Zoti të hedh me njërën dorë e të pret me tjetrën

Varfëria e tejskajshme, lufta me vdekjen për shkak të një sëmundjeje të rrezikshme, humbja e bashkëshortit dhe pesë fëmijëve, vuajtjet pa mbarim, beteja për t’i bërë ballë jetës vetëm për mbijetesë, si dhe besimi i patundur tek i Madhi Zot, janë shoqëruesit e pandashëm të përditshmërisë së 43 vjeçares Manushaqe Todaj nga Kukësi, e cila banon prej tetë vitesh në periferi të Tiranës së bashku me vajzën e saj.

Varfëria e tejskajshme, lufta me vdekjen për shkak të një sëmundjeje të rrezikshme, humbja e bashkëshortit dhe pesë fëmijëve, vuajtjet pa mbarim, beteja për t’i bërë ballë jetës vetëm për mbijetesë, si dhe besimi i patundur tek i Madhi Zot, janë shoqëruesit e pandashëm të përditshmërisë së 43 vjeçares Manushaqe Todaj nga Kukësi, e cila banon prej tetë vitesh në periferi të Tiranës së bashku me vajzën e saj.

Në një intervistë për bashkëpunëtorin e revistës sonë Qani Sulku, ajo rrëfen peripecitë, vështirësitë dhe sprovat e panumërta që shoqëruan atë dhe familjen e saj duke filluar që nga Kukësi më tej në Lushnjë e më së fundmi në Tiranë, si dhe tregon se si humanizmi i vëllezërve dhe i motrave myslimane u bë çelësi që i hapi dyert e dritës drejt besimit dhe përkushtimit në fenë islame.

Manushaqe Todaj së bashku me familjen e saj shpërngulen nga Kukësi drejt Lushnjës për një jetë më të mirë, por sprovat dhe fatkeqësitë nuk iu ndanë edhe atje, pasi përjetoi vdekjen e fëmijëve të saj të porsalindur njëri pas tjetrit, si pasojë e grupit të rrallë të gjakut të tyre. Motra e saj i dhuron në Paskuqan të Tiranës një shtëpi përdhese e përbërë prej dy dhomash, në mënyrë që të nisin një jetë të re, si dhe për të harruar sadopak kujtimet e hidhura nga të cilat po treteshin përditë Manushaqja, bashkëshorti i saj dhe vajza e tyre e vetme.

Por dhimbjet për këtë familje do të shtoheshin edhe më tepër, kur Manushaqja disa kohë pasi kishte parë disa shenja jo të zakonshme në gjirin e saj, vajti për t’u vizituar ku dhe mori lajmin tronditës se kishte kancer në gji dhe se duhej operuar urgjentisht. Ky operacion nuk ishte i pari për të, por nuk do të ishte as i fundit, pasi të katër fëmijët e saj të cilët i vdiqën, i kishte lindur me operacion cezarian, por edhe për të luftuar këtë sëmundje të cilën e zbuloi vonë, ka bërë plot gjashtë operacione brenda tre vitesh, ku edhe pas tyre ende nuk dihet se si do të shkojë fati i saj.

Zoti e sprovon robin e Tij në mënyra nga më të ndryshmet dhe në fund i ofron strehën e Tij, tek e cila gjen prehje shpirtërore çdokush që drejtohet drejt saj, pavarësisht sesa i vuajtur mund të ketë qenë. Para një viti, Manushqaja humbi edhe bashkëshortin nga një sëmundje e pashërueshme, duke mbetur kështu e vetme me vajzën e saj jetime. Kur mendoi se gjithçka mori fund; kur mendoi se jeta e saj s’kishte më kuptim; kur mendoi se mbeti pa përkrahje dhe mbështetje, drejtimi i jetës së saj ndryshoi plotësisht. Nuk thonë kot: “Zoti të hedh me njërën dorë e të pret me tjetrën”.

Me të vërtetë Zoti mori nga gjiri i tyre shtyllën e shtëpisë, por u ofroi motra dhe vëllezër besimtarë myslimanë, të cilët iu gjenden pranë për çdo nevojë e shqetësim.

Pas humbjes së bashkëshortit gjendja e saj ekonomike u rëndua aq shumë saqë vuante për kafshatën e gojës dhe ajo që e shqetësonte më së shumti ishte vajza e saj e pangrënë dhe e papirë. Një shoqe e këshilloi që t’i drejtohej xhamisë Dine Hoxha, ku besimtarët e kësaj xhamie sapo u njohën me rastin e saj, iu gjendën pranë në shumë mënyra, dikush me ushqime, dikush me të holla, etj. Rasti i saj u bë publik dhe pati një sensibilizim të opinionit, në veçanti në mesin e besimtarëve myslimanë, të cilët u prekën dhe e mbështetën pikërisht atëherë kur kishte më së tepërmi nevojë, si për t’i thënë se nuk je vetëm, na ke ne, pasi besimtarët janë si një trup i vetëm, kur një gjymtyrë e tij lëngon, lëngon i gjithë trupi dhe dhimbja shpërndahet gjithandej. Ishte pikërisht humanizmi i tyre, që e nxiti Manushaqen të meditonte dhe të pyeste veten:

Kush m’i solli gjithë këto të mira?

Përgjigja e vetme që i vinte nga përbrenda ishte një: Allahu. Atëherë, ajo bëri një pyetje retorike: A nuk meriton që t’i përulem Atij që më ndihmon dhe që nuk më braktis në asnjë çast?!

Sigurisht që po. Zgjodhi pikërisht xhaminë “Dine Hoxha” vendin ku do të vendoste për herë të parë ballin e saj në sexhde, në shenjë përuljeje dhe adhurimi ndaj Zotit; zgjodhi këtë xhami ku do të falte namazin e saj të parë, i cili do të mbetet kujtimi i saj më i bukur; zgjodhi pikërisht këtë xhami, nga ku do të hidhte edhe një tjetër hap në shenjë respekti dhe nderimi ndaj urdhrave të Allahut. Zgjodhi veshjen islame duke vendosur një herë e përgjithmonë hixhabin, për të cilin thotë se i ka dhuruar një kënaqësi dhe ndjesi të veçantë.

Tani, përveç kontakteve të vazhdueshme që mban me mjekë të ndryshëm, ajo lidhet pesë herë në ditë edhe me Shëruesin e njerëzimit, me Atë që jep zgjidhje për çdo problem e shqetësim, i madh apo i vogël qoftë, me Allahun e Lartmadhërishëm, me Atë i Cili shëroi profetin Ejub nga sëmundja. Komunikon natën dhe ditën me Atë, i Cili ka zhdukur sëmundje te një numër i madh njerëzish, të cilët kanë besuar bindshëm në mrekullinë e Tij. Ajo çdo ditë kurohet, përveç ilaçeve mjekësore, edhe me ilaçin hyjnor, me versetet e Kur'anit. Çdo ditë për të është një shans i ri, një mundësi më shumë dhe një shpresë më afër realizimit të saj.

Gjithë jetën e saj Manushaqja myslimane ka qenë, por si shumica e myslimanëve shqiptarë vetëm me emër dhe jo me vepër, por që prej një viti, jeta e saj ka marrë një tjetër kuptim, ka tjetër shije dhe tjetër ëmbëlsi. Besimi në Zot dhe lutjet gjatë namazeve kanë rezultuar si ilaçi më efikas për sëmundjen e saj. Dhimbjet e sëmundjes tashmë i përjeton ndryshe, pasi gjen lehtësi në namaz e posaçërisht gjatë lutjeve drejtuar Allahut të Lartësuar.

Vajza e Manushaqes, Albjona, 16 vjeçe, është rritur para kohe për shkak të problemeve që kanë pllakosur familjen e saj. Në një kohë kur moshataret e saja janë të rrethuara nga kujdesi i prindërve të tyre; në një kohë kur shoqet e saj të shkollës i gëzohen lukseve të momentit, celularëve më të fundit, markave më të famshme të rrobave, si dhe përzgjedhjes së ushqimeve, asaj i duhet të endet nga njëra zyrë në tjetrën, nga njëra shoqatë në tjetrën, si e si për të siguruar ndonjë shumë të vogël të hollash për të blerë një thes miell për të kaluar muajin, për të siguruar ndonjë të hollë që do t’i nevojitet nënës së saj gjatë kurimit me kimioterapi në spital.

Albjonës i duhet të durojë mospërfilljen, përbuzjen, nënçmimin dhe mbylljen e dyerve të institucioneve të ndryshme nga njerëz të cilët janë të zhveshur nga humanizmi për shkak të arrogancës, si dhe konsiderimit të postit që mbajnë si një pronë të tyren dhe jo si një përgjegjësi në shërbim të kategorive përkatëse që e meritojnë. Asaj i nevojitet të lërë mënjanë brishtësinë e një vajze të re, të lërë mënjanë ëndrrat dhe dëshirat e saja për t’i dalë zot shtëpisë, e megjithatë e di se shkollimi dhe edukimi kanë rëndësinë e vet, kështuqë vijon sistematikisht vitin e parë të shkollës së mesme.

Në çdo cep të shtëpisë së tyre, shikon të ulur këmbëkryq varfërinë, e cila duket sikur s’ka ndërmend të largohet prej aty. Përtej kësaj panorame mjerane, nënë e bijë ushqejnë optimizëm në veten e tyre, pasi lutja më e shpeshtë që dëgjon nga gjuha e tyre është: Zoti e bëftë mirë. Ato nuk harrojnë t’u drejtohen me falënderime e mirënjohje të gjithë atyre që në një mënyrë apo në një tjetër kanë kontribuuar në përmirësimin e jetesës së tyre, por halli i tyre nuk mbaron me kaq.

Për to nuk ka kush punon, një nënë e sëmurë në shtëpi dhe një vajzë e klasës së nëntë, presin që dikush t’i ndihmojë. Për një kohë të gjatë, Manushaqja nuk është kuruar dhe gjendja e saj është përkeqësuar pasi nuk ka mundësi t’i blinte ilaçet që kushtonin shumë shtrenjtë, derisa disa vëllezër myslimanë me kontributet e tyre mundësuan blerjen e tyre për një kohë të caktuar, por halli i saj është i vazhdueshëm, derisa Zoti të bëjë mrekullinë e Tij dhe ta lirojë këtë nënë kaq të sprovuar nga prangat e kësaj sëmundjeje të pamëshirshme.

Lotët dhe dhimbjet e kësaj nëne dhe kësaj vajze janë thirrje dhe kambanë për këdo që ka mundësi t’u gjendet pranë, për këdo që ndihet krenar me epitetin “NJERI” që iu dha nga Zoti.

Kjo është historia në pak fjalë e nënës së re e të përvuajtur nga Kukësi dhe vajzës së saj, e cila nuk po e jeton moshën e saj për shkak të halleve që i kanë rënë mbi krye. Le ta lusim Allahun që t’ua lehtësojë gjendjen dhe t’u sjellë zgjidhje duke zgjuar dëshirën e mirësisë, humanizmit dhe bujarisë të të gjithëve ne, që ta mbështesim dhe ndihmojmë këtë nënë, njësoj sikur të ishte nëna jonë dhe këtë vajzë, sikur të ishte motra apo vajza jonë, pasi Allahu është në ndihmë të robit të Tij, për sa kohë që ai është në ndihmë të vëllait/motrës së tij.

Nga: Qani Sulku/Drita Islame

komente

Scroll To Top

Sulejman Rustemi - Sprovat e kësaj bote





Sulejman Rustemi - Sprovat e kësaj bote

Sulejman Rustemi - Sprovat e kësaj bote