“Kush e do xhaminë, atë e do edhe Allahu xh.sh.”

I nderuar xhemat, sot është e xhuma dhe një ditë shumë e vlefshme për besimtarët muslimanë. Lus Allahun xh.sh. që kjo ditë të jetë dita e lumturimit dhe pranimit të duave tona.

Hfz. Mehas Alija

I nderuar xhemat, sot është e xhuma dhe një ditë shumë e vlefshme për besimtarët muslimanë. Lus Allahun xh.sh. që kjo ditë të jetë dita e lumturimit dhe pranimit të duave tona.

Vëllezër dhe motra, hutben e sodit do t’ia kushtoj xhamisë. Javën e kaluar e fillova xhumanë e parë të këtij viti me temën mbi namazin. Këtë nuk e bëra rastësisht dhe e lash me qëllim që, këtë të xhuma, të flas në lidhje me xhaminë. Xhamia pa namaz nuk është xhami, dhe namazi pa xhami, është i varfër.

Kjo ishte arsyeja e parë. Kurse arsyeja e dytë është fakti se xhemati ynë, respektivisht xhamia jonë, në këtë vit, i mbush 25 vjet të ekzistimit të saj. Xhemati ynë në këtë vit shënon një çerek shekull të organizimit institucional të Islamit në St. Gallen.

Para më se 25 vitesh, këtu në St. Gallen, shqiptarët nuk kishin dyert e tyre të hapura, ku do të ftoheshin që në gjuhën dhe traditën e tyre të vazhdonin rrugën e re të ruajtjes dhe zhvillimit të Islamit. Një grup burrash bën hapin dhe në vitin 1992 themeluan Bashkësinë Islame të qytetit të St. Gallenit. Ajo bashkësi është edhe sot e kësaj ditë dhe e ka emrin Bashkësia Islame “El-Hidaje”. Është, pra, ky xhemat që sot ka një pasuri kaq të madhe para vetes dhe një nga projektet më të mëdhaja fetare dhe kombëtare të kohës. Kjo xhami, xhemati dhe ideja e saj, është drita e Allahut që shkëlqen natë e ditë në këtë qytet.

25 vite le të mos na duken pak. Vetëm paramendoni sa ju duhet mund dhe sakrificë për të rritur një fëmijë 25 vjet? Mendoj se një gjë e tillë aspak nuk është e lehtë. Vetëm dashuria dhe vetëdija e lartë ndaj rëndësisë së besimit, ka bërë që ky xhemat të ndaj gati çdo gjë prej vetes dhe të mbaj drejtë rrugën e idealit: për të pasur një xhami me të gjitha kushtet e mundshme, për të pasur një kupolë ku do të ngrohin shpirtin dhe një derë diturie për të mësuar hallallin dhe haramin.

Me këtë rast, dua vetëm të jap disa porosi të shkurtra:

Allahu i Madhërishëm në Kur’anin finsik na thotë: “E drejtë e përkujdesjes së xhamive të All-llahut është vetëm e atij që i ka besuar All-llahut dhe ditës së mbramë, e që e falë namazin, jep zeqatin e nuk i frikësohet askujt pos All-llahut. Të tillët do të jenë të udhëzuarit (në rrugën e drejtë).” (Et-Teube, 18).

Në një ajet tjetër, ka thënë Fuqiploti: “Vërtetë, xhamitë janë vetëm për Allahun, dhe mos i bëni shok Allahut në adhurim!” (Xhin, 18)

Kurse Muhammedi a.s. ka thënë: “Vendet më të dashura për Allahun xh.sh. janë xhamitë.” (Imam Muslimi). Nëse xhamitë janë të dashura te Allahu, atëherë sa të dashur mund të jenë ata që i vizitojnë ato? Sipas një hadithi tjetër që e shënon Ibn Maxhe, thuhet se Allahu gëzohet për atë që e viziton xhaminë, ashtu sikur që një familje i gëzohet takimit me ndonjë anëtar të familjes që gjatë kohë nuk e ka parë. Po ashtu, Muhammedi a.s. ka thënë: “Kush e do xhaminë, atë e do edhe Allahu xh.sh.” (Mexhme’u-zeva’id”. Nuk e di a ka sigurim më të madh se sa me të dasht Allahu fuqiplotë?

Xhemat i respketuar

Nuk është e mjaftueshme vetëm ta duam xhaminë, e të mos e duam edhe vizitorin e saj. Nëse Allahu e do dikë që vjen në xhami, çfarë mund të ndodh kur ne e urrejmë atë? Si mund të urrehet dhe të shahet miku i Zotit?

Pastaj, në xhami vihet për dy gjëra: për të dhënë dhe për të marr prej saj. Xhamisë i duhen njerëz që asaj i falin nga pasuria dhe koha e tyre. Po, vallë, çfarë marrim nga xhamia? Prej saj duhet marrë hidajetin, gjegjësisht udhëzimin, vizionin për jetën, energjinë shpirtërore, diturinë dhe urtërsinë, ahlakun dhe shoqërinë, etj.

(Hutbeja e xhumasë, 13.01.2016, El-Hidaje, M.A.)

komente

Scroll To Top

Sulejman Rustemi - Sprovat e kësaj bote





Sulejman Rustemi - Sprovat e kësaj bote

Sulejman Rustemi - Sprovat e kësaj bote