasionet nuk janë vetëm sinonim i dashurisë, ndërkaq dashuria nuk është e veçantë vetëm për gruan, kurse gruaja nuk është vetëm trup dhe epsh, e kurgjë tjetër.Për këtë, duhet ta paksojmë këtë hov të madh të këngëve pasionuese dhe provokative, por ne duhet që të bëjmë ndarje të drejtë të këngëve, programeve dhe gjithë jetës tonë, duhet të bëhet një harmonizim i drejtë në mes fesë dhe kësaj bote, poashtu, në këtë botë, duhet të bëhet balansim i drejtë në mes të drejtave të individit dhe të shoqërisë, poashtu edhe kur flitet për individin, duhet të realizohet një balans në mes mendjes dhe ndjenjave, ndërkaq edhe në sferën e ndjenjave njerëzore, duhet gjetur baraspeshë në mes të gjitha ndjenjave, dashurisë, urrejtjes, xhelozisë, euforisë, ndjenjave prindërore, vëllazërore, shoqërore, etj.Pra, çdo ndjenjë e ka hakun e vetë.

Ndërkaq teprimi dhe hiperbolizimi në theksimin e një pasioni të caktuar, bëhet në llogari të ndjenjave tjera, bëhet në llogari të mendjes, shpirtit dhe vullnetit të njeriut, në llogari të shoqërisë, veçorive dhe komponentëve përbërës të saj dhe në llogari të fesë, vlerave dhe instruksioneve të saj.

Kur dihet se feja e ka ndaluar teprimin në çdo gjë, bile edhe në ibadet-adhurim, atëherë çka mund të thuhet për teprimin në lojë e zbavitje dhe kalimin e gjithë kohës në zbavitje, edhe nëse një veprim i tillë është i lejuar?!

Veprimi i këtillë, është dëshmi e largimit të mendjes dhe zemrës nga detyrimet e mëdha, synimet madhore, poashtu, është dëshmi e nëpërkëmbjes së shumë obligimeve, të cilat është dashtë ta kenë hisen e vete në kohën e vlefshme të njeriut dhe jeta e tij e shkurtë.Shumë të sinqerta dhe thelbësore janë fjalët e Ibn Mukfiut:”Sa herë që kam parë teprim, kam parë pranë tij edhe një obligim të nëpërkëmbur”, kurse në hadith qëndron:”Njeriu i mençur anon pas tre gjërave:Të sigurojë jetesë normale, të furnizohet për jetën e amshueshme dhe ta kënaq epshin në mënyrë jo të ndaluar”.Për atë, duhet ta ndajmë kohën tonë drejt në mes këtyre tre gjërave, dhe duhet ta dijmë se Allahu xh.sh. do ta pyes çdo njërin për jetën e tij ku e ka kaluar dhe për rininë e tij ku e ka harxhuar?

5-Pas këtij sqarimi, mbeten shumë gjëra, të cilat duhet t’i gjykojë dhe shoshisë vetë dëgjuesi.Kështu, nëse kënga, apo një lloj i caktuar i këngëve, i ngjall epshet dhe e sfidon seksualisht duke e mbartur në mendime të ndryshme provokative duke e bërë që të dominojë ana shtazarake mbi atë shpirtërore, atëherë njeriu duhet t’i largohet këngës dhe t’i mbyll derët nëpër të cilat hynë era e sprovave për zemrën, fenë dhe moralin e tij.Në këtë mënyrë ai edhe vetë do të jetë i qetë, edhe tjerët do t’i len të qetë.

VËREJTJE PËR PA PËRGJEGJËSI NË NDALIMIN E GJËRAVE:

Këtë shqyrtim, do ta përfundojmë me disa fjalë të cilat ua drejtojmë dijetarëve të nderuar, të cilët e konsiderojnë të vogël fjalën “haram” dhe e përdorin lirshëm në fetvatë dhe shkrimet e tyre.Ata duhet të kenë droje nga Allahu në fjalët që i thonë, duhet ta kenë të qartë se fjala “haram” është e rrezikshme, kjo fjalë nënkupton ndëshkimin e Allahut për një vepër, ndërkaq, ndërkaq kjo nuk mund të konstatohet pa qenë shumë i sigurtë dhe në bazë të temperamentit të njeriut, nuk konstatohet në bazë të haditheve të dobëta e as për shkak një teksti që e gjejmë në një libër të vjetër, por kjo mësohet nga tekstet autentike dhe të qarta në argumentueshmëri si dhe koncenzusi i saktë dhe autoritativ.Përndryshe, sfera e faljes dhe lejimit, është e gjërë, ndërkaq në praktikën e gjeneratave të para (selefit), gjindet shembulli më i shkëlqyeshëm.

Imam Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë:Për mua ma rëndë është kur më pyesin për çështje të hallallit dhe haramit, sepse kjo nënkupton të gjykuarit për dispozitën e Allahut.Unë i kam arritur dijetarët dhe juristët e vendit tonë, shihja se kur pyeteshin për diçka, sikur e preferonin vdekjen, ndërkaq këta të kohës tonë, kanë qejf të flasin për fetva, e sikur të mendonin pak se nesër ku do të shkojnë, do ta pakësonin këtë.Omeri, Aliu dhe gjithë sahabët tjerë autoritativ, kur u parashtroheshin pyetje të ndryshme-ndërkaq ata janë brezi më i lavdëruar të cilëve u është dërguar Pejgamberi s.a.v.s.-i tubonin shokët e Pejgamberit s.a.v.s. dhe i pyetnin, dhe vetëm pastaj përgjigjeshin në pyetjet e tilla.Por, këta të kohës sonë, janë bërë krenar dhe në bazë të kësaj edhe u matet dija.Thotë:Nuk ka qenë traditë e atyre që ishin para nesh dhe të cilët ishin autoritet në shkencë dhe fe, që të thonë:Kjo është hallall dhe kjo është haram, por ata thonin:Unë e urrej këtë, mendoj kështu, sepse vlerësimet “hallall” dhe “haram” është shpifje ndaj Allahut.A nuk e keni dëgjuar ajetin: '' Thuaj:”Më thuani, atë që Allahu ju dha si ushqim (të lejuar), e ju nga ai diçka bëtë të ndaluar e diçka të lejuar?”Thuaj:”A ju lejoi Allahu ju, ose ju i shpifni Allahut?” ( 24 ) , sepse hallall është ajo që e ka lejuar Allahu dhe i dërguari i Tij, kurse haram, është ajo që e kanë ndaluar ata dy.

Imam Shafiju në veprën e tij “El-Umm”, përmend se imam Ebu Jusufi, nxënësi i Ebu Hanifes, ka thënë:”Dijetarët tanë të nderuar, nuk pëlqenin që gjatë dhënies së përgjigjeve të thonë:Kjo është hallall dhe kjo është haram, këtë e bënin vetëm për ato ajete Kur’anore që janë të qarta dhe nuk kanë nevojë për sqarim.

Na ka rrëfyer Ibn Saibi prej Rebi’ë ibn Hajthemit-i cili ka qenë prej tabi’inëve më të denjë- se ka thënë:Jini të kujdesshëm, mos thoni:Allahu e ka lejuar apo e ka pëlqyer këtë, e Allahu t’i thotë:Nuk e kam lejuar e as që e kam pëlqyer këtë.Poashtu, le të ketë kujdes e mos të thotë:Allahu e ka ndaluar këtë, e Allahu t’i thotë:Ke gënjyer, nuk e kam ndaluar këtë gjë!Disa nga nxënësit tanë na kanë rrëfyer prej Ibrahim En-Nehaijut se ai ka treguar se nxënësit e tij, kur pyeteshin apo ndaloheshin nga diçka, thonin:Kjo është e urrejtur, dhe kjo nuk paraqet problem.Ndërkaq të thonë:Kjo është hallall dhe kjo është haram, ishte shumë e rëndë”.

Këtë e përmendi gjykatësi Ebu Jusufi, ndërkaq fjalët e tij i transmentoi imam Shafiju i cili nuk i mohoi këto fjalë, por i miratoi.Ndërkaq imam Shafiju miratonte atë që e konsideronte të saktë.

Allahu xh.sh. thotë: '' Mos i thoni asaj rrenës së gjuhve tuaja:”Kjo është hallall e kjo është haram”, e të shpifni ndaj Allahut rrenën.Vërtet, ata që shpifnin rrenën ndaj Allahut, nuk kanë shpëtim '' ( 25 ) .

Shkëputje nga "Fetva bashkëkohore pjesa e dytë" të autorit Dr. Jusuf el Karadavit

Përktheu: Mr. Bashkim Aliu

-----------------------------------------------------

1. Kaptina El-Bekare, 29.

2. Kaptina El-En’am, 119.

3. Kaptina Merjem, 64.

4. Kaptina Llukman, 6.

5. Ibn Hazm, El-Muhal-la, vëll.IX, f.60.Botim i El-Munirijje.

6. Kaptina El-Kasas, 55.

7. Kaptina El-Kasas, 55.

8. Kaptina El-Furkan, 63.

9. Kaptina El-Bekare, 225, El-Maide, 89.

10. Ihjau ulumi-d-din, kapitulli i dëgjimit, f.1147, botim i Daru esh-sha’ëb, Egjipt.

11. Hadithin e transmenton Muslimi prej hadithit të Ebu Hurejres, kapitulli i bamirësisë dhe respektit të farefisit e rregullave, titulli:Ndalimi i padrejtësisë ndaj muslimanit.

12. Kaptina Junus, 32.

13. Hadithin e transmenton Buhariu dhe Muslimi prej hadithit të Omer ibn Hattabit.Ky është hadithi i parë në koleksionin e Buhariut.

14. El-Muhal-la, vëll.IX, f.60.

15. Konsulto:El-Mizan, Tehdhibu et-tehdhib.

16. Kaptina El-Xhumua, 11.

17. Kaptina En-Nisa, 160-161.

18. Kaptina El-A’raf, 157.

19. Kaptina El-Maide, 4.

20. Kaptina Junus, 59.

21. Kaptina El-En’am, 140.

22. Ihjau ulumi-d-din, kitabu es-sima’ë, f.1152,1153.

23. Kaptina En-Nur, 30,31.

24. Kaptina Junus, 59.

25. Kaptina En-Nahl, 116.

2 komente

  • selamualejkum te nderuar vellezer dhe motra dhe njeherit urime e perhajr ju qofte ky muaj i shenjte i Ramazani Allahu ua pranofte dhe cdo adhurim tjeter,dhe ua lehtesofte kete muaj, edhe une eperkrahi verejtjen e vellaut Ahmed ne lidhje me librat ne rubriken tuaj '' biblioteka islame..'' andaj me kujdes merni keto verejtje dhe dhe se mundet t'i bëni dëm shoqerise islame Allahu ju shperblefte dhe ju ndihmofte per mundin tuaj dhe suksese ne te ardhmen,pershendetje dhe selamualejkum.

  • E kam edhe nje verejtje, tek rubrika bibloteka islame, qe gjendet ne te majt, te nderuar shume libra duhen te largohen se ishin nga vehabistet, qe bien ne kundershtim me shkollat juridike e sidomios me medhhebi Hanefi, si shembull ishin libra te perkthyera nga neri nder kokat e VEHABISTEVE Bekir Halimi, gjithashtu edhe shtepia botuese NUN qe eshte kryekput VEHABIZEM. Te nderuar duhet te keni klujdes, une jam vizitor i rregull i faqes tuaj, mirpo keto gjera nuk me pelqejn aspak, selame.

  • Leave a Reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *

    *


    Captcha

    You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

    Scroll To Top

    Bashkim Bajraktari - Zbatimi i synetit obligim dhe vlerė

    Bashkim Bajraktari - Zbatimi i synetit obligim dhe vlerë