Index -> Të Ndryshme ->

BE godet me Rezolutë

Bashkimi Europian propozon që Asambleja e Përgjithshme të aprovojë opinionin e GJND’së që thotë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Share:  Del.icio.us  Digg  Facebook  Newsvine  Reddit  Technorati

Bashkimi Europian i është kundërpërgjigjur Rezolutës së Serbisë. Catherine Ashton ka qarkulluar një Rezolutë tek të gjitha shtetet anëtare të BE’së. Aty kërkohet që Asambleja e Përgjithshme e OKB’së ta pranojë vendimin e GJND’së. Rezoluta europiane inkurajon palët për bisedime, pa asnjë referencë ndaj statusit të Kosovës. Express sjell tekstin e Rezolutës.

Ende pa u mbushur një javë nga shpallja e opinionit të GJND’së për Kosovën, janë shkrepur të shtënat e para në betejën diplomatike rreth Rezolutës që pritet të aprovohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB’së, në shtator ose në fillim të tetorit.
Goditja e parë ka ardhur nga Serbia, e cila ka befasuar Bashkimin Europian, me deponimin e draftrezolutës së saj, të enjten.
Lëvizjes serbe i është kundërpërgjigjur të njëjtën ditë Bashkimi Europian.

Burime të BE kanë konfirmuar se nga Zyra e Përfaqësueses së Lartë të BE’së, Catherine Ashton, është qarkulluar Draftrezoluta për Kosovën te të gjitha misionet diplomatike të shteteve të BE’së në New York.

Për këtë aksion të Brukselit është njoftuar edhe Qeveria e SHBA’së.

Bashkimi Europian propozon që Asambleja e Përgjithshme të aprovojë opinionin e GJND’së që thotë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

“E pranon me respekt opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të datës 22 korrik 2010, lidhur me përputhjen e së drejtës ndërkombëtare me deklaratën e njëanshme të pavarësisë nga institucionet e përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës, që është përgjigje ndaj kërkesës së Asamblesë së Përgjithshme”, thuhet në pikën e parë të Rezolutës.

Në pikën 2 të kësaj rezolute, në mënyrë të tërthortë inkurajohen Kosova dhe Serbia që të bisedojnë për të avancuar bashkëpunimin rajonal, ekonomik, zhvillimin demokratik, stabilitetin rajonal në përputhje me të ardhmen e tyre evropiane, por askund nuk aludohet në statusin e Kosovës.

“(Asambleja e Përgjithshme) Mirëpret synimin e palëve që të vazhdojnë progresin lidhur me bashkëpunimin rajonal, ekonomik dhe demokratik si dhe stabilitetin afatgjatë rajonal, në përputhje me perspektivën e tyre europiane”, përfundon Rezoluta e BE’së.

Burime diplomatike kanë thënë se misioneve të përhershme të shteteve të BE’së në Kombet e Bashkuara u janë dhënë disa ditë kohë që të deklarohen se a pajtohen me përmbajtjen e rezolutës.

Megjithëkëtë, të njëjtat burime vlerësojnë se një formulim i tillë i rezolutës nuk duhet të jetë problem as për pesë shtetet e BE’së që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Ndërkaq, sa i përket tekstit të rezolutës serbe, që në mënyrë të tërthortë bën thirrje për bisedime për statusin e Kosovës, mediat në Beograd kanë raportuar se diplomacia evropiane i ka bërë të ditur Serbisë se kjo rezolutë është plotësisht e papranueshme.

Për më tepër, e përditshmja “Blic” shkruan se Britania e Madhe i ka kërkuar Beogradit që të tërheqë rezolutën.
Sidoqoftë, gjërat pritet të ndryshojnë. Pavarësisht se edhe BE’ja, edhe Beogradi tashmë janë pozicionuar, askush nuk pret që Serbia do të përballojë presionin evropian gjatë dy muajve të ardhshëm. Brukseli do të dëshironte që Serbia të heqë dorë nga rezoluta e vet dhe të mbështesë rezolutën e BE’së.

Beteja diplomatike rreth rezolutës që bazohet në verdiktin e GJND’së për Kosovën mund të zgjasë më së shumti dy muaj. Fituesi do të dihet në gjysmën e dytë të shtatorit ose më së largu në fillim të tetorit.

E premte 30 Korrik 2010

Për Radion Islame: Sabri Selmani, Gjermani
 
 

RadioIslame LIVE

Advertising