Indeksi -> Islam -->

Islami - feja e parė dhe e fundit

“Vërtet, kjo feja juaj është një fe e vetme, ndërsa Unë jam Zoti juaj ... !”(El Mu’minun: 52).

“Vërtet, kjo feja juaj është një fe e vetme, ndërsa Unë jam Zoti juaj ... !”(El Mu’minun: 52).

Mendimet e mia nuk u ndryshuan aq shumë pas pranimit të Islamit, ngase, gati po të njëjtat koncepte dhe parime (me disa përjashtime kuptohet) që i lashë në Bibël, i gjeta me paraqitje të shkëlqyeshme dhe plotësisht të kapshme-logjike në Kur’anin e Shenjtë. (Rozhe Garodi)

Islami është emërues i përbashkët i të gjitha porosive hyjnore dhe feve të shpallura nga Zoti që pejgamberët ia kumtuan njerëzve në kohëra të ndryshme. Të gjithë të dërguarit e Zotit që nga njeriu i parë e deri te Muhammedi a.s. sollën të njëjtin mesazh. Prandaj Ademi, Nuhu, Ibrahimi, Musai dhe Isai, sipas Kur’anit ishin muslimanë.

Zoti u dërgoi lajmëtarë popujve të shumtë, duke i përçuar atyre të njëjtat udhëzime hyjnore. Por me kalimin e kohës njerëzit i ndryshuan ato mësime hyjnore. Hebrenjtë dhe të krishterët e vonshëm i modifikuan dhe i shtrembëruan librat dhe mësimet e Mojsiut/Musait dhe të Jezusit/Isait, që rezultuan me Judaizmin dhe Krishterizmin çfarë i njohim sot.

Mu për këtë çdo pejgamber pasardhës është dërguar nga Zoti që të vërtetoj shpalljen e mëparshme dhe të largoj shtesat dhe devijimet që i ishin bërë asaj si dhe ta plotësoj atë në aspektin ligjor. Me këtë mision u dërgua edhe pejgamberi i fundit, Muhammedi a.s. me Kur’anin fisnik: “Ky Kur’an nuk është i tillë që të mund të bëhej prej dikujt tjetër veç Allahut. Përkundrazi, ai është vërtetues i shpalljeve të mëparshme dhe shpjegues i Ligjit (për njerëzit) dhe, pa dyshim, është zbritur nga Zoti i botëve!” (Junus: 37).

Mesazhi i Islamit që solli Muhammedi a.s. ishte i njëjtë me mesazhin që sollën të gjithë pejgamberët e Zotit dhe ndryshimet kanë ndodhur për shkak se mesazhet e mëparshme të pejgamberëve janë deformuar. Si rrjedhim, sikurse shkruan intelektuali i madh gjerman Murad Hofmann, Islamin nuk duhet kuptuar si fe e re në raport me hebraizmin dhe krishterimin, por si formësim përfundimtar të monoteizmit të Ademit, Nuhut e Ibrahimit.

Nga kjo kuptojmë se Islami qysh prej fillimit të njerëzimit ka ekzistuar në këtë formë. Ai nuk është paraqitur vetëm me ardhjen e Muhammedit a.s.: “Muhammedi është vetëm i Dërguar, para të cilit ka pasur edhe të dërguar të tjerë...” (Ali Imran: 144).

Prandaj, Muhammedi a.s nuk është themeluesi i fesë islame, edhe pse ai e ripërtëriu në fazën e fundit të saj. Islami është vazhdimësi e natyrshme e shpalljeve hyjnore, dhe versioni final e i përkryer i fesë së Zotit. Kjo do të thotë se themeluesi i vërtetë i Islamit është Zoti, andaj Islami nuk e mori emrin sipas një njeriu sikurse krishterizmi apo sipas një populli sikurse Judaizmi, sepse ai është transcendental dhe atemporal.

Mu për këtë ai nuk mund të quhet muhamedanizëm sepse ai nuk është emërtuar sipas një qenieje të vdekshme dhe as nuk është një “izëm” i ri, që i shtohet hinduizmit, budizmit, judaizmit, krishterizmit, marksizmit etj. Muslimanët nuk e konsiderojnë Muhammedin a.s. në të njëjtën mënyrë sikurse që i trajtojnë hindusët, budistët, të krishterët, hebrenjtë, etj. udhëheqësit e tyre.

Fjala arabe islam do të thotë “të dorëzohesh dhe të nënshtrohesh.”. Kurse në terminologjinë fetare ajo do të thotë “dorëzim ndaj vullnetit të Zotit dhe nënshtrim urdhrave të Tij”.

Porosia qenësore e Islamit që nga Ademi deri te Muhammedi a.s ka qenë:

1. Njëshmëria e Zotit (tevhid), që do të thotë se Zoti është Një dhe vetëm Ai meriton të adhurohet dhe ti tregohet bindje dhe dëgjueshmëri;

2. Urdhërimi i njerëzve nga ana e pejgambereve që të punojnë vepra të mira e të dobishme dhe të shmangen nga veprat e dëmshme dhe të ndaluara, në përputhje me Ligjin e Zotit, dhe;

3. Të besuarit në botën metafizike/gajbijate, si në Ditën e Fundit/ringjallje, melaike, dhënien e llogarisë, në xhehennem, xhennet etj.

Muslimani fenë e sheh në kuptimin e ngushtë dhe të gjerë. Islami në kuptimin më të gjerë shpjegon se ai ndodhet në natyrën e gjërave dhe se çdo gjë i nënshtrohet Zotit. Në kuptimin e ngushtë do të thotë se të gjithë pejgamberët sollën një fe. “Dhe Ne nuk kemi dërguar kurrë ndonjë lajmëtar para teje që të mos i kemi bërë shpallje, duke i thënë, ‘Nuk ka zot veç Meje, kështu që më adhuroni Mua.” (El Enbija: 25). Kurse në kuptimin akoma më specifik, nënkupton fenë që solli Muhammedi a.s. dhe që njihet me emrin “Islam”.

Pra, Islami është feja e kamotshme, feja e njëshmërisë së Krijuesit të pohuar nga të gjithë 124 mijë pejgamberët përgjatë gjithë historisë. Prandaj çdo fe e shpallur nga Zoti është një nga format e Islamit, ashtu si është njëshmëria e Krijuesit mesazhi i gjithë pejgamberëve. Të gjithë ata erdhën për të dëshmuar njëshmërinë e Zotit dhe feja e tyre ishte Islami, feja e vetme universale dhe e vërtetë, që është shpallur nga Zoti dhe që pranohet prej Tij.

Për pasojë, në qoftë se dikush e refuzon fenë e Zotit, Islamin “që është nënshtrim” i shpallur për të gjithë pejgamberët dhe ndjek në vend të tij fe të sajuara apo të shtrembëruara nga njerëzit, Zoti nuk do t’ia pranojë atij atë fe. Të gjithë të dërguarit i janë nënshtruar vullnetit të Zotit, dhe të gjithë ata ishin muslimanë. Po ashtu të gjithë ata që pasuan fetë e sjella nga të dërguarit e Zotit që nga Ademi a.s. deri tek Muhammedi a.s. ishin muslimanë. Njëshmëria e Allahut dhe bindja vetëm ndaj Atij ishte thelbi i porosisë së lajmëtarëve të zgjedhur nga Zoti, prandaj muslimani i pranon të gjithë pejgamberët pa asnjë përjashtim.

Muslimanët besojnë se adhurimi dhe dorëzimi i tyre ndaj Zotit është i natyrshëm dhe në harmoni me të gjitha krijesat tjera të universit që shpalosin lavdinë ndaj Krijuesit të tyre dhe e madhërojnë Atë.: “Atij i përulen gjithçka në qiej e në tokë” (Al Imran: 83).

Pra e gjithë bota fizike i përulet Zotit dhe i nënshtrohet ligjeve të Tij, që do të thotë ndodhet në Islam, apo është botë muslimane. Dallimi mes krijesave të tjera dhe njeriut është se ato nuk kanë zgjedhje të veten prandaj janë të nënshtruara detyrimisht, kurse njeriu me vullnetin e tij të lirë mund ti nënshtrohet apo të mos i nënshtrohet Krijuesit, pra mund të jetë apo të mos jetë musliman.

Islami nuk solli diçka të re por erdhi, sikurse shkruan Sejid Nasër, për të ripohuar të vërtetën e tevhidit, që ka qenë gjithmonë. Ai është kthim në zotimin (mithakun) e ndërmarrë mes njeriut dhe Allahut, përmes së cilit njeriut i është dhënë jo vetëm funksioni i të qenurit shërbëtor i Allahut por edhe mëkëmbës i tij mbi tokë.

Ajni Sinani

0 komente

No Comments!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*


Captcha

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Scroll To Top



Egoja çon drejt ndarjes dhe konfliktit familjar Bashkim Bajraktari

Egoja ēon drejt ndarjes dhe konfliktit familjar Bashkim Bajraktari

Egoja çon drejt ndarjes dhe konfliktit familjar