Imam Ebu Hanifeh r. a.
El-Fikhul-Ekber
Imam Ebu Hanifeh r. a.
Përkthimi dhe komenti: Nexhat S. Ibrahimi
Në emër të All-llahut, Të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
[Baza e tewhidit dhe e asaj mbi të cilën ngritet besimi i vërtetë][1]
Esenca e tewhidit[2] (monoteizmit) dhe e asaj mbi të cilën ngritet besimi i mirëfilltë është detyrimi i shqiptimit:
- Unë besoj në Allahun,
- Në engjëjt e Tij,
- Në librat e Tij,
- Në të dërguarit e Tij dhe;
- Në ringjalljen pas vdekjes.
- Dhe (besoj se) se caktimi (kader) i të mirës dhe të keqes është nga Allahu i madhëruar. (Besoj se) llogaria, matësja e veprave (mizan), xhenneti dhe xhehennemi, që të gjitha janë të vërteta.[3]
[Allahu i lartësuar është Një]
(Besoj se) Allahu i madhëruar është Një, jo në kuptim të numrit[4], por në kuptim se me Atë nuk rival[5]. Thuaj: Ai, Allahu është Një! Allahu është Ai, që çdo krijesë i drejtohet (i mbështetet) për çdo nevojë. As ska lindur kë, as nuk është i lindur. Dhe Atij askush nuk i është i barabartë.
اَ Atij nuk i përngjason asgjë, prej gjërave të cilat Ai i krijoi[6], as nuk i përngjason Ai ndonjë sendi të cilën Ai e ka krijuar.[7] Ai (Zoti) ekziston dhe gjithnjë do të ekzistojë me emrat e Vet dhe me cilësitë e Tij qenësore dhe vepruese.[8]
[Cilësitë qenësore dhe vepruese (të Allahut)]
Sa u përket cilësive qenësore (dhatijjeh), ato janë: jeta, fuqia, dituria, të folurit, të dëgjuarit, të pamurit dhe vullneti.[9]
Cilësitë vepruese (filijjeh) janë: krijimi, furnizimi, sendërtimi, ekzekutimi (aplikimi), sajimi dhe cilësitë e tjera vepruese[10].
Ai ekziston dhe gjithnjë do të ekzistojë me emrat e Vet dhe cilësitë e Tij; as emri, as atributi i Tij nuk është i krijuar.
Ai është i dijshmi i amshueshëm dhe kjo dije është cilësi e Tij e amshueshme.
Ai është i fuqishëm me fuqinë e Tij dhe kjo fuqi është cilësi e Tij e amshueshme.
Ai është Folës i amshueshëm me të folurit e Tij dhe ky të folur është cilësi e Tij e amshueshme.
Ai është Krijues i amshueshëm me krijimin e Tij dhe ky krijim është cilësi e Tij e amshueshme.[11]
Ai është Bërës (Sajues) i amshueshëm me bërjen e Tij dhe kjo bërje është cilësi e Tij e amshueshme. Ai që bën është Allahu i madhëruar, kurse bërja është cilësi e Tij e amshueshme. Objekti i bërjes është i krijuar, kurse bërja e Allahut nuk është e krijuar.
Cilësitë e Tij janë të amshueshme; nuk janë të bëra, as të krijuara. Ai, i cili thotë se cilësitë e Allahut janë krijuara, apo janë bërë (sajuar), apo hamendet, apo dyshon në to, i tilli nuk beson në Zotin e madhëruar. [12]
[Kurani është të folurit e përhershëm të Allahut xh.sh.]
Kurani është të folurit e Allahut të madhëruar. Është i shkruar në mus`hafë, i ruajtur në zemra, i lexuar me gjuhë dhe i shpallur Pejgamberit, mëshira dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Shqiptimi ynë i Kuranit është i krijuar, shkrimi dhe leximi ynë i Kuranit është i krijuar, ndërkaq (vetë) Kurani (si të folur i Zotit) nuk është i krijuar.[13]
Dhe atë që ka përmendur Allahu, në Kuran, për Musain dhe për të dërguarit e tjerë, shpëtimi i Allahut qoftë mbi ta, pastaj rrëfimi për Faraonin, për Iblisin, të gjitha këto janë të folurit e Allahut si lajmërim për ta. Të folurit e Allahut nuk është i krijuar, ndërsa të folurit e të dërguarit Musa dhe të tjerëve është i krijuar. Kurani është të folurit e Allahut të madhëruar dhe është i amshueshëm për dallim nga të folurit e tyre.
Musai a.s. ka dëgjuar të folurit e Allahut të madhëruar, siç ceket në fjalët e Krijuesit të Madhëruar: E Allahu ka folur me Musain me fjalë. (En-Nisa`, 164). Allahu i madhëruar është Folës edhe pa ekzistimin e të folurit me Musain a.s.. Allahu është Krijues i amshueshëm edhe para krijimit të krijesave.
Kur Allahu i madhëruar i ka folur Musait, i ka folur me të folurit e Vet, i cili është Cilësi e Tij e amshueshme.
Edhe të gjitha cilësitë e Tij, janë ndryshe nga cilësitë e krijesave.
Ai di jo sikur që ne dimë; Ai është i gjithëfuqishëm, jo sikur që ne jemi të fuqishëm; Ai sheh jo sikur që ne shohim; Ai dëgjon jo sikur që ne dëgjojmë; Ai flet jo sikur që ne flasim. Ne flasim me anë të organeve të të folurit dhe të toneve, kurse Allahu i madhëruar flet pa organe dhe pa tone. Tingujt janë të krijuar, kurse të folurit e Allahut nuk është i krijuar.[14]
[Allahu është Diç jo si sendet e tjera]
Ai është Diç (Qenie)[15], por jo si gjësendet e tjera. Diç tregon Atë, që ekziton sigurisht pa trup (bila xhism), pa substancë (we la xhewher), pa formë (aksidencë)[16], pa kufizim (we la hadd), pa kundërthënshmëri (we la didd), pa partnerë (we la nidde)[17] dhe pa fizionomi (we la mithle).[18]
Ai (Allahu) ka dorën e vet, fytyrën e vet dhe personalitetin (nefs) e vet, siç e thekson këtë Allahu i lartëmadhëruar në Kuran. Atë që e ka përmendur Allahu në Kuran, mbi Fytyrën, Dorën dhe Personalitetin, janë cilësitë e Tij, për ne, të pakuptueshme (bila kejfe). Nuk mund të thuhet: dora e Tij është fuqia e Tij apo begatia e Tij, sepse kjo paraqet anulimin e cilësisë, siç e pohojnë këtë kaderitët dhe mutezilitët. Por, dora e Tij është cilësia e Tij, pa modalitetin si. Hidhërimi i Tij dhe kënaqësia e Tij, janë dy cilësi, prej cilësive të Tij, pa modalitetin si.[19]
[Allahu i krijoi sendet nga hiçi]
Allahu i madhëruar i krijoi sendet nga hiçi. Ai është njohësi i amshueshëm i gjërave, para ekzistimit të tyre (në ezel). Ai, çdo gjëje, ia ka përcaktuar fatin (kaddere) dhe caktimin (kada) ia ka matur. Nuk ka asgjë në këtë botë dhe as në botën tjetër, përveçse me vullnetin (meshietun) e Tij, diturinë (ilm) e Tij, caktimin (kada) e Tij, përcaktimin (kader) e Tij dhe shënimin (ketbun) në Tabelën sekrete (Lewhi mahfudh). Por ky shënim (në Tabelën sekrete) është i natyrës përshkruese (regjistruese) (wasf), e jo urdhëruese (hukm).[20]
[Caktimi (kada`) dhe përcaktimi (kader)]
Caktimi (kada`) dhe përcaktimi (kader)[21] dhe vullneti (meshi`etu) janë cilësitë e Tij të amshueshme pa (modalitetin) si. Allahu i madhëruar e di joekzistuesen (el-madum) në gjendjen e saj të joekzistimit si joekzistuese dhe Ai e di se si do të jetë kur ta sjellë atë në ekzistencë. Allahu i madhëruar e di ekzistuesen në gjendjen e saj të ekzistimit si ekzistuese dhe Ai e di si do të jetë shkatërrimi i saj. [22] Allahu e di atë që qëndron në gjendjen e tij qëndruese, si qëndrues, kurse kur ulet e di në gjendjen e tij të uljes, si ulës, duke mos u ndërruar dija e Tij, apo duke iu shtuar dije Atij. Ndërkaq, ndërrimi dhe ndryshimi i gjendjeve manifestohen tek krijesat.[23]
[Përgjegjësia e njeriut pason pas udhëzimit hyjnor]
Allahu i madhëruar i krijoi krijesat pa mosbesim (el-kufr) dhe pa besim (el-iman), e pastaj iu është drejtuar me urdhëresat dhe ndalesat e Tij[24]. Ai, i cili nuk beson (në Allahun), nuk beson sipas veprimit (zgjedhjes) të tij, mohimit të tij dhe kontestimit të tij me lënien (hidhlan) e Allahut të atij pa ndihmën (tewfik) e Vet.[25] E kush beson, beson sipas veprimit/zgjedhjes së tij, dëshmimit të tij dhe vërtetimit të tij, me udhëzimin dhe ndihmën e Allahut ndaj tij.
[Arsyeja si tipar i njeriut dhe besimi si prirje e lindur]
Ai (Allahu) i nxori pasardhësit e Ademit nga përmbajtja e tij[26], në formë të grimcës, duke i bërë ata pronarë të arsyes, pastaj iu është drejtuar duke i urdhëruar (që Ta besojnë), dhe duke ua ndaluar (të mohojnë), dhe ata ia pranuan Atij Hyjninë. Ky akt i tyre është besim i natyrshëm.[27] Njerëzit lindin me këtë natyrë, dhe ai i cili mohon pranimin e parë (të imanit), pas këtij akti, ai e ndërron këtë (vullnetarisht) dhe e ndryshon. Ai, i cili ka besuar dhe e dëshmon këtë, ai vetëm e ka konfirmuar (pranimin e parë) dhe ka mbetur në këtë i palëkundur.[28]
[Allahu nuk e ka detyruar askënd]
Ai (Allahu) nuk e ka detyruar asnjë krijesë të Tij në mosbesim ose në besim. Nuk i krijoi ata as besimtarë, as mosbesimtarë, por i krijoi individë të pavarur. Imani (besimi) dhe kufri (mosbesimi) janë veprim i njerëzve.
Allahu i madhëruar e di atë që nuk beson, në gjendjen e mosbesimit të tij si mosbesimtar, kurse kur beson pas kësaj, Ai e di atë si besimtar në gjendjen e besimit të tij, pa ndërrimin e dijes dhe të cilësive të Tij.[29]
[Aftësia krijuese njerëzore ]
Të gjitha punët e njerëzve, si lëvizja dhe heshtja (mosveprimi), janë fitim i mirëfilltë i njerëzve[30], kurse Allahu është krijues i tyre.[31] Të gjitha ato ndodhin sipas vullnetit, diturisë, caktimit (kada) dhe përcaktimit (kader) të Tij.
Të gjitha detyrat fetare janë të obligueshme me urdhërin e Allahut, me dashurinë, kënaqësinë, dijen, vullnetin, caktimin (kada) dhe përcaktimin (kader) e Tij.
Të gjitha veprat e këqia (el-me`asi) ndodhin sipas dijes, caktimit, përcaktimit dhe vullnetit, pa dashurinë, kënaqësinë dhe urdhërin e Tij.[32]
[Pejgamberët e Zotit janë të ruajtur nga mëkatet]
Të gjithë të dërguarit e Allahut, bekimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi ta, kanë qenë të ruajtur prej mëkateve të vogla dhe të mëdha, si edhe prej veprave të mosbesimit dhe veprave të shëmtuara. Dhe ka pasur lëshime dhe gabime nga disa prej tyre. [33]
[Vërtetimi i pejgamberisë së Muhammedit alejhis-selam]
Muhammedi, i Dërguari s.a.v.s., është ferrëfyesi, robi, i dërguari dhe i zgjedhuri i Tij,[34] dhe (ai, Muhammedi a.s.) asnjëherë nuk ka adhuruar kurrfarë idhulli, dhe për asnjë çast nuk i ka përshkruar Allahut rival dhe nuk ka bërë kurrë as mëkat të vogël dhe as të madh.[35]
[Radhitja e halifëve sipas vlerës]
Njerëzit më të vlefshëm, pas të Dërguarit a.s., janë Ebu Bekr Es-Siddiku, pastaj Umer ibn El-Hattabi, pastaj Uthman ibn Affani, pastaj Alij ibn Ebi Talibi, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë. Ata, të gjithë, ishin adhurues të sinqertë,[36] në rrugën e drejtë dhe ne i respektojmë dhe i duam të gjithë ata. Dhe sahabët (shokët e Pejgamberit a.s.) nuk i përmendim përveçse për të mirë.[37]
[Mëkati i madh nuk e privon besimtarin nga besimi]
Asnjë muslimani nuk ia mohojmë besimin e tij, për shkak të ndonjë mëkati të bërë, qoftë ai (mëkat) edhe i madh, nëse ai atë (mëkat) nuk e mendon të lejueshëm. Ne asnjë besimtari nuk ia mohojmë besimin e tij dhe vazhdojmë ta quajmë atë vërtetësisht besimtar. Ka mundësi që ai të jetë besimtar mëkatar (mumin fasik), por kurrsesi jobesimtar (kafir).[38]
[Mes`hi mbi mestve, namazi i teravisë dhe falja e namazit pas mëkatarit]
Meshi (fërkimi me dorë të lagët) mbi mestve është sunnet.[39]
Edhe namazi i teravisë në netët e muajit të ramazanit është sunnet.
Të falurit e namazit pas çdo muslimani, të devotshëm apo mëkatar, është i lejueshëm. [40]
[Besimtari dhe mëkatari do të vlerësohen saktë]
Nuk pohojmë se mëkatet nuk e dëmtojnë besimtarin, dhe se ai nuk do të hyjë në zjarr (xhehenem); dhe nuk pohojmë se ai do të qëndrojë në të përgjithmonë, qoftë ai edhe mëkatar (i madh, fasik), nëse nga kjo botë ndahet si besimtar.
Nuk pohojmë se veprat tona të mira do të pranohen sigurisht, as që veprat tona të këqia do të falen, sikurse e pohojnë këtë murxhitët.[41] Por pohojmë se kush vepron punë të mirë, me të gjitha kushtet e punës së mirë, të pastër nga të metat e vogla dhe kuptimet mohuese, dhe nuk e shkatërron atë me mosbesim, para se të transferohet nga kjo botë (dhe vdes si besimtar), Allahu i madhëruar nuk do tia humbasë atë vepër[42], por do tia pranojë dhe do ta shpërblejë për te. [43]
Nuk ka asnjë vepër të keqe (sejjiat) (për besimtarin), përveç të bërit rival (shirk) Zotit dhe mosbesimit (kufr), për të cilën edhe nëse nuk pendohet për atë para vdekjes dhe vdes si besimtar, ai është në vullnetin e Allahut: nëse dëshiron do ta dënojë atë, e nëse dëshiron do ta falë atë dhe nuk do ta dënojë përgjithmonë në zjarr. [44]
Kur në një vepër të gjendet shtirja (hipokrizia), ajo do ta anulojë shpërblimin[45] për atë vepër. Kjo vlen edhe për vetëpëlqimin (uxhb).[46]
[Muxhizet e pejgamberëve dhe kerametet e evlijave janë të vërteta]
Shenjat (ajetet, muxhizet)[47] e konfirmuara te pejgamberët dhe kerametet te evlijatë janë të vërteta.[48]
Sa u përket atyre (mrekullive) që manifestohen tek armiqtë e Tij, sikurse janë: Iblisi, Faraoni dhe Dexhalli, siç transmetohet në thënie (hadithe) se ata kanë patur, ne ato nuk i emërojmë me emrin ajete (muxhize) dhe as keramete (dhuratë speciale).
Ne këto i emërojmë përmbushje të dëshirave të tyre, sepse Allahu i madhëruar i plotëson dëshirat e armiqve duke i sprovuar ata dhe duke i ndëshkuar[49] ashtu që ata të ngashënjuar ta rrisin mosdëgjimin, ose mosbesimin e tyre. Dhe e tërë kjo është e lejueshme dhe e mundshme.
[Allahu është Krijues dhe Furnizues]
Allahu i madhëruar ka qenë Krijues (Halik) para se të krijojë dhe Furnizues (Rrazik) para se të furnizojë.[50]
[Të pamurit e Allahut në Botën tjetër pa (modalitetin) si]
Allahu i madhëruar do të shihet në Botën tjetër (ahiret). Besimtarët do ta shohin në xhenet pa përngjasim (bi la teshbihin) dhe pa hyrë në cilësi (ve la kejfijjetin) dhe pa sasi (we la kemmijjetin).[51] Ndërmjet Tij dhe krijesave nuk do të ketë distancë.[52]
[Imani është deklarim dhe besim]
Imani është deklarimi me gjuhë dhe besimi me zemër[53].
[Imani nuk zmadhohet as nuk zvogëlohet]
Imani i banorëve të qiellit[55] dhe të tokës[56] nuk zmadhohet as nuk zvogëlohet.[57]
Besimtarët janë të barabartë në besim dhe në monoteizëm (manifestimin e njësisë së Zotit), kurse epërsitë janë në veprim.
Islami është dorëzim dhe përkushtim (lojalitet) ndaj urdhërave të Allahut të madhëruar. Gjuhësisht ekziston dallim ndërmjet imanit dhe islamit, por nuk ka iman pa islam, dhe as islam pa iman. Këto të dyja janë të lidhura njëra me tjetrën, sikurse jashtësia (shpina) me brendësinë (barkun).[58]
Fjala din (fe) është emër, i cili përdoret për imanin dhe islamin dhe për të gjitha sheriatet (ligjet).[59]
[Njohja e Allahut si e ka përcaktuar vetë Ai]
Allahun e madhëruar e kemi njohur me njohje të vërtetë, si e ka përshkruar Ai veten (në Kuran) me të gjitha cilësitë e Tij. Askush nuk ka mundësi ta adhurojë përsosmërisht Allahun e madhëruar në mënyrën, e cila është e denjë për Të. Por, ai e adhuron Atë, sipas urdhërit të Tij (siç e ka urdhëruar atë në Kuran dhe si e ka urdhëruar atë i dërguari i Tij me sunnetin e tij).[60]
Të gjithë besimtarët janë të barabartë në njohje, bindje, besnikëri, dashuri, kënaqësi, frikërespekt, shpresë dhe besim. Në tërë këto, në çdo gjë, mund të arrijnë epërsi, përveçse në iman.[61]
[Shpërblimi dhe ndëshkimi]
Allahu i madhëruar është i Mëshirshëm dhe i Drejtë kundrejt robërve të Tij.
Robit të Tij ia shumëfishon shpërblimin nga ajo të cilën e meriton, prej mirësisë së Tij.[62]
Ndërsa për mëkate ndëshkon sipas drejtësisë, por edhe për (të këqiat[63]) fal me mirësinë e Tij.[64]
[Ndërmjetësimi (shefaati)]
Ndërmjetësimi (shefaati) i pejgamberëve të Zotit dhe ndërmjetësimi i Pejgamberit tonë alejhisselam për pasuesit e tij mëkatarë, sidomos për ata, të cilët kanë bërë mëkate të rënda (dhe që i kanë merituar dënimet), është e vërtetë (e konfirmuar).[65]
[Matja e veprave në Botën tjetër, burimi, zhdëmtimi, xhenneti dhe xhehennemi]
Matja e veprave (el-mizan) (të njerëzve) në Ditën e gjykimit, në matësen e Mizanit është e vërtetë.[66]
Marrja e zhdëmtimit (kisas) ndërmjet kundërshtarëve në Ditën e gjykimit është e vërtetë. Nëse ata (dëmtuesit) nuk kanë punë të mira, atëherë atyre do tu shpërndahen veprat e këqia (të të dëmtuarëve), kjo është e lejuar dhe e vërtetë.[67]
Burimi (el-hawd) i Pejgamberit a.s. është e vërtetë. [68]
[Xhenneti dhe xhehennemi janë të krijuar aktualisht, përkundër pikëpamjes të mutezilitëve]
Xhenneti dhe xhehennemi janë të krijuar aktualisht dhe kurrë nuk do të shkatërrohen. [69]
(Virgjëreshat e xhennetit (el-hûrul-în) kurrë nuk do të vdesin.[70])
Dhe ndëshkimi i Allahut, dhe as shpërblimi i Tij nuk do të zhduken kurrë.[71]
[Allahu udhëzon dhe lë në lajthim]
Allahu e udhëzon në rrugë të drejtë kë të dëshirojë me mirësinë e Tij, kurse e lë në humbje kë të dëshirojë sipas drejtësisë së Tij.[72] Të lënit në humbje të dikujt (nga Ai) është ndërprerja e ndihmës së Tij për atë. Fjala el-hidhlan tregon se njeriu nuk është i udhëzuar në atë çka Allahu e çmon, e kjo është nga drejtësia e Tij. Rast i ngjashëm është me ndëshkimin e të braktisurit (el-mahdhul), i cili i është lënë mundësisë së të gabuarit. [73]
Dhe nuk themi: Djalli e ka rrëmbyer imanin prej njeriut besimtar me dhunë dhe me detyrim, por themi se kur njeriu e braktis besimin dhe pasi e lë atë, atëherë djalli e rrëmben atë prej tij.[74]
Sprovimi në jetën e pasvdekjes]
Pyetjet e Munkirit dhe Nekirit në jetën e pasvdekjes (varr) janë të vërteta.[75]
Kthimi i shpirtit (ruh) te njeriu (në trup gjatë qëndrimit) në varr është e vërtetë.[76]
Shtrëngimi i varrit është i vërtetë. Edhe vuajtja[77] nga ai është i vërtetë, për të gjithë jobesimtarët dhe për disa muslimanë (mëkatarë) është e vërtetë.[78]
[Cilat cilësi të Zotit mund të ceken në gjuhën persishte]
Tërë atë që dijetarët e theksuan në gjuhën persishte nga cilësitë e Allahut të madhëruar, të lavdëruar qofshin emrat ë Tij dhe të lartësuara qofshin cilësitë ë Tij, është e lejuar që ti përdorim në të folur përveç dorës (el-jedd) në gjuhën persiane. Lejohet të thuhet Ruji Hoda (rujé khodâ[79]) (Fytyra, Qenia, Qenësia e Allahut), por kjo është pa ngjashmëri me çkado dhe pa (modalitetin) si.[80]
[Kuptimi i afërsisë dhe i largësisë së Allahut me krijesat e Tij]
Afërsia apo largësia e Allahut nuk është në kuptimin e gjatësisë apo të shkurtësisë së distancës hapësinore[81], por në kuptim të nderimit dhe nënçmimit. Besimtari i bindur është i afërt me Allahun, pa cilësinë e njohur mbi afërsinë, kurse njeriu jo i bindur është larg Allahut, pa cilësinë e njohur mbi largësinë. Afërsia, largësia dhe afrimi ka mundësi të bëjë me njeriun që lutet, por po ashtu edhe me fqinjësinë e Tij në xhennet dhe me qëndrimin para Tij, pa hyrë në cilësi.[82]
[Barabarësia e ajeteve kuranore]
Kur`ani i është shpallur Pejgamberit a.s. dhe ai është shkruar në mus`haf. Ajetet kur`anore, në kuptim të të folurit, janë të barabartë në pikëpamje të vlerës dhe të madhërisë, përveçse disa prej tyre kanë vlerë sipas lëndës së vet dhe vlerë për shkak të karakteristikës së përmbajtjes, si për shembull, ajetul-kursijj, pasi që në të përmendet Allahu i madhëruar, madhëria e Tij, cilësitë e Tij. Në këtë ajet bashkohen dy vlera: vlera e përmendjes /dhikrit dhe vlera e Atij që përmendet në të. Kurse në ajetet në të cilat bëhen rrëfimet mbi jobesimtarët, është vetëm vlera e përmendjes, por jo edhe vlera e atyre, pabesimtarëve që përmenden në to (el-medhkur).
Po ashtu, të gjithë emrat dhe cilësitë e Zotit janë të barabartë sipas vlerës dhe madhërisë së vet dhe midis tyre nuk ka kundërthënie.[83]
[Prindërit dhe axha i Muhammedit a.s.]
Prindërit e të Dërguarit a.s. kanë vdekur në mosbesim (kufr); kurse i Dërguari a.s. ka vdekur me besim.[84] Edhe Ebu Talibi, axha i tij, ka vdekur mosbesimtar.[85]
[Fëmijët e Muhammedit a.s.]
Kasimi, Tahiri dhe Ibrahimi janë djemtë e të Dërguarit të Zotit, kurse Fatimja, Rukajja, Zejnebja dhe Ummi Kulthumi janë të gjitha vajzat e të Dërguarit a.s., Allahu qoftë i kënaqur me ta.[86]
[Kërkimi i besimit të vërtetë rreth disa paqartësive në shkencën e besimit]
Nëse njeriu përballet me paqartësi në ndonjërën prej hollësive nga shkenca e besimit (ilmut-tewhid[87]), ai duhet të besojë detyrimisht, ashtu si është e drejtë tek Allahu i Madhëruar, derisa nuk e gjen një dijetar, të cilin do ta pyeste për çështjen në fjalë. Nuk lejohet vonimi i kërkimit (rreth asaj paqartësie), hezitimi në atë gjendje nuk është i justifikueshëm dhe (vazhdimi i) të qëndruarit në atë gjendje është mosbesim.[88]
[Lajmi për Miraxhin është i vërtetë]
Lajmi për Miraxhin është i vërtetë. Kush e refuzon këtë, ai është novator (dhe) i lajthitur[89]
[Sunneti për parashenjat e shkatërrimit të botës]
Edhe paraqitja e Dexhallit, Jexhuxhit dhe Mexhuxhit, lindja e Diellit nga Perëndimi, zbritja e Isait alejhis-selam nga qielli dhe parashenjat e tjera të Ditës së Gjykimit, siç transmetohet në hadithet autentike, është e vërtetë që do të ndodhë.[90]
Allahu i madhëruar e përudh në rrugë të drejtë kë të dëshirojë! [91]
--------------------------------------------------------------------------------
[1] Nëntitujt nuk janë pjesë të origjinalit, por të përkthyesit, me qëllim të qartësimit të tekstit, andaj janë futur brenda kllapave [- ]. Po ashtu, në ndarjen e nëntitujve, nuk i jemi përmbajtur asnjë modeli të deritashëm, në arabisht apo në anglisht.
[2] Tewhid do të thotë monoteizëm. Disa njerëz e përkthejnë tewhidin e Allahut si Njësia e Zotit. Ky përkthim është i gabuar në mënyrë të rrezikshme, i cili mund të çojë drejt blasfemisë. Tewhidi kërkon të njohurit e Krijuesit me atributet e Tij të përkryera, që tregojnë Unitetshmërinë dhe Njëjtësinë e Tij absolute. Vëmë re se Imam Ebu Hanifeh r.a. e përmend tewhidin islam si një(sh), duke pasqyruar mendimin e muslimanëve të hershëm të drejtë. Kjo i refuzon novatorët e dëmshëm, të cilët paraqitën një koncept të ri filozofik të të qenit të tewhidit tre llojësh (rububijjeh, uluhijjeh dhe esma` wes-sifat). Një klasifikim i tillë nuk është përmendur kurrë në Kuran, as nuk është mësuar apo përmendur prej Pejgamberit a.s., gjatë gjithë jetës së tij, as ndokush prej ehli bejtit apo prej sahabul-kiram, nuk e ka përmendur kurrë atë, apo ndokush prej numrit të madh të tabiinëve, apo tebei tabiinëve. Thënë thjesht, risia e re e tre tewhidëve në vend të një-rit është një filozofi e re, e panevojshme dhe e metë. Çdokush duhet të bëjë përpjekjet më të mira, për tiu përmbajtur me vendosmëri tewhidit të pastër, si në Kuran dhe sunetin autentik, dhe të refuzojë novatorizmat e bëra prej njerëzve të gabueshëm. Sipas: Al-Fiqh Al-Akbar, (The Great Fiqh), by Al-Imam Al-Adham Abu Hanifah (R.A.), përkthimin dhe komentin në gjuhën angleze prej: Muhammad bin Yahya Ninowy: Sipas: http://www.ummah.net/Al_adaab/aqeedah/fiqh_al_akbar.html.
Shih edhe komentin rreth fjalës tewhid: Muhammed Abduhu, Risale et-Tewhid Rasprava o islamskom monoteizmu, Sarajevë, 1989, fq. 18-41.
Shprehja tewhid, sipas Xhafer Idris, dijetar nga Sudani, nxirret nga fjala wahid apo ehad, që d.m.th. një. Shprehja tewhid përmban tri pikëpamje:
1. Pranon faktin se vetëm Zoti krijon, furnizon dhe e mban botën. Këtë fakt e pranojnë muslimanët dhe të tjerët.
2. Zoti përmban cilësitë që janë unikale për llojin e Tij, cilësi që nuk janë të ngjashme me askënd dhe me asgjë.
3. Vetëm Zoti meriton adhurim. (Ziauddin Sardar & Merryl Wyn Davies, Faces of Islam, Kuala Lumpur, 1989, në: Glasnik Vrhovnog islamskog starjesinstva, Sarajevë, 3/1990, fq. 55 e tutje.
[3] Këtu Imami Ebu Hanifeh i është shmangur theksimit të dëshmisë për ekzistimin e Allahut. Ekzistimi i Allahut është mbjellë në natyrën e pastër, në të cilën njerëzit linden, kurse pejgamberët janë dërguar vetëm tua shpjegojnë njerëzve tevhidin. Për këtë arsye, të gjithë ata kanë ftuar njerëzit të dëshmojnë se nuk ka hyjni tjetër pos Zotit me çka edhe hyhet në fe e jo të dëshmojnë se Allahu ekziston. Allahu xh.sh. thotë: Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: Nuk ka zot tjetër përveç Meje, pra më adhuroni. El-Enbija (21), 25. Et-Taftazanij, Sherhul-akaidin-nesefijjeh, Bejrut, pa vit botimi.
Ebu Hanife mendon se imani përbëhet prej dy komponentëve kryesore dhe se bartësi i imanit duhet ti ketë këto dy komponentë në çdo çast të jetës së tij.
El-Eshariu mendon se ringjallja e krijesave është e mundshme dhe për këtë sjellë prova nga Kurani (Sureja 36: 78-79 dhe 80, por edhe prova logjike. Shih: El-Esharij, Kitabul-luma, op. cit., fq. 30-31.
[4] Ebu Hanifeh qorton se nuk është korrekte që Allahu të kuptohet në kuptim të numrit një (1), sepse edhe ky numër mund të ndahet në dy gjysma, në dhjetëshe, qindëshe ... M. Omerdic, Allahova dz. s. jednoca, Islamska Misao, nr. 17/1980, Sarajevë, fq. 21. (Meqë autori M. Omerdiq përmendet shumë herë gjatë këtij komenti, në vazhdim nuk do të përmendet çdoherë dhe lexuesi duhet ta ketë këtë parasysh. NI).
El-Esharij lidhur me njësinë e Zotit pohon se sundimi i dy zotave nuk mund të jetë harmonike dhe efikase, sepse në këtë rast paaftësia do ti përshkruhej medoemos njërit, apo të dyve .. El-Esharij, Kitabul-luma, op. cit., fq. 29.
M. Mahmud këtë çështje e shtron: Allahu është Një, përkatësisht, nuk ndahet, nuk copëtohet, nuk mund të bëhet diç, ose pjesë, nuk ka kundërshtar, as rival ... Plotësia, mangësia dhe rritja nuk janë karakteristika të Tij. Ai nuk i nënshtrohet analizës e sintezës, ndarjes dhe bashkimit. Ai është Një në qenien e vet. Kjo do të thotë se Ai nuk copëtohet në vete, nuk është në kundërshtim dhe nuk kundërshtohet, por tek Ai kundërshtitë takohen në një unitet të atillë të përkryer, ku nuk ka kontrast, as konflikt. Sipas: Mustafa Mahmud, Allahu xh. sh., botimi II, Prizren, 2000/1421, fq. 9.
[5] Es-Samed paraqet emrin e superioritetit të Allahut të madhëruar, që do të thotë, I Vetmi që nuk ka nevojë për asgjë nga askush, por gjithkush ka nevojë për Të për gjithçka. Sipas: Al-Fqh Al-Akbar (The Great Fiqh, By Al-Imam Al-Adham Abu Hanifah (R.A.) (80-150H.), Comments and translation by Muhammad bin Yahya Ninowy, http://www.ummah.net/Al_adaab/aqeedah/fiqh_al_akbar.html.
[6] Shih: Esh-Shura, 11.
[7] El-Eshariu pohon se Nëse Zoti do të ishte i ngjashëm me krjesat, atëherë Ai medoemos do të duhej të krijohej, sikur edhe të gjitha krijesat e tjera. . Sipas: Abu Al-Hasan Al-Ashari, Kitabul-luma (Thelbi i polemikës), përkthimi boshnjakisht, Sarajevë, 1421 h./2000, fq. 28.
[8] Këto cilësi quhen es-sifatul-fi`lijjeh d.m.th. ato cilësi, manifestimi i të cilave ka të bëjë me krijesat. Këto cilësi janë objekt mospajtimi mes dijetarëve të ilmul-kelamit. Theksohen përkufizimet vijuese për dallimin e cilësive të qenies, nga ato të veprimit (es-sifatudh-dhatijjeh ves-sifatul-fi`lijjeh).
a) Te mu`tezilitët është tërë ajo që është e mundur të bëhet ose të mos bëhet nga cilësitë e veprimit. Thuhet p.sh. i krijoi filanit e filanit fëmijë, ndërsa tjetrit jo, ose e furnizoi Zejdin me pasuri, kurse Amrin jo, etj. E ajo që nuk pranon mohim është prej cilësive të qenies, si p.sh.: Dija dhe Fuqia. Nuk thuhet për Allahun nuk ka ditur ose nuk ka mundur. Vullneti dhe Të Folurit janë dy cilësi, mbi të cilat aplikohet trajta mohuese. Allahu xh.sh. thotë: Allahu dëshiron tua lehtësojë dhe nuk dëshiron tua vështirësojë dhe Allahu me të folur i ka folur Musait dhe Allahu nuk do tu flasë në Ditën e gjykimit. Sipas tyre, Vullneti dhe Të Folurit, janë cilësi të veprimit, të cilat janë krijuar dhe nuk janë të përhershme.
b) Tek esh`aritët është ajo, mohimi i të cilës medoemos tërheq konstituimin e kundërshtisë nga cilësitë e qenies. Nëse do ta mohonte jetën, kjo do të thoshte të vënurit e vdekjes, ose nëse do ta mohonte Fuqinë, kjo do të thoshte të vënurit e pafuqisë, diturinë të paditurisë etj.. Ajo, mohimi i të cilës nuk tërheq vënien e kundërshtisë, është prej cilësive të veprimit. Nëse do ta mohonte ringjalljen, ose vdekjen, ose krijimin, ose furnizimin, kjo nuk do të tërhiqte me vete kundërshtitë e këtyre veprimeve. Për dallim, prej përkufizimit paraprak, nëse do të mohohej Vullneti, kjo do ta tërhiqte detyrimin, e nëse do ta mohonte Të Folurit, kjo do ta tërhiqte heshtjen, që është e papranueshme dhe se, së këndejmi, këto dy cilësi numërohen në cilësitë e qenies dhe për këtë arsye nuk janë të krijuara, por janë të përhershme. Gjerësisht: El-Esharij, Kitabul-luma, op. cit., fq. 29.
c) Përkufizimi te maturiditët është se e tërë ajo me të cilën përshkruhet Allahu, ndërkohë që nuk lejohet të përshkruhet me të kundërtën e saj, është prej cilësive të qenies, sikur Fuqia dhe Dija. Et-Taftazanij, Sherhul-akaiduun-nesefijjeh, op. cit..
[9] Cilësitë substantive të Krijuesit, El-Eshariu i trajton themeltësisht, me dallim që të folurit dhe vullnetin e Tij, i trajton më gjerësisht. Kitabul-luma, op. cit., fq. 34 etj.
[10] Të gjitha cilësitë e veprimit, reduktohen nën një cilësi, e cila quhen Et-Tekwin, e cila nuk është e krijuar. Ky është qëndrimi i shkollës maturidite, i cili përcillet nga paraprakët, të cilët kanë jetuar para Ebul-Hasan El-Eshariut. Kështu fjalët e Ebu Xhafer Et-Tahaviut: Ai ka pasur cilësinë e Krijuesit, para asaj të cilën e sundon dhe Ai ka qenë Krijues, para të krijuarës duhet të kuptohen në këtë kuptim. Allahu xh..sh. është Krijues sipas qëndrimit unanim, e kjo është pa cilësitë e krijimit dhe shpartallimit (et-tekvin), e pamundur sikur që është e pamundur të dijë pa cilësinë e dijes. Më tej është e domosdoshme që kjo cilësi të jetë e përhershme prej pafillimësisë, sepse është e pamundur që veprat e krijuara dhe ndryshimet të ndodhin në Qenien Hyjnore. Emërtimi i kësaj cilësie dallon sipas dallimit të gjurmëve të veprimit të tij. etj. Shih: Et-Taftazani, Sherhul-mekasid, sipas: Krahaso: http://www.islam.co.ba/aktuelno/index.php?subaction=ostalo&id=1070833816
[11] Zoti krijon jo nga nevoja, por për krijesat, sepse po të krijonte nga nevoja, kjo do të nënkuptonte plotësimin e mungesave e të metave, cilësi këto të papranueshme për Krijuesin Absolut. Vehbi Gavoçi, op. cit., fq. 53.
[12] Vehbi Gavoçi pohon se Cilësitë e Zotit i besojmë në mbështetje të faktit se ato janë përmendur në Kuran dhe se logjika e shëndoshë i pranon si të tilla. Op. cit., fq. 43.
Njeriu i përngjason Krijuesit me dallim që cilësitë e Zotit janë përherë dhe ngaherë, kurse të njeriut janë të krijuara dhe të kufizuara në kohë dhe hapësirë. El-Esharij, Kitabul-luma, op. cit., fq. 50 dhe fusnota 79.
[13] Vehbi Gavoçi, duke komentuar Akaidin e Tahaviut pohon se gërmat, fjalët, shkrimi, shtypja e Kuranit, ngjyra me të cilën është shkruar dhe letra në të cilën është shkruar, - që të gjitha, janë të krjuara, por Kurani vetë nuk është i krijuar. Op. cit., fq. 92.
[14] Imam Maturidiu pohon se Kurani është të folurit e Allahut, shkronjat dhe tingujt janë të krijuar, por nuk themi se të folurit është gjendje (hal) në Mushaf, e që kjo të na shpierë deri te konstatimi mbi ndarjen, sepse ajo që është e njohur, është e njohur sipas dëshirës së Zotit, . Imam Maturidiu, op. cit., fq. 53.
[15] Allahu xh. sh. është diç, send (shejun), d.m.th. ekziston me Qenien e Tij dhe me cilësitë e Tij, përveç që nuk ngjason me asnjë send tjetër, sepse Asnjë send nuk është si Ai . Esh-Shura (42), 11. Fjala send, në gjuhë, përdoret si object, për shembull në fjalët e Allahut f.l.: Allahu ka pushtet mbi çdo gjë dhe në këtë kuptim nuk lejohet ti përshkruhet Allahut. Kjo fjalë përdoret edhe si subjekt, sikurse në fjalët: Cili send ka dëshminë më të madhe? Thuaj: Allahu është dëshmues mes meje e jush. El-Enam (6), 19. Mul-la Ali El-Kari, Sherhul-fikh el-ekber, Darun-Nefais, Bejrut, 1417 h./ 1997, fq. 89.
[16] Këtu theksohen shprehjet e ilmul-kelamit xhewher dhe a`rad. Dijetarët thonë se bota, me të gjitha pjesët e saj, është e krijuar dhe ndahet në materie dhe aksidente. Materia është ajo që ekziston vetvetiu, kurse dijetarët, me ekzistimin nga vetvetiu, nënkuptojnë zënien e hapësirës pa atë që këtë zënie të hapësirës ta përcjellë zënia e hapësirës nga ndonjë send tjetër. Materia përbëhet prej dy pjesëve e më tepër, dhe ky është trup el-xhism, ose mund të jetë e thjeshtë, që quhet el-xhewher. Xhewheri është pjesë, e cila nuk mund të ndahet atomi. Nga ana tjetër, ajo që nuk mund të ekzistojë vetvetiu, por varet nga diçka tjetër dhe e përcjell në zënien e hapësirës, apo është në raport me ndonjë raport të gjërave dhe të atributit të saj, quhet aksidencë, el-a`rad. Aksidenca lind në materie dhe prezanton shenjat e saj. Shembulli i aksidencës është ngjyra, shija, aroma etj. Sa`duddin Taftazanij, Sherhul-akaidin-nesefijjeh. Shih: www.islam.co.ba.
[17] Shih: El-Bekare, 22.
[18] Mul-la Ali El-Kari, Sherhul-fikh el-ekber, op. cit., fq. 89-90.
[19] Mos`hyrja në cilësi (kualitet), domethënë vendimi se dija për domethënien e vërtetë të fjalës së Zotit tefvid, i përket Allahut dhe ky është qëndrimi dhe metoda e paraprijësve të mirë. Imami Ebu Hanifeh, në traktatin e tij El-Vasijjet, thotë: "Ne e konfirmojmë se Allahu mbi Arsh është lartësuar pa pasur nevojë për Arshin. Sikur Ai të kishte nevojë për Arshin dhe uljen në të, ku ishte atëherë para se ta krijonte Arshin? Ai është i lartësuar dhe i pavarur nga kjo. Janë të shkëlqyeshme fjalët e Imam Malikut, kur është pyetur për këtë: Ngritja është e njohur, cilësia e saj është e panjohur, pyetja për këtë çështje është risi, kurse të besohet në këtë është detyrim. Mul-la Alij ibn Sultan Muhammed El-Kari, Sherhul-fikhil-ekber, botimi I, Darun-nefa`is, Bejrut, 1417 h./1997, fq. 92-96.
Meqë nuk është e mundur të kuptohen këto shprehje në domethënien e tyre tekstuale, si organe trupore, zënia e hapësirës dhe gjendjet shpirtërore, për shkak të dëshmive kategorike që i mbrojnë këto, kurse njëkohësisht nuk është i lejuar mohimi i bazës së shprehjeve, për shkak të pamundësisë së arritjes së thelbit të përshkrimit, kuptohen si domethënie figurative të cilësive pa hyrë në cilësi. Besohet edhe në atë, që erdhi në ajete dhe hadithet e vërtetuara duke e miratuar tenzihun mohimin e asaj në çka tregon gabimisht domethënia teksuale, sikurse që është cilësia, zënia e hapësirës dhe gjendjet shpirtërore. Besohet në këtë, edhe pse nuk dihen hollësitë e kësaj. Prej Kemaluddin Bejadi (vdiq 1098 h./1687), Isharatul-meram min ibaratil-imam, Kairo, 1368 h./21 prill 1949, sipas: M. Omerdic.
[20] Imam Nesefiu, op. cit., fq. 16-18. Imam Maturidiu, op. cit., fq. 61.
Vullneti i Allahut është ai që krijon çka të dëshirojë dhe punon çka të dëshirojë. Shih ajetet kuranore: En-Nisa, 27, El-Bekareh, 185, Ta Ha, 110, El-Enam, 103 etj. Shih: Z. Adilovic, op. cit., fq. 84-85.
Lewhi mahfudh (Tabela, pllaka sekrete e ruajtur mirë), e përmendur në Kuran, sureja 85, 22. Shih: Nerkez Smailagić, Leksikon islama, Sarajevë, 1990, fq. 359. Po ashtu: Xhemil Saliba, El-Muxhemul-felsefijj, II, Bejrut, 1994/14145 h.., fq. 293-294.
[21] Shprehjet e përdorura el-kada wel-kader janë përkthyer si caktim (kada`) dhe përcaktim (kader). Dijetarët theksojnë përkufizime të ndryshme të këtyre shprehjeve, kurse njëra prej tyre është se shprehja e parë el-kada d.m.th. përgjithësisht caktim, ndërsa shprehja el-kader d.m.th. caktim më i hollësishëm. Mul-la Ali El-Kari, op. cit., fq. 100 e tutje.
Shprehja el-kada d.m.th. dija e Allahut Fuqiplotë që nga përjetësia (ezeli) për të gjitha gjërat se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, ndërsa shprehja el-kader d.m.th. ka për qëllim realizimin e atyre gjërave në akte dhe ajo në përputhje me dijen e përjetshme të Allahut, që është e lidhur me ato gjëra. El-Buti, op. cit., fq. 150 e tutje.
[22] Tahaviu pohon: Vullneti i Tij është mbi të gjitha vullnetet. Sipas: Z. Adilovic, op. cit., fq. 250-251.
[23] Tahaviu mendon se njerëzve iu takon realizimi i tyre d.m.th. e veprave, me vullnetin e tyre të pjesërishëm, për çarsye ata shpërblehen, apo ndëshkohen.
[24] Zoti i krijoi krijesat të tilla, që të mund të bëjnë edhe mirë edhe keq. Shih: Et-Tegabun, 2.
[25] Shprehjet hidhlan përkthehet si lënie, braktisje në kuptim të mosdhënies së udhëzimeve dhe prokurimit, furnizimit dhe tewfik përkthehet si ndihmë në kuptimin e dhënies së udhëzimit. Shih: Mul-la Ali El-Kari, op. cit., fq. 108.
Për fitren (natyrën e pastër, kongjenitale) në Islam konsulto veprën mjaft analitike dhe informative: Muhammed Jasin, Priroda covjeka u islamu, Sarajevë, 2003/1424 h..
[26] Fjalëpërfjalshëm: min sulbihi - nga kryqet e tij. Mul-la Alij El-Kari, op. cit., fq. 109.
[27] Ebu Hanifeh zhvilloi teorinë e lirisë së plotë të zgjedhjes ndërmjet besimit dhe mosbesimit. Kjo tregon se njeriu është i lirë të besojë, të ketë prirje, simpati për besim apo për mosbesim. Pranimi i njeriut (El-Araf, 172) nuk do të thotë edhe pranim i plotë, apo besim.
Mutezilitët kanë mendim të kundërt me Ebu Hanifen.
Mosaftësia e të kuptuarit të Allahut, nuk është provë e të ekzistuarit të Tij. Ebu Bekri r.a. ka thenë: El-`Axhzu `an derekil-idraki idrakun, që d.mt.h.: Pafuqia e njohjes së esencës së Zotit është njohja e Tij. Përkthim i lirë, sipas: Mehmed Handzić, Izabrana djela, VI, op. cit., fq. 369.
[28] Mendohet në kontratën e njohur, për të cilën flitet në Kur`an, në suren El-A`raf (7), 172: Përkujto kur Zoti Yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri dëshmues të vetes së tyre (duke u thënë): A nuk jam Zoti juaj? Ata thanë: Po, dëshmuam! Të mos thoni në Ditën e Kijametit: Ne nga ky (dëshmim) ishim të panjohur.
Imam Tahaviu pohon se kontrata, përkatësisht besa që është marrë nga Zoti xh. sh., prej Ademit dhe pasardhësve të tij, është e vërtetë, kurse Vehbi Gavoçi pohon se nuk e dimë konkretisht se çfarë ka qenë fjala e dhënë prej Ademit dhe fëmijëve të tij, prej njerëzve sa të jetë kjo jetë. E besojmë atë besë, po nuk e dimë se si është marrë ajo besë, a fjalë, nga të gjithë njerëzit. Vehbi Gavoçi, op. cit., fq. 78.
[29] Ebu Hanifeh konsiderohet nismëtar dhe themelues i teorisë së fitimit dhe arritjes. Ebu Hanifeh njeriun e sheh plotësisht të lirë, por kjo liri është në pajtim me vullnetin e Zotit dhe në dijen e Tij të amshueshme. Zoti e ka krijuar njeriun dhe veprat, kurse njeriu zgjedh dhe përzgjedh çka do të veprojë, mirë apo keq. Këtu qëndron edhe vetëfitimi, vetëarritja e shpërblimit apo ndëshkimit.
Shih mendimin e dijetarit të madh boshnjak: Mehmed Handzic, Izabrana djela, VI, op. cit., fq.371 e tutje.
[30] Vehbi Gavoçi pohon se njeriu ka liri për të zgjedhur punët që do të bëjë, me vullnet, por jo në çështje të natyrës, prandaj njeriu do të merret në pyetje pse nuk është falur por nuk do të merret në pyetje pse ka nevojë për ushqim, pse do të hajë, pse është i bardhë a i zi . Op. cit., 130.
[31] Shih: Err-Rrad, 16.
[32] Shih: Ez-Zumer, 7.
Në fitimin, arritjen e tij, njeriu mund të bëhet besimtar, por mund edhe ta refuzojë besimin. Ai e bën këtë lirisht.
Mëkatet nuk mund ta nxjerrin njeriun nga besimi, sikurse që disa veprime fetare nuk mund ta bëjnë mosbesimtarin besimtar, sepse, sipas Ebu Hanifes, veprat nuk janë edhe vetë imani.
Xhehm ibn Safwan mendon se njeriu nuk ka pjesëmarrje në fitim. Njeriu është i detyruar me vullnetin e lartë të punojë diç, sikur dridhja e dorës së sëmurë, dridhja e syrit, të rrahurit e zemrës, rrjedha e ujit, fryrja e erës.
Shih: Mul-la Ali El-Kari, op. cit., fq. 119-125.
[33] Imam Maturidiu pohon se pejgamberët nuk kanë bërë mëkate të mëdha. Por, pohon ai prej gabimeve të vogla nuk kanë qenë të ruajtur. Imam Maturidiu, op. cit., fq. 86 dhe 87.
Gabimet e vogla të disa pejgamberëve, dijetarët i kanë quajtur si rrëshqitje (lapsus) dhe, për to, Krijuesi ka dhënë shenjë menjëherë. Shih: Bekir Topaloglu, Yusuf Sevki Yavuz, Ilyas Çelebi, në: Bazat e besimit islam, Prishtinë, 2002, fq. 144.
Mehmed Hanxhiq, duke analizuar cilësitë e pejgamberëve, pohon se pejgamberët duhet pa tjetër të jenë të ruajtur edhe para edhe pas pejgamberisë nga ajo që kundërshton fenë (kufri), për shembull, nuk bën ti luten idhujve, të mohojnë Zotin etj., qoftë kjo edhe para pejgamberisë. Pas pejgamberisë, pejgamberët duhet të jenë të ruajtur nga të gjitha mëkatet. Mehmed Handzic, Izabrana djela, VI, op. cit., fq. 383.
Përndryshe, pejgamberët e Zotit janë njerëz të rëndomtë: ushqehen, flenë, martohen, mund të jenë të varfër, të pasur, të sëmurë, të harrojnë, vdesin dhe të gjitha cilësitë e tjera që i përkasin njeriut.
El-Buti pohon se meqë gjynahet ndryshojnë për nga rreziku, gjynahu më i rrezikshëm është kufri për të konstatuar se pejgamberët janë të pagabueshëm, të mbrojtur nga kufri, si para pejgamberisë ashtu edhe pas saj, dhe për këtë ka ixhma.
Por, sa i përket gabimeve të vogla, dijetarët i ndajnë mendimet. El-Buti pohon se mundësia e ixhtihadit nuk hyn aspak në grupin e gjynaheve. Shih gjerësisht: El-Buti, op. cit., fq. 196 e tutje.
[34] Muhammedi a.s. është imam i të devotshmëve, sepse është i dërguar që ti nxjerrë njerëzit nga mosbesimi dhe të mënjanojë çdo send, që largon nga kënaqësia e Zotit xh. sh. Në disa hadithe, Muhammedi a.s. për veten thotë:
Nuk ka pejgamber pas meje. Buhariu.
Unë jam më i devotshmi ndaj Zotit xh.sh. Buhariu.
Unë jam zotnia i pejgamberëve në jetën e ardhshme. Tirmidhiu. Sipas: Vehbi Gavoçi, op. cit., fq. 64-65.
[35] Pagabueshmëria e pejgamberëve dhe e Pejgamberit a.s., në dorëzimin e porosisë dhe zbatimin e misionit të besuar hyjnor, është çështje rreth së cilës shkencëtarët janë pajtuar qysh herët. Njëherë kur pejgamberët të zgjidhen për detyrë, thirrja pejgamberike dhe zbatimi i detyrave të besuara nuk bartin me vete kurrfarë kompensimi nga kjo botë. Puna e tyre është pasojë e domosdoshme e shpalljes së këtillë hyjnore. Sikur edhe të gjithë njerëzit, pejgamberët në çështje botërore mund të gabojnë, por virtyti i tyre është në çështjen që Zoti ua tërheq vërejtjen, i qorton ata dhe ua përmirëson gabimin atyre.
Do ti cekim dy shembuj, ku Allahu e qorton Muhammedin a.s.:
Shembulli i parë:
Mos nxito me gjuhë (deri sa i përsërit fjalët e Shpalljes), sepse, me të vërtetë, Ne e kemi për detyrë tubimin (në zemrën tënde) dhe ta lexojmë atë ty (ashtu si duhet); e kur ta lexojmë atë ty, ti përcille me të dëgjuar leximin e tij (me tërë shpirtin tënd). E pastaj është obligimi Ynë që ta shkoqisim atë. (El-Kijameh, 16-19).
Për ta kuptuar më plotë këtë fragment parentetik kuranor (ajetet 16-19) duhet të kemi parasysh edhe ajetin 114, të sures Ta Ha: Ti mos nxito me Kuranin para se të përfundojë shpallja e tij te ti, . Kjo vërejtje i është bërë Muhammedit a.s., por edhe tërë besimtarëve. Shih: Muhammed Asad, Poruka Kurana, Sarajevë, 1425 h./2004, fq. 476 dhe 932.
Shembulli i dytë:
Ai vrenjti fytyrën dhe u kthye, ngase atij i erdhi i verbëri. Abese, 1-2.
Komentatorët thonë se një ditë, sipas transmetimeve autentike, Muhammedi a.s. ishte i thelluar në bisedë me disa krerë mekas, duke shpresuar ti bindë ata dhe nëpërmjet tyre të ndikojë edhe te banorët e tjerë. Mirëpo, në këto çaste, Muhammedit a.s. iu afrua një pauses i tij, i verbëti Abdullah ibn Shurejh, i njohur sipas emrit të gjyshes së tij Ibn Umm Mektum, me lutje që ti sqarojë disa ajete kuranore. I shqetësuar me këtë ndërprerje, Muhammedi a.s. u mërrol dhe u kthye nga i verbëri. Menjëherë u shpallën dhjetë ajetet e para të sures Abese, si qortim. Pas shumë vitesh, Muhammedi a.s. e përshëndeti Ibn Umm Mektum: Merhaben bi men `âtebenî fîhî rabbî që d.m.th.: Mirësevjen ti, për shkak të të cilit Krijuesi im më ka qortuar. Sipas: Muhammed Asad, Poruka Kurana, Sarajevë, 1425 h./2004, fq. 951. Krahaso: Shejh Muhammed El-Gazali, Tematski tefsir kuranskih sura, Sarajevë, 1424 h./2003, fq. 697-698.
El-Buti pohon se gabimi i Pejgamberit gjatë ixhtihadit nuk quhet gabim, përveç se nga këndvështrimi i Pejgamberit s.a.v.s. në raport me Zotin. Kurse shikuar nga aspekti i njerëzve, ata nuk kanë rrugë tjetër vetëm se ta ndjekin atë në të dy rastet, d.m.th.: çdo gjë që vjen prej Pejgamberit, doemos, duhet ta pranojnë dhe ta ndjekin atë. El-Buti, op. cit., fq. 197.
[36] Shih: Mul-la Alij El-Kari, op. cit., fq. 153; shih: El-Kuran, Et-Tewbeh, 100.
[37] Ebu Hanifes i është imponuar çështja e rangimit, radhitjes së halifëve besimdrejtë, sepse dominonte një kohë me shumë probleme. Sidomos shiitët dhe harixhitët ishin shumë aktivë në këtë çështje. Ebu Hanifeh mendon se vetë radhitja e tyre në sundim, është një tregues i rangimit të tyre të drejtë.
Shiitët mendojnë se Aliu r.a. ka pasur përparësi ndaj halifëve të tjerë, Ebu Bekrit, Omerit dhe Osmanit r. anhum, sepse, sipas tyre, këtë e ka theksuar vetë Muhammedi a.s.. Shumica muslimane mendon se rangimi i ndodhur në histori është më i drejti.
Mendohet se Ebu Hanifeh ka pasur simpati ndaj Aliut r.a. më tepër se ndaj Osmanit r.a., mirëpo e ka ruajtur këtë radhitje të pranuar nga shumica. M. M. Sharif, II, op. cit., 89-90. H. Laoust, op. cit., fq. 86.
El-Eshariu shtron tri mendime rreth përparësisë së ardhjes në sundim të halifëve:
1. Ata që mendojnë se Aliu r.a. ka të drejtë;
2. Ata që mendojnë se El-Abbasi ka të drejtë dhe;
3. Ata që mendojnë se Ebu Bekri a.s. ka të drejtë.
El-Eshariu vazhdon të pohojë se edhe pse Aliu dhe Abbasi u vonuan, megjithatë i dhanë zotimin e tyre Ebu Bekrit r.a. Sipas: El-Esharij, Kitabul-luma, op. cit., fq. 178 e tutje.
El-Esharij lejon mundësinë teorike që nëpërmjet legjitimimit tekstual të imametit, eksplicit (nass xhel-lij) apo implicit (nass hafi), bashkësia të nxjerrë përfundime të ngjashme.
El-Esharij refuzon shiitët, ravenditët dhe bekritët, dhe pohon se traditat e tyre janë të izoluara dhe nuk mund të shërbejnë si prova të sigurta. Në favor të këtij mendimi, ai thekson se, edhe Kurani flet për halifatin e Ebu Bekrit dhe Omerit. Kurani, sureja 9, ajeti 83. Shih: El-Esharij, Kitabul-luma, op. cit., fq. 180, fusnota 282.
[38] Mul-la Ali El-Kari, op. cit., fq. 155-159.
Ebu Hanifeh pohon se imani është i qartë, sikurse edhe kufri që është i qartë, sikur që dallon qartë ulja nga ngritja, e bardha nga e zeza etj. Në këtë çështje, Ebu Hanifeh është kategorik, sepse pati filluar të paraqiten mendime të disa njerëzve, duke thënë: Unë jam besimtar, nëse don Allahu. Ebu Hanifeh e refuzon këtë bindje dhe pohon se ky është dyshim në besimin personal.
Shafinjtë thonë se ne e përdorim këtë formulim, jo për dyshim në besimin personal, por nga urtia dhe respekti ndaj Zotit. Ky mospajtim ndërmjet hanefinjve dhe shafinjve është pasojë e konceptimit të imanit: Shafiu mendon se veprat janë pjesë të imanit, kurse Ebu Hanifeh mendon se ikrari dhe tasdiki janë pjesë të imanit, por jo edhe veprat.
Në anën tjetër, Imam El-Gazaliu hadithin Lâ jezniz-zânî hîne jeznî we huwe muminun që d.m.th. Kur kurvari bën kurvëri, këtë nuk e bën si besimtar. Ebu Hurejreh, Sahih.
Ashabët kanë besuar se me prostitucion (zina) nuk dilet nga imani, por kuptimi i hadithit është se besimtari nuk është i mirëfilltë dhe i plotë deri sa kryen një veprim të tillë. Imam El-Gazaliu merr një sembull nga përditshmëria dhe pohon se kjo është sikur kur ndonjë njeriu që i amputohet ndonjë gjymtyrë, ti themi se nuk është njeri për shkak të mangësisë që ka. Shih gjerësisht: El-Gazali, Ihja , op. cit., fq. 363.
[39] Imam Nesefiu mendon se meshi mbi meste është i drejtë gjatë udhëtimit, sikurse edhe në shtëpi. Taftazaniu konsideron se, kush e mohon meshin mbi meste është heretik (ehlul-bida). Imam Nesefiu, op. cit., fq. 46, funsota 64.
[40] Imam Maturidiu mendon se pagabueshmëria e imamit sështë kusht për atë funksion, në bazë të fjalëve të të Dërguarit Faluni pas çdo imami, qoftë ai i mirë, apo i keq. Sipas: Imam Maturidiu, op. cit., fq. 90.
[41] Ata pohojnë se, vepruesit e mëkateve të mëdha e të vogla, kanë bërë kufr dhe se do të qëndrojnë përgjithmonë në xhehennem, duke u thirrur në ajetin 14 të sures En-Nisa.
Mutezilitët mendojnë se mëkatari nuk është kafir, por nuk pohojnë se është as besimtar, por e përkufizojnë si fasik, ndërmjet dy gjendjeve. Ebu Hanifeh mendon se i tilli është fasik, por edhe mumin.
[42] Shih: Ali Imran, 17 dhe Et-Tewbeh, 120.
[43] El-Gaznevij El-Hanefij mendon se fasiku është në mesin e të falurve. Ai po ashtu pohon se, nëse fasiku del nga kjo botë pa pendim, nuk bën të thuhet për të se Allahu pa tjetër do ta dënojë, as pa tjetër Allahu do ta falë, por ai do të jetë në vullnetin e Allahut, duke u thirrur në ajetin kuranor të sures En-Nisa, 48. Shih: Esh-Shejh Xhemaluddin Ahmed ibn Muhammed El-Gaznevij El-Hanefijj, Kitabu usulid-din, botimi II, Bejrut, 1419 h./1998, fq. 197-199.
[44] Ebu Hanifeh mendon se imani dhe kufri përjashtohen ndërmjet vete, se në kufr nuk hyn fisku dhe se për fasikun ekziston mundësia e pendimit. Sunitët mendojnë se mëkatet e vogla falen me pendim, kurse të mëdhatë me vullnetin e Allahut.
[45] Shih: El-Kehf, 110.
[46] Janë interesante edhe observimet që bëhen nga Umer Wefik Ed-Dauk, në komentin (sherhin) e veprës së El-Gazneviut, ku pohohet se njerëzit ndahen në dy grupe: besimtarë dhe jobesimtarë. Jobesimtarët do të jenë përjetësisht në zjarr.
Besimtarët ndahen në dy grupe: të nënshtruar dhe gabues. Të nënshtruerit do të jenë në xhennet, ndërsa gabuesit ndahen në dy grupe: pendues dhe jopendues. Penduesit do të jenë në xhennet, kurse jopenduesit në vullnetin e Zotit dhe nuk do të jenë përgjithmonë në xhehenem. Sipas: El-Gaznevij El-Hanefijj, op. cit., fq. 199, fusnota 2. Ky burim rekomandon veprën: Esh-Shejh Abdulkerim Et-Titani we Muhammed Edib El-Kejlani, Sherh xhewheretut-tewhid, botimi 1, Damask, 1128-1129 h.
[47] Ajetet, në këtë rast d.m.th. muxhizet, janë dëshmi, prova që Allahu ua dhuron të dërguarve të Tij, si argument për dëshmimin e pejgamberisë së tyre. Shih mbi ixhazin: N. Ibrahimi, Dimensione kuranore, Shkup Prishtinë - Tiranë, 2004, fq. 12-28 dhe në vijim.
Imamët e mëdhenj të sunizmit, Imam Maturidi

1 komente
http://loansloancheaptextonlinebestdirectsmallinstantcash.co.uk/#656912 - instant cash loans , <a href=http://loansloancheaptextonlinebestdirectsmallinstantcash.co.uk/#228921>online loans</a> - http://loansloancheaptextonlinebestdirectsmallinstantcash.co.uk/#611365 instant cash loans