“Ai ka puthur dorën e Islamit të vërtetë!”

Shpesh, ne muslimanët i kalojmë adhurimet tona pa menduar në shpirtin e tyre, në impulset që aktivizojnë në brendësinë e nefsit tonë, në transformimin që na shkaktojnë, po ditëm të sillemi si duhet me ta.

Shpesh, ne muslimanët i kalojmë adhurimet tona pa menduar në shpirtin e tyre, në impulset që aktivizojnë në brendësinë e nefsit tonë, në transformimin që na shkaktojnë, po ditëm të sillemi si duhet me ta.

Shpesh, ne muslimanët e kemi dëshmuar veten se adhurimet i kemi kthyer në shfaqje folklorike, pa shpirt, pa edukatë, pa etikë, pa meditim e pa rezultat. Njësoj, si rasti i atij personit, që Resulull-llahu (a.s) i tha: “Përsërite namazin, se ti nuk je falur”, ose hadithi kudsi: “Jo kushdo që falet, falet…”, ose rasti i personit që në ditën e gjykimit do t’i shumëzohen me zero adhurimet e tij, sepse “ka sharë atë e ka goditur këtë”, ose hadithi i udhëtarit të pluhurosur, me flokë të shpupurishura, që lutet e lutet, por pa përgjigje, sepse: “ushqimi i tij është haram, veshja e tij është haram, përherë është ushqyer me haram…” dhe Resulull-llahu (a.s) që thotë: “E si të përgjigjet atij?!”

Shpesh përballemi me të rinj, që sapo kanë hyrë në xhami. Imamët nuk ua mësojnë namazin. Imamët nuk ua mësojnë edukatën dhe etikën e xhamisë. Imamët nuk ulen me ta. Atëherë, punën e imamit do ta bëjë biçiklisti, zdrukthatari, shitësi i qebabëve, bujku, traktoristi, ai që sillet tërë ditën rrugëve, pa bereqet, kasapi, pastruesi i makinave me brekë të shkurtra mbi kupën e gjurit, që bërtet me të madhe: “haram, bidat, shirk, dalalet!”..?! Imamët nuk ua mësojnë se si bëhet dhikër, si lexohet Kur’ani, si ulet në lutje, si komunikohet me bashkësinë e atyre që falen njësoj si ai në xhami…

Kësisoj, dëgjojnë një fjalë andej e një tjetër këtej. Më shpejt dalin se hyjnë. Hyjnë në xhami me veshje të papërshtatshme, komunikojnë jashtë etikës së vendit. Nuk respektojnë synetet e hyrjes e daljes në xhami. Nuk praktikojnë dhikret e pas namazit me xhemat, sepse dikush u ka pëshpëritur se është “bidat”, i famshmi Bidat..!? Mbajnë ligjërime fetare nëpër kafene, shkruajnë statuse me sens revolucionar, duke qarë hallet e muslimanëve nga iksi e ypsiloni, nga Myftiu e nga institucionet fetare, qajnë hallet e vakëfeve, sidomos, kur ndonjë nga të njohurit a të afërmit është në konflikt me institucionin, pasi ka zënë e ka grabitur një llokme këtu e një tjetër atje, me logjikën se “vakëfet janë të krejt muslimanëve”!?

Folklor! Folklor pa shpirt! Folklor që nuk ndërton, folklor që mban parazitë gjallë, që ushqen mikrobe dhe u krijon hapësira vegjetimi, duke kthyer oazet e pushimit në moçalishte infektuese!

Para ca muajsh, isha në umre, bashkë me babën tim. Ishte e xhuma, tamam si sot. Ishim shumë të lodhur nga udhëtimi i gjatë. Kishim zënë një vend, përballë Qabes së Madhnueshme. Po prisnim ezanin e mesditës. Papritur, babai im largon me dorë insekt që po sillej diku në afërsi me ne. Duke qenë të veshur me ihram, (ku e bardha dominon edhe në komunikim me çdo gjë, përfshi insektet), nga frika se mos baba im e kishte mbytur i sektin e vogël, “u hodha” në mbrojtje të krijesës së vogël. “Mos, se e mbyte!”, kujtoj se reagova me zë të sikletosur. Im atë, duke buzëqeshur, por edhe ai në siklet, ma ktheu: “Nuk e mbyta, jo, e largova. Është gjallë!”

Në fakt, kjo ndjesi ngjan me atë, kur jemi agjërueshëm dhe dikush nga hutimi ngre një gotë me ujë. Nga sikleti se mos prish agjërimin, ne reagojmë… Në fakt, adhurimet dhe ndjesia e ruajtjes nga haramet, do të na kishin shumë më shumë dobi, sikur të mos ishim kaq sipërfaqësor, sa ne, realisht jemi në trajtimin e argumenteve të fesë sonë! Do të na kishte më bereqet Islami, sikur mos ta ngushtonim, siç realisht kemi bërë dhe bëjmë çdo ditë. Do na kishte më bereqet Thirrja Islame, po të mos ishim kaq folklorik në trajtimin e argumenteve të fesë, sa ç’jemi.

Një kosovar thotë se intelektuali nuk mund të jetë musliman. Po ku di gjë ai se çfarë është Islami, xhanëm!? Një tjetër tek ne, e ka kapur pisk me futbollistët që agjërojnë. Po rrini, mor aman në punën tuaj, mos futni hundët, ku nuk duhet!? Një biçim analisteje, gati e zhveshur i qan hallin burrave arabë, që nuk i paskan dhënë dorën, si dhe atë të grave të mbuluara me të zeza. E sa e sa deklarata e emisione, shkrime e analiza, duke futur hundët në punë, për të cilat as janë kompetentë, as dijnë, as kuptojnë, thjeshtë kryejnë një mision!?

Por, ata e kanë edhe një të drejtë sipërfaqësore, ju mungon shembulli i duhur i Islamit, para të cilit, pasha All-llahun, ata dhe kushdo në botë qëndron me respekt dhe nderim. Shejkh Ahmed Keftaro, thoshte shpesh, se në një prej takimeve ndërkombëtare, diku në Evropë, një kardinal ishte ngritur tre herë nga vendi dhe i kishte puthur dorën Kryemyftiut sirian. (Këtë fakt, përveçse e kam dëgjuar nga vetë Hoxha, na e ka konfirmuar edhe Shejkh Beshir El-Bani, si dëshmitar prezent, gjatë një leksioni në fakultet). Por, Hoxha, rahmet pastë, kur e tregonte këtë detaj, thoshte: “Ju mendoni se ka puthur dorën time? Jo, aspak. Ai ka puthur dorën e Islamit të vërtetë, të cilin, nëse e prezantojmë siç është, me vepra e sjellje, me moral e me edukatë, me dije e ecje përpara në dije e njohuri, vallahi, nuk ngelet njeri pa e respektuar e pranuar, si dhuratën më të çmuar në jetë!”

Këtë dua të ndaj sot me ju, teksa ju ftoj ta rishikojmë marrëdhënien tonë me vetë fenë tonë, me mënyrën se si e lexojmë dhe se si e praktikojmë Islamin. Islami nuk është fé e pamjeve të jashtme, e detajeve pa vlerë, nuk është fé e folklorizmave, e emocioneve të stisura! Islami është udhëzim hyjnor, që ta paqton zemrën me Zotin, me veten tënde dhe me tjetrin dhe të drejton për t’u bërë individ ndërtues në shoqëri, intelektual me plot kuptimin e fjalës, jo varfanjak analfabet, jo mendjengushtë e zemërkeq, jo parazit që vegjeton mbi kurrizin e të tjerëve, jo anarkik, që ka probleme me veten e me këdo nga krijesat e Zotit!

Islami është besim, që nuk ngrihet as nga dëshirat eas nga zbukurimet, por, udhëzim që mbulon zemrën me butësi dhe vepra konkrete, që rrezatojnë paqe e mirësi!

Imam Muhamed B. Sytari

komente

Scroll To Top

Sulejman Rustemi - Sprovat e kësaj bote





Sulejman Rustemi - Sprovat e kësaj bote

Sulejman Rustemi - Sprovat e kësaj bote